English

Legjendat e “Ujit të Madh”

Nëse vazhdojmë që të rrimë në mëshirë të fatit, Perëndisë, qiellit, quajeni si të doni, atëherë legjendat e “Ujit të Madh”, jo vetëm që nuk do të harrohen, por do të nisin të tregohen nga e para

Nga Fatos Baxhaku

“Uji i Madh”, kështu e quanin shkodranët e vjetër një vërshim të paparë të ujërave që kishte ndodhur andej nga vitet ‘70 të shekullit XIX. Meqenëse, në krahasim me këtë vërshim, të gjithë të tjerët mund të quheshin të vegjël, atëherë gjithçka ishte në rregull. Me përmbytjen që vinte befas “prej gjithkah”, prej Liqenit, prej Bunës prej Drinit e Kirit, qyteti nisi ta mësojë veten se një e mirë e madhe, pasuria ujore, ishte në fakt edhe një mallkim i përkohshëm.

Ishte një e keqe e vogël në krahasim me më të madhen gjë, që u kishte dhuruar Zoti apo Allahu, me vetë jetën. Dhe kështu nisi që uji të shihej si një forcë e madhe që nuk mund të përballohet. “Ai ban ç’ka din vetë”, thonë edhe sot e kësaj dite në Shkodër. Si çdo marrëdhënie në qytete mijëravjeçare, edhe kjo synon të shndërrohet në një legjendë. Tashti kemi njerëz të përmbytur që presin “të teren”, kemi të tjerë që rrotullojnë sytë të pafuqishëm, por kemi edhe nga ata, njerëzit e kahershëm të popullit që kujtohen për historitë e vjetra. Dhe kështu pak nga pak, disa nga njerëzit rrinë e kujtojnë më fort legjendat se sa të sotmen. Shenjë e dukshme e një dorëzimi, që nuk ka përse të ndodhë, megjithatë le të vazhdojmë me historitë e vjetra…

Nuk është se në Shkodër kanë qenë gjithnjë të nënshtruar ndaj ujit. Të paktën ka pasur njerëz që janë munduar të organizojnë njerëzit për t’i bërë ballë furisë së tij. Një ndër ta ishte Filip Parruca, tregtar i madh e burrë i njohur i Shkodrës. Ky, në mesin e viteve ‘70 të shekullit XIX, mori përsipër të lidhej me një shoqëri franceze të specializuar. Kjo, për bonifikimin e ujërave rreth qytetit kërkoi 250 napolona ar vetëm për projektin, gati një thesar i vërtetë për atë kohë. Parruca këtë shumë e pagoi në mirëbesim, me shpresën e madhe se do kishte edhe tregtarë të tjerë që do të investonin në sipërmarrjen që do të shpëtonte qytetin nga përmbytjet.

Për të realizuar projektin mbërriti në Shkodër, bash e në shtëpinë e Parrucës, një inxhinier italian, Vigentini. Por punës po i vinte era ca si shumë para, kështu që nisi rivaliteti mes francezëve dhe austriakëve. Nga Stambolli, mbërrin një tjetër inxhinier. Ky ishte austriak e quhej Menosi. Ky solli me vete një projekt alternativ, i cili, për më tepër, kushtonte edhe më lirë.

Ky fitoi tenderin e atëhershëm. Vigentini i dërguar nga francezët u largua. Menozi nisi nga puna. Ai ishte përditë në vendet e punimeve. Por një ditë prej ditësh bie në Bunë dhe mbytet. Punëtorët besëtytë e panë këtë si një shenjë të dërguar nga Zoti dhe i braktisën kantieret. Me sa duket, menduan atëherë, me ujin nuk luhet. Projekti dështoi. Parruca, iniciatori, nuk mori pas as të hollat e projektit. I zhgënjyer, ai u largua me gjithë shtëpi e katandi drejt Italisë, ku pasardhësit e tij jetojnë ende diku pranë Venecias. Kjo është histori e shkruar, me projekte, dokumente, letërkëmbime. Të gjitha janë të ruajtura, por në popull kjo tregohet si një gjysmë e vërtetë e si gjysmëlegjendë. Njësoj sikur të duan të tregojnë se mbytja e Menozit ka qenë vërtet një mallkim i ardhur nga lart, njësoj sikurse vjen vetë shiu a bora.

Tani Shkodra është sërish e mbuluar nga “Uji i Madh”. Mijëra shtëpi janë përmbytur, mijëra hektarë tokë janë nën ujë, me mijëra vetë nuk e dinë se si do ta kalojnë natën, uji po kërcënon qytetin që ka kaluar mijëra vjet histori. Po ja ku për dreq, dalin sërish në skenë legjendat, a më mirë me thanë elementë të tyre. Sërish ka dalë në skenë një pafuqishmëri e njeriut për t’i bërë ballë natyrës. Qeveria, mundohet të luajë me ndihmën, që po u jep të pashpresëve, por nuk ka thënë ende asnjë fjalë, përse në gjithë këta muaj nuk u bë asnjë investim serioz, përse nuk u zbatua asnjë studim i përmasave afatgjata, asnjë hap që t’i mbushte këta njerëz me shpresë dhe jo më me legjenda. Përse nuk është bërë thellimi i Bunës? Një projekt që ka 20 vjet që diskutohet. Për këtë askush nuk jep përgjigje. Përse nuk janë riparuar digat, pendët, kanalet kullues? Askush nuk di të thotë gjë. Vetëm ngrenë supet dhe mjaftohen duke dërguar makina e lundra, që i çojnë njerëzit sa më larg shtëpive të tyre të ngritura me mund.

Dikur të njëjtit njerëz që na drejtojnë, rrinin me sytë nga qielli me shpresën se do të na hidhte ndonjë pikë shi. Tani, pak a shumë të njëjtët persona ngrysen e gdhihen me sytë te parashikimi i motit. Nëse vazhdojmë që të rrimë në mëshirë të fatit, Perëndisë, qiellit, quajeni si të doni, atëherë legjendat e “Ujit të Madh”, jo vetëm që nuk do të harrohen, por do të nisin të tregohen nga e para. Dhe, të jetosh me legjenda në kohën e internetit, nuk është shenjë fort e mirë.

KOMENTE