English


Ndalimi i reshjeve zbut emergjencën e përmbytjeve, situata më e fundit në vend

>> Rama: Duhet ribërë buxheti, më pas e votoj

>> Sondazhi, shqiptarët informohen me NOA

>> Shkarkimet mbeten ende në nivele të larta

>> Parashikimi i motit nesër nga NOA&MeteoAlb

FOTO EKSKLUZIVE NGA LART - Video - Fotogaleri

Tiranë - Shkodër, 6 Dhjetor 2010 NOA/ E.Nasi, I.Toptani, R.Bulku - (Raportim minutë pas minute) –

21.00 - Meta në Trush: Furnizimi me ushqime dhe ujë të pijshëm do të vazhdojë

Zëvendëskryeministri Ilir Meta i shoqëruar nga ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili dhe ai i Mjedisit, Fatmir Mediu ka parë nga afër sot situatën e përmbytjeve në komunën Trush ku janë shpërndarë sot për banorët ushqime dhe uji i pijshëm.

Zëvendëskryeministri Meta bëri me dije se në komunën e Trushit sot u bë furnizimi për banorët me 800 pako ushqimesh dhe me 18 tonë ujë.

“Këtu në komunën e Trushit kanë ardhur 800 pako me ushqime, për të gjitha familjet, dhe 18 tonë ujë, do të vijë përsëri uji i pijshëm. Pra kudo të vazhdojnë furnizimet për të plotësuar nevojat jetike”, siguroi Meta.

Meta garantoi se ky furnizim do të vazhdojë edhe në ditët që vijnë, në mënyrë që çdo zonë e izoluar për shkak të përmbytjeve, të furnizohet me ushqim për të plotësuar nevojat jetike të banorëve.

Zëvendëskryeministri u shpreh se, situata paraqitet më e mirë se në ditët e mëparshme.

Ai deklaroi se qeveria do të përpiqet që ta administrojë me transparencë maksimale këtë situatë përmbytjesh.

Megjithatë, Meta tha se, problem kryesor ka qenë dhe mbetet fryrja e jashtëzakonshme e liqenit të Shkodrës dhe depërtimi i vazhdueshëm në këtë liqen i ujërave të tepërt që kanë rënë në Malin e Zi gjatë ditëve të fundit.

Ministri i Ekonomisë e konsideroi pozitiv faktin pozitiv që reshjet kanë qenë më të pakta gjatë ditës së sotme dhe ndaj në këtë drejtim ndihet një përmirësim.

Por, ai siguroi se qeveria do të vazhdojë të punojë intensivisht për të përballuar një situatë sa më afatgjatë, në rastin më të vështirë.

“Ka ende evakuime në zonat më të vështira dhe më të rrethuara, ashtu sikurse ka furnizim të pandërprerë në zonat e izoluara për banorët me ushqime dhe me ujë, e shërbime shëndetësore”, u shpreh Meta, duke shtuar se po punohet për të kërkuar mirëkuptimin e plotë të banorëve për tu evakuuar nga zonat ku ata rrezikohen, si dhe për të garantuar ata me furnizimet më jetike kur insistojnë të qëndrojnë në shtëpitë e tyre.

Sa i përket argjinaturave, ministri i Ekonomisë, shprehu besimin se ato sot janë më të sigurta se sa në ditët e mëparshme, pasi janë lartësuar, riparuar dhe janë mbrojtur.

“Ne besojmë, tha Meta, se sipërfaqja nën ujë do të vijë duke u pakësuar dhe jo duke u shtuar.

Ministri Meta pohoi faktin se, në disa zona, si në Bërdicë, ka pasur ulje të nivelit të ujit, por problem shqetësues mbetet tejfryrja e liqenit të Shkodrës.

Ai gjithashtu konfirmoi se ka një solidaritet të shprehur nga shumë vende të botës, si nga Greqia e Turqia, të cilat kanë dërguar ndihma në adresë të Shqipërisë, por edhe nga Austria, Italia dhe shumë vende të tjera, të cilat kanë konfirmuar ndihma, ashtu si dhe shumë sipërmarrës dhe biznesmenë kanë ofruar kontribut financiar e material.

20.10 -Situatë e vështirë në Dajç, Basha: Banorët duhet të evakuohen

I pranishëm në operacionet e evakuimit në Shkodër, ministri i Brendshëm, Lulzim Basha i ka bërë rishtas thirrje banorëve të evakuohen nga shtëpitë dhe zonat e përmbytura, pasi situata është ende e vështirë.

Problematike shfaqet situata në fshatrat e komunës së Dajçit, si Pentari, Rushkulli, Samrishti, Suka e Dajçit, Shirgji, Daragjati.

Kreu i dikasterit të Brendshëm, theksoi se evakuimi i banorëve dhe sistemimi i tyre mbetet përparësi për situatën.

Basha sqaroi se nëse në fillim operacionet për evakuimin e banorëve kryheshin vetëm me mjetet e Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Mbrojtjes, tashmë në evakuimin e banorëve ndihmojnë edhe helikopterë të ardhur nga Greqia dhe Turqia.

Ministri Basha tha më tej se "Nuk ka alternativë tjetër ndaj evakuimit, gjithçka është e përkohshme dhe e vështirë”.

Ai nënvizoi se kjo situatë do të jetë afatmesme dhe afatgjatë, andaj sipas tij, banorët duhet t'i përgjigjen thirrjes për evakuim.

Nën ujë në Shkodër mbeten mëse 14 mijë ha tokë dhe 2561 shtëpi.

Edhe pse reshjet mungojnë niveli i lartë i ujit mbetet i lartë në zonë, duke bërë që aty të kalohet vetëm me varka.

Kjo thirrje e ministrit për evakuim vjen ngase shumë kryefamiljarë familjesh nga frika e grabitjes nuk duan të braktisin shtëpitë e tyre.

19.45- Përmbytjet, policia në terren: Evakuuam sot 23 familje në fshatrat e Dajçit

Kur Shkodra endet nën ujë në ditën e shtatë të përmbytjeve dhe kryeministri deklaroi se evakuimet mbeten parësore dhe do të jenë afatgjata, uniformat blu të policisë së shtetit që janë në terren bashkë me forcat e ushtrisë kanë evakuuar sot 23 familje me plot 95 persona nga fshatrat e përmbytura të Komunës Dajç.

Policia e Shtetit mbulon me efektiva të saj 24 orë në 24 komunat dhe fshatrat më problematikë.

Në një përditësim të orëve të mbrëmjes policia e Shkodrës njofton se operacionet e Policisë së Shtetit vazhdojnë të jenë të përqendruara në fshatrat nën ujë të komunës Dajë, në fshatin Obot të Komunës Ana e Malit, në fshatrat Mali i Jushit e Trush i Poshtëm të Komunës Bushat, në fshatrat e Komunës Bërdicë, në fshatrat Kuë, Renc e Vukatanë të Komunës Guri i Zi, në fshatrat Ças, Pulaj e Reç te Komunës Velipojë, në lagjet periferike të qytetit buzë Liqenit të Shkodrës, si dhe në lagjet në hyrje të qytetit, Xhabije, Salo Halili, Livade e Tophan.

Janë plot 798 forca policore, 3 helikopterë të Policisë së Shtetit, 10 kamionë për transport dhe 78 automjete të tjera të llojeve të ndryshme si dhe 14 mjete lundruese.

Strukturat e policisë së shtetit vazhdojnë angazhimin maksimal për përballimin situatës, si dhe për t’u dhënë ndihmë banorëve të zonave të përmbytura, për evakuimin e tyre dhe në transportimin e bazës ushqimore dhe të gjësë së gjallë, por edhe për menaxhimin e fluksit të lëvizjes në akset rrugore dhe garantimin e sigurisë publike.

Bëhet e ditur se pranë Shtabit të Emergjencës i ngritur në Prefekturën e Shkodrës janë marrë dhe finalizuar 16 kërkesa nga shtetas te ndryshëm, për evakuim, ndihmë mjeksore apo për shërbime të tjera nga policia.

Gjithashtu infomohet se janë evidentuar gjithsej 403 kërkesa për ndihmë nga familjarë të zonave të përmbytura, të cilëve u është dhënë ndihma e nevojshme si për evakuimin e tyre, edhe për trajtimin mjekësor, apo sigurimin e ushqimeve.

Policia gjithshtu sqaron se gjatë kësaj periudhe nuk janë evidentuar ngjarje kriminale në zonat e përmbytura të cilat do t’i sillnin një tjetër dëm situatës së pasigurisë në këtë qytet dhe zonat e nënshkodrës.

Shërbimet e policisë vijojnë të pandërprera në të gjitha akset rrugore problematike, për të drejtuar lëvizjen e automjeteve dhe moslejimin e kalimit të tyre në zonat e përmbytura.

19.15 - Shtabi i emergjencës, Meta: Prioritet në Shkodër dërgimi i ndihmave dhe ushqimeve

Situata ende e vështirë e përmbytjeve në Shkodër, edhe pse në qytet nuk kanë rënë reshje dy ditët e fundit, ka bërë që zëvendëskryeministri Ilir Meta gjatë mbledhjes së shtabit të emergjencës në Shkodër të deklarojë se përparësi mbetet dërgimi i ndihmave ushqimore dhe medikamenteve për banorët e evakuuar dhe ata që ende nuk janë evakuuar nga shtëpitë e tyre.

Zëvendëskryeministri Meta theksoi furnizimi me ushqime duhet të vazhdojë pa ndërprerje.Ai ka apeluar ndërkaq që të bëhet kujdes me ushqimet që përmbajnë koncentrate kafshësh.

Ai bëri i thirrje gjithashtu mjekëve që të jenë në gatishmëri për t’i shërbyer banorëve të zonave të përmbytura 24 orë pa ndërprerje, pasi siç mund të kuptohet banorët e evakuuar nga shtëpitë e tyre janë tashmë edhe nën rrezikun e sëmundjeve të ndryshme, por edhe të ftohtit.

Edhe pse reshjet mungojnë niveli i ujit vijon të mbajë të përmbytura rreth 14 mijë ha tokë dhe plot 2561 shtëpi nën ujë, duke bërë që gjendja të jetë ende e rëndë dhe e vështirë për t’u kaluar. Vijon...

19.40 - Përmbytjet, Ruli: Çfarë bëmë nga njëra përmbytje në tjetrën

Më poshtë ndiqni intervistën e plotë

Si është situata më e fundit meqë ju sapo keni ardhur nga zona e përmbytur në veri kryesisht në zonën e Shkodrës?

Do të thoja që sot kemi një situatë më të stabilizuar. Nuk do doja në asnjë mënyrë të avancoja një optimizëm të theksuar e të thoja që kemi dalë nga situata kritike, sepse java që vjen do të ketë përsëri reshje, kemi para dimrin që do të ketë reshje, por dua të them që kemi një stabilizim sa i përket niveleve të rrezikut. Ditët e fundit kemi qenë në një garë të vërtetë kohe me nivelin e ujit, garë ku fitonte ai që rritej më shpejt, niveli i ujit, apo niveli i argjinaturës dhe i pritës nga ana jonë. Shumë herë në këtë garë u ndjemë pothuajse të humbur, uji rritej me shpejt sesa argjinatura që ngrinim ne, sidomos ajo e Torovicës që mbron gjithë Lezhën, Gjadrin etj. Dy ditë më parë, situata atje ishte shumë kritike ndërsa tashmë mund të konsiderohet përfundimisht e stabilizuar.

Ne kemi arritur të sigurojmë një ngritje, me volume pune masive, prej 6000 m3, që janë bërë në harkun e dy tre ditëve, të hedhur në një argjinaturë apo digë që ka një gjatësi gati 1 km dhe që është ngritur mbi një metër në volumet e saj. Përfundimisht, si pasojë edhe e minimizimit të fluksit të reshjeve, të cilat vetvetiu dhanë ndikim dhe në shkarkimet e lumenjve apo të kaskadës së Drinit, neve tashmë kemi një situatë të stabilizuar. Do të thoja që në gjithë Shqipërinë, edhe në Vjosë, ku patëm frontin e dytë në të cilin u ndiemë të kërcënuar tre ditë më parë, për shkak të prurjeve të mëdha nga reshjet në gjithë zonën ujëmbledhëse të Vjosës, arritëm që parmbrëmë të kalojmë rrezikun e daljes së lumit nga shtrati dhe të shmangim përmbytjen e zonave të gjera. Lumi tani është në rënie të nivelit të tij dhe ndodhemi në një situatë disi më të relaksuar, por gjithmonë ajo mbetet shqetësuese.

Në fakt ju kaluat nga Shkodra në Vjosë. Duket sikur ne shqiptarët nuk e kemi fare problem pjesën e Vjosës dhe mendojmë që gjëma është në Shkodër. A parashikohet që kjo situatë që jemi tani të vazhdojë, duke patur parasysh edhe parashikimin e motit, për të cilin besoj se keni informacion të saktë?

Keni të drejtë, Shkodra është zona e parë që përmbytet gjithmonë në Shqipëri, për arsye se Shkodra dhe gjithë ajo që quhet zona e Nënshkodrës me gjithë pellgun ujëmbledhës të basenit të Drinit dhe lumenjve të tjerë është zona më komplekse në Shqipëri dhe në Ballkan, nga pikëpamja hidrike. Madje mund të them që është ndër të paktat zona me këtë kompleksitet hidrik në të gjithë Europën. Ne faktikisht patëm një dinamikë të zhvilluar kryesisht gjatë muajit nëntor, mos harrojmë që kërcënimet e përmbytjes filluan nga data 11 Nëntor, me shkarkimet e mëdha që erdhën nga lumenjtë anësorë Kiri e Gjadri, të cilët derdhen në liqenin e Shkodrës dhe nga shkarkimet që u detyrua të bënte KESH-i në Kaskadën e Drinit, konkretisht në Vaun e Dejës. Faktikisht, në 11 nëntor, megjithëse derdhjet në Bunë arritën nivelin 3000 m3 në sekondë, nuk patëm përmbytje për arsye se një pjesë e madhe e këtij uji u kthye përsëri në liqen, duke rritur nivelin e tij. Pjesa tjetër u shkarkua ne zonën depresive të Drinit, që është zona e Harkut të Bërdicës etj.

Faktikisht, situata erdhi në këtë gjendje sidomos në datë 23 Nëntor ku shkarkimet e mëdhaja që vinin sidomos nga lumenjtë anësorë si Kiri dhe Gjadri, lumenjtë e Cenit dhe te Xetës, por edhe shkarkimet e Vaut të Dejës bënë që derdhjet në Bunë të arrinin në 4000 m3. Pra, duke patur parasysh që Buna ka një kapacitet teorik dhe teknik të ujit që duhet të kalojë nëpër të prej 2200 m3, vetvetiu uji i tepërt nuk kish ku të shkonte, pasi ndërkohë edhe liqeni qe fryrë dhe nuk mund të shërbente më si rezervuar. Ishte kjo dinamikë që shkaktoi fillimin e përmbytjes së zonave përreth. Në 23 nëntor patëm 4000 hektarë të përmbytur, dinamika vazhdoi më pas në datën 30 të nëntorit, që do ta quaja dhe kulmin e përmbytjes. Përvec shkarkimeve të mëdha, reshjeve që vazhdonin të binin dhe që rrisnin shumë më tepër sasinë e ujërave që duhej të shkarkoheshin në zonë, patëm edhe dalje masive në atë zonë që e quajmë Aurelat e Bunës apo të Shirgjit drejt fushës, sidomos në zonat e e Dajcit, Velipojës, zonës së Rrëzë Malit të cilat u përmbytën në mënyrë masive dhe njolla e përmbytjes arriti në 10 000 hektarë (mendojmë që vjet u përmbyten 12 000 hektarë).

Ditët e para të dhjetorit, situata u përkeqësua edhe më shumë, sado që gjatë gjithë kësaj kohe Kaskada e Drinit vetëm ka ndihmuar në lehtësimin e situatës, për arsye se në fund të fundit po të shohim bilancet e kaskadës, ajo ka derdhur më pak ujë se sa ka grumbulluar nga prurjet e Drinit dhe të të gjithë lumenjve anësorë që derdhen në tre liqenet e hidrocentraleve. Në fillim të Dhjetorit ne kemi një nivel të jashtëzakonshëm reshjesh, që kanë arritur deri në 80 mm në ditë. Duhet të kemi parasysh që ne e kemi mesataren vjetore të reshjeve, 1200 mm në vit. Faktikisht vetëm gjatë muajit Nëntor, unë ju kam sjellë edhe një hartë, në Shqipëri janë derdhur rreth 500 mm shi. Në hartë vërehet që për muajin nëntor, Shqipëria përfshihet në zonat e Europës me reshje maksimale, që arrijnë deri në 550-600 mm.

Kjo vetëm për muajin nëntor?

Po, vetëm për muajin nëntor. Në datën 1 dhe 2 dhjetor, përmbytja arriti në sipërfaqen maksimale të saj prej 13500 hektarë, vazhdojmë të kemi derdhje nga lumenjtë anësorë nga Vau i Dejës, madje në momente të caktuara vetëm Vau i Dejës ka derdhur 2900 m3 në sekondë, gjë që ka sjellë zmadhimin e zonës së përmbytur dhe madje shkaktoi edhe një rrezik të mëtejshëm për arsye se uji iu drejtua zonës të Mërtemzës duke shkaktuar dhe mbikalimin dhe çarjen e argjinaturës së Casit. Por më lejoni të theksoj edhe një herë që rreziku më i madh ka qenë ai i dy netëve të fundit, kur uji sulmoi argjinaturën e Torovicës. Argjinatura e Torovicës ndan të gjithë zonën në formë lugine që shkon deri në Fushë Krujë, dhe do të thoja që çarja e kësaj zone do të sillte një katastrofë të dytë, për arsye se gjithë kjo masë uji, me një rrjedhje shumë të fuqishme do t’i drejtohej kësaj zone duke përmbytur të gjithë zonën e Kurbinit, Lezhës, qytetin e Lezhës, nënstacionin e Lezhës. Momenti më kritik ka qenë pikërisht tre net më parë deri në të gdhirë kur me shumë vështirësi, megjithë mobilizimin maksimal, kemi mundur të kontrollojmë situatën e argjinaturës së Torovicës. Po kështu, shumë shqetësuese ka qenë situata në argjinaturën e Adriatikut, e cila mbron zonën e Fushë Kuqes. Mund të them se zona e Fushë Kuqes, përveçse zonë bujqësore, ka një rëndësi të dytë sepse aty janë të gjithë puset e ujit nga të cilët furnizohet Durrësi, Kavaja, dhe një zonë e tërë me gati gjysmë milion banorë. Hyrja e ujit në atë zonë vetvetiu do t’i kish nxjerrë jashtë përdorimi.

Ju bëtë një resume dhe ne vetë jemi dëshmitarë për mënyrën se si kanë punuar në terren, policia dhe ushtria, por edhe pushteti lokal. Kjo duhet përshëndetur. Janë disa gjëra që nuk lidhen shumë me këto ditë, por me atë që bëhet përpara. Kam një pyetje për ju, si ministër i Financave në vitin 1992-1994, si ministër i Ekonomisë në vitin 2005-2009 dhe tani si ministër i Bujqësisë. A ndjeheni fajtor ju personalisht që në këto 20 vjet nuk është bërë qoftë dhe një vepër hidroenergjetike në Shqipëri?

Personalisht, do të shfaqja një modesti të tepruar nëse do të thoja po, mbaj një pjesë të përgjegjësisë dhe të fajësisë, por dua më shumë të shpjegoj qartë cila është situata dhe si ndahen përgjegjësitë. Sistemi ynë i mbrojtjes, sidomos nga përmbytjet, nga erozioni, etj, nuk mund të them që është sistem i përkryer. Eshtë sistem i amortizuar. Investimet e bëra në 20 vjet nuk e kanë përmirësuar. Maksimumi, në disa raste, e kanë mbajtur në nivelin që është, por në disa raste dhe e kanë lënë të përkeqësohet. Për shembull, kemi rastin e mjaft digave të rezervuarve në Shqipëri, pasi nuk janë pak por rreth 600 rezervuare, gjendja e të cilëve është përkeqësuar. Atëherë, Genc Ruli si pjesë e klasës politike të këtyre 20 viteve mund të thotë po, kam përgjegjësi pse nuk i kushtova më shumë vëmendje, në të gjitha harkun e 20 viteve, sepse gjërat që duan 20 vjet nuk mund t’i bësh kurrë dot në 20 muaj, edhe sikur të kesh mundësinë financiare dhe vullnetin e duhur. Por, do të thoja, situata e përmbytjeve sivjet nuk ka aspak në thelb gjendjen e dëmtuar, të parehabilituar apo të amortizuar të sistemit të mbrojtjes në Shkodër, siç ka patur disa interpretime të gabuar – po lë mënjanë ata dashakeqë - në ditët e fundit. Ajo çfarë u dëmtua nga përmbytjet e dimrit të kaluar, u arrit që të rehabilitohet tërësisht këtë vit.

Nga maji deri në tetor, çfarë bëtë z. Ruli?

Unë po them u rehabilituan.

Çfarë u rehabilitua, nuk u bë asnjë gjë. Z. Berisha ka thënë se do të fillojë Buna.

Rehabilitimi i sistemit të mbrojtjes nuk ka qenë Buna. Rehabilitim do të thotë që, digat e Dajçit, argjinaturat e Dajçit, Daragjatit, të Çasit, të Kirit, të Ashtës, kanalet e kullimit, të cilat u dëmtuan rëndë nga përmbytjet e vitit të kaluar, të ktheheshin në gjendjen para përmbytjes. Pra, sistemi të ishte në ato nivele mbrojtës që është projektuar. Idetë e tjera, a do të thellohet Buna apo jo, a do të bëhet një kanal i dytë shkarkues krahas Bunës, apo do të mjaftohemi vetëm me Bunën, a do ta lëmë Drinin të derdhet në Bunë apo do ta çojmë në shtratin e vjetër që e derdh në Drinin e Lezhës, këto janë elementë suplementarë, të cilët do të ndërmerren pas një studimi tërësor për këtë zonë, e cila gjithmonë do të rrezikohet nga përmbytjet dhe asnjëherë nuk do të shpëtojë 100 për qind nga përmbytjet. A kemi mundësi t’i krijojmë marzhe garancie më të larta për t’u mbrojtur, kur vijnë plota të mëdha uji? Atëherë, po mund të diskutonim nëse ishte i nevojshëm thellimi i Bunës. Unë vetë nuk e ndaj dot këtë mendim, sepse thellimi i Bunës do të thotë dhe prishje e të gjithë ekosistemit të liqenit të Shkodrës, që ka të bëjë me Malin e Zi dhe me Shqipërinë. Është diçka që do studiuar. Sa do të thellohet, ku do të thellohet, dhe deri ku? Duke ditur që kemi në kufi Malin e Zi, çfarë do të prekim në atë zonë? Sivjet, Mali i zi është më i predispozuar për arsye se pësoi përmbytja të mëdha që nuk i pati vjet. Pra, edhe Mali i Zi po sheh që nivelet e projektuara që në vitin 1960, dhe të miratuara me marrëveshje mes dy vendeve për të mbajtur në një maksimum 5 metra lartësi mbi nivelin e detit argjinaturat mbrojtëse rrotull Bunës, nuk janë më ata të duhurit për arsye se moti, ndryshimet klimatike, po sjellin plota që më parë parashikoheshin të ndodhnin një herë në 100 vjet, e që sot po ndodhin në një frekuencë shumë më të madhe. Mali i Zi tani tregoi gatishmëri, që të paktën gryka e Berit, pika më kritike e Bunës, të mund të thellohet ose të mund të hapet. Kjo mund të bëhet me anë të një studimi dhe ne studimin e kemi projekt prioritar, me financim të Bankës Botërore për vitin që vjen, për të gjithë basenin e Drinit dhe për mbrojtjen e zonës fundore të tij që është zona e NënShkodrës. Ndërsa ato që them unë janë realizuar, janë hedhur faktikisht rreth 160 milionë lekë për rehabilitime.

Kjo është e vërtetë z. Ruli, nuk e mohon njeri këtë, po pse ka shumë energji të harxhuara vetëm për rehabilitim?

Vjen me pyetjen që ju bëtë, do të kapim kohën e humbur. Atë që nuk është bërë për vite me radhë.

Ju e pranoni këtë gjë, që nuk është bërë?

Them që nuk është bërë. Në vitet 1999-2005, mesatarja e investimeve për mbrojtjen dhe kullimin në zonën e Shkodrës është 35 milionë lekë në vit. Në vitet 2006 e deri më sot është 90 milionë lekë në vit. Shkodra sot është disa herë më e mbrojtur se më parë. Është tjetër problem përmasat me të cilat shfaqen fenomenet natyrorë. Prurjet janë të tilla që nuk kanë ndodhur në Shqipëri për disa dekada me radhë. Vitin e kaluar, ne mendonim se përmbytje, reshje, shkrirje bore si ato nuk do të ndodhnim më në Shqipëri. Por po ju them se periudha tetor-nëntor e vitit 2010, krahasuar me periudhën tetor-nëntor të vitit 2009 ka qenë me shumë më tepër prurje. Po ju marr si shembull prurjet në kaskadën e Drinit, që janë një tregues i madh. Në periudhën tetor të vitit 2010 ato kanë qenë 3.5 herë më të larta se në tetor 2009, ndërsa në nëntor arritën përsëri në të njëjtin nivel, 3.5 herë më të larta. Në fund të nëntorit e deri në ditët e sotme, pra fillim dhjetori, prurjet në Drin janë shtatë herë më të larta se ç’kanë qenë vitin e kaluar. Bëhet fjalë për shtatë herë më shumë ujë në Drin krahasuar me një vit më parë.

Në vitin 2005 është mbyllur Instituti i Veprave Hidroteknike dhe në vitin 1994 Instituti i Veprave Bonifikuese. Një pjesë e inxhinierëve me të cilët jam konsultuar, këtë e quajnë krim që ka si pasojë këtë që po ndodh në Shkodër. E pranoni këtë?

Nuk do të ngutesha ta pranoja. Sigurisht, këto kanë qenë institucione të shkencës së aplikuar që drejtonin gjithë mendimin teknik të asaj kohe. Një pjesë e këtij kuadri ka humbur. Jo se është përzënë nga shteti, jo thjesht sepse këtyre instituteve iu ra rëndësia, por në alternativat e tranzicionit kanë gjetur zgjidhje të tjera, kanë shkuar në sektorin privat apo jashtë Shqipërisë. Ne jemi munduar të ruajmë bërthamën e tyre, sidomos për veprat e mbrojtjes ne kemi një bërthamë shkencore inxhinierike pranë Qendrës së Transferimit të Teknologjive në Fushë Krujë. Kemi një bërthamë të tillë në ministri, në Drejtorinë e Përgjithshme të Menaxhimit të Ujërave. Megjithatë, ndaj të njëjtin mendim me ju që kemi mungesë dhe varfëri, sidomos në inxhinierë hidroteknikë në të gjithë Shqipërinë, jo vetëm në Shkodër e në Tiranë, pranë Bordeve të Kullimit, që kanë zëvendësuar ndërmarrjet e dikurshme të Ujrave dhe të Kullimit. Vazhdojmë të kemi një potencial të pamjaftueshëm njerëzor, sepse edhe tregu nuk ofron sot specialistë dhe inxhinierë të këtyre profesioneve dhe specialiteteve që na duhen në këtë drejtim. Nuk besoj se gjëma është thjesht mbyllja e një instituti, për sa kohë që mendoj se bërthama e punës së atij instituti, teknologjike apo shkencore, është vazhduar të ruhet në emër të institucioneve apo agjencive të tjera. Sigurisht, kjo mund të jetë temë e një debati më i gjerë. Duhet përsëri të jenë institucione më të mëdha dhe më të fuqishme.

Duhet të rindërtohen?

Nuk kam ende bindje për këtë gjë. Jemi në dy vitet e para të një reforme që është bërë nën fushën e kërkimit shkencor, pasi menduam që kërkimi shkencor të shkëputet nga ministritë dhe të kalojë pranë Universiteteve. Ndoshta mund të duhet një bashkëpunim më i mirë mes Universiteteve dhe ministrive.

Debati më i fundit është teknik, për çështjen e buxhetit. A duhet të rishikohet ai?

Buxheti u ripa. Përmbytja pati dhe koinçidencën e keqe, siç është një përmbytje. Po themi se çdo e keqe shoqërohet dhe me të mirën përkatëse, pra që në parlament ishte ende në diskutim projektbuxheti dhe Ministrisë së Bujqësisë, në sajë të sensibilitetit që pati vetë qeveria, në sajë të sensibilitetit që patën komisionet parlamentare dhe deputetët e veçantë në komisione, iu akordua të paktën 1.2 miliardë lekë më shumë, të gjithë në fushën e kullimit dhe të ujitjes. Është një rritje e ndjeshme, është gati dyfishim i fondit të investimeve të parashikuara.

Pra, nuk ka nevojë për rishikim?

Jo, nuk besoj që ka. Për më tepër që, vitin që vjen, në përfitojmë jo më pak se 8 milionë euro nga një fond emergjence që Banka Botërore nisi ta jepte që pas përmbytjes së vjetshme dhe që realizohet sivjet. Ne do të fillojmë dhe studimin e madh që kushton gati 2 milionë euro, të të gjithë zonës së basenit të Drinit dhe zonës së Shkodrës, studim i cili do të nxjerrë se si duhen konceptuar tashmë standardet e mbrojtjes së kësaj zone. Pas kësaj, do të ketë një investim jo më pak se 40-50 milionë euro, që për disa vite radhazi do të përqendrohet në këtë zonë.

Kryetari i PS, z. Rama, ka deklaruar sot se kjo që ndodh në Shkodër dhe më gjerë nuk është vepër e Zotit, por e politikës pa vizion, pa sy dhe programit të qeverisë suaj?

Nuk kam për të thënë asgjë, po ju them që Rama nuk merr vesh nga përmbytjet dhe nga ujërat. Kjo është normale për shumë tema që ai prek.

Z. Rama i ndodhi përmbytja në Tiranë, edhe ai merr vesh...

Pikërisht, i ndodhi sepse nuk merr vesh nga menaxhimi i ujërave, sikundër nuk merr vesh nga shumë probleme të shtetit. Është i njohur fakti që Rama mundohet të politizojë brenda sekondës, pa pritur as orën, çdo fatkeqësi njerëzore apo natyrore, çdo vdekje apo çdo gjëmë, duke e kthyer në një temë politike dhe antimazhorancë. Unë e kuptoj që kudo në botë opozita ka për mision të sulmojë politikisht mazhorancën. Përmasat dhe absurdi me të cilat e sulmon në Shqipëri është ndoshta diçka më e veçantë, e lidhur kjo dhe me stereotipin e Ramës, në kohën kur ai është në krye të socialistëve. Do të thoja që, kam dëgjuar edhe mendimin e ekspertëve të pavarur, të cilët nuk kanë inspirime politike dhe ngjyrime të asnjërës anë, të cilët e njohin ndoshta më mirë se unë situatën hidrike, të cilët e kuptojnë se këto janë vërtet raste të fatkeqësive natyrore, ku është përmbytur gjysma e Europës, është përmbytur Ballkani, duke filluar që nga Serbia, e deri afër Greqisë. Pra, këto nuk kanë të bëjnë me një qeveri demokratike apo të koalicionit që është sot në Tiranë e në Shqipëri, por kanë të bëjnë me një fenomen natyror, i cili po godet fuqishëm tërë kontinentin. Sigurisht do të ishte shumë më pozitive për vetë përpjekjen gjigande që duhet bërë, së pari nga ana morale dhe shpirtërore për ata njerëz që e vuajnë mbi ne të gjithë këtë përmbytje, ata që kanë shtëpitë nën ujë, atyre që u është dëmtuar prona, ata që kalojnë ditët dhe gdhijnë netët në ujë, sikur vërtet dhe zëri i opozitës, zëri i politikanëve të tyre, të ishte një zë që do e ndienin pranë pozitivisht, për t’i dhënë moral dhe ndihmë për ta kaluar këtë situatë. Nuk besoj që iu vlen as për këtë politika, sepse nuk besoj se banorët e NënShkodrës që janë sot të përmbytur ndihen mirë kur Rama thotë që iu mbyti Berisha dhe nuk i përmbyti Perëndia. Nuk besoj se ndihen mirë, në asnjë vend të Shqipërisë, e jo më në atë zonë.

18.15 - Shefi i opozitës: Shqipëria po kthehet në moçal, të ndryshojmë rrënjësisht buxhetin 2011

Duke risjellë në vëmendje Shqipërinë e kohëve të shkuara kur ende nuk ishin ndërtuar rrugët dhe pjesë të ndryshme të saj ishin moçalishte, kryetari i opozitës Edi Rama nga qyteti i Durrësit i ka bërë thirrje qeverisë t’i japë zgjidhje situatës së përmbytjeve pasi është e patolerueshme që Shqipëria të kthehet në një moçal të madh.

“Këtu gjithë Shqipëria po kthehet në moçal. Gjithandej po dalin prapë kënetat. Këtu nuk është çështja e një shtëpie, këtu janë me mijëra dhe me dhjetëra mijëra shtëpi sa në Shkodër, sa këtu në Durrës, sa poshtë në Vlorë e në Fier, sa në Maliq të Korçës, po kthehet prapë Shqipëria në moçal. Kjo është një çështje që duhet ta trajtojë e duhet ta zgjidhi shteti”, tha Rama.

Gjatë vizitave në zonat e përmbytura nga uji në qytetin e Durrësit, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama kërkoi që të rikthehet në kuvend buxheti i vitit 2011, i miratuar të enjten e shkuar, duke theksuar se ky buxhet duhet ndryshuar rrënjësisht për të ndërmarrë një operacion radikal anti-përmbytje dhe për të ndaluar moçalizimin e vendit.

“Shteti nuk mund ta zgjidhë këtë punë në qoftë se qeveria nuk e ndryshon 100% buxhetin për vitin e ardhshëm. Ne duhet të ndryshojmë 100% buxhetin”, tha Rama duke theksuar se ky buxhet duhet t’i përkushtohet investimeve për vënien në punë të të gjitha kanaleve, për të rregulluar shtretërit e lumenjve, që sipas tij janë sakatuar dhe shkatërruar.

Shefi i PS-së, Rama, i cili prej tri ditësh ka dalë në terren në zonat e përmbytura duke u takuar me banorët të cilët janë dëmtuar nga përmbytjet e shtëpive e bizneseve, tha uji në vend se të ishte pasuri e burim zhvillimi sikundër e kanë shumë vende të botës që nuk kanë kaq shumë burime uji, ai është kthyer në një fatkeqësi për Shqipërinë.

“Nuk ka bërë vaki të përmbytet kështu dhe përmbytjet vazhdojnë e vazhdojnë dhe do vazhdojnë të përsëriten gjithmonë e më të mëdha në qoftë se nuk vihet dorë urgjentisht. Ky është moment kulminant. Po kaloi dhe ky moment pa vënë dorë dhe po të vazhdohet me arna sa të kalojmë këtë radhë dhe pastaj shohim radhës tjetër do bëhet e pakontrollueshme”, apeloi Rama.

Gjatë takimit disa banorë i rrëfyen kreut të opozitës për dëmtimet që kanë pësuar që sipas tyre vijnë edhe për shkak se prej 20 vjetësh nuk është vënë dorë në pastrimin e kanaleve.

“Nuk vë njeri dorë. S’kemi lënë zyrë pa trokitur dhe nuk vë njeri dorë. Është e vetmja lagje që nuk është vënë dorë. Mua më ka hyr uji një metër, më është çarë shtëpia komplet. Për të marrë votat vijnë të gjithë me vrap, për gjerat e tjera asnjë”, theksuan banorët e zonave të përmbytura në Durrës.

17.00 - Berisha: Evakuimet do jenë afatgjata, do nisin projektet për Bunën e Skavicën

Tiranë, 6 dhjetor, NOA, Update, - Ndërkohë që shefi i opozitës, Edi Rama në rrugëtimet e tij në Vlorë e në Durrës ka deklaruar se Shqipëria po kthehet rishtas në një moçalishte të madhe, kryeministri Sali Berisha, deklaroi sot në mbledhjen e grupit kuvendor të Partisë Demokratike se evakuimi i banorëve nga zonat e nëshkodrës por edhe nga lagjet e qytetit të Shkodrës, do të jetë afatgjatë, pasi edhe sipërfaqja që gjendet nën ujë është tejet e madhe duke i kaluar të 14 mijë ha tokë.

Përmbytjet, raportim minutë pas minute

“Jam i bindur se edhe tani që flasim, ka familje në qytet, që nuk kanë marrë dot akoma ndoshta atë furnizim që presin dhe meritojnë, por në mënyrë absolutë edhe bërë gjithçka që të mos humbet qoftë edhe një minutë e vetme për të shpërndarë, ujë, bukë dhe ushqime për çdo qytetar, për çdo familje, kudo, është garantuar ndihmë shëndetësore, fatmirësisht deri më tani është përballuar çdo urgjencë kudo që ka lindur e çfarëdo natyre qoftë, është arritur transporti për në spital i tyre me helikopter apo me mjete të tjera”, tha kryeministri, duke vërejtur se situata është e vështirë, sepse kjo përmbytje është parësisht nga liqeni.

“Jua sqarova këtë moment për të theksuar se nuk do të mund të ketë një evakuim afatshkurtër siç do të mund të donim, tha zoti Berisha.

Duke përshëndetur deputetët e tij për përkushtimin në këtë periudhë përmbytjesh të mëdha që nisën me Shkodrën, për të vijuar me Lezhën, Matin, Krujën, Durrësin, Tiranën, Fierin, Vlorën, Elbasanin, Beratin Korçën e Gjirokastrën, kryeministri theksoi se për këto përmbytje të papara kurrë më parë duhet të trajtohen sa më shpejt dhe sa më mirë.

“Epiqendër kryesore e këtyre përmbytjeve të mëdha ndoshta ndër më të mëdhatë, që janë shfaqur ndonjëherë është Shkodra, qyteti i Shkodrës, zona e nën-Shkodrës. Rrethinat në Shkodër janë të përmbytura jo katër mijë hektarë tokë, se këto i përkasin nën –Shkodrës, por dhe qyteti ku janë dhjetëra mijë, shtëpi, lokale etj. Kjo përmbytje ka bërë të domosdoshëm shpërnguljen e mbi 12 mijë banorëve nga shtëpitë e tyre, por nga ana tjetër ka ngujuar në pallatet, apartamentet apo shtypit e tyre dhjetëra mijë të tjerë”, theksoi kryeministri.

Shefi i ekzekutivit tha më tej se për shkak se shteti u ngrit në këmbë për të shpëtuar banorët e përmbytur, më përparësi shpëtimin e jetëve, operacionet e evakuimit bënë të mundur të mos shënohet asnjë jetë e humbur.

Në këtë suazë përmbytjesh kryeministri veçoi si një kërcënim madhor prishjen e argjinaturës në digën e Torovicës, që lidh Shkodrën me Lezhën, për mbrojtjen e të cilës sikundër tha shefi i qeverisë po punohet natë e ditë.

“Me një vetëmohim të jashtëzakonshëm janë mbrojtur stacionet e pompimit, depot e ujësjellësve për qytetin e Shkodrës, por edhe për qytetin e Durrësit, të gjithë zonën që mbulon ujësjellësi i Fushë-Kuqes, pasi dhe aty filloi çarja e argjinaturës, dhe aty është bërë punë e jashtëzakonshme. Në këtë sektor është mbrojtur argjinatura nga çarja dhe përmbytja ndoshta në 7-8 mijë hektarë të tjerë, por më e rënda ishte se përmbytej ujësjellësi. Duke u përpjekur të mbrohen nyjet jetësore është bërë një përpjekje e madhe për të furnizuar me ushqim dhe ujë popullatën”, vlerësoi kryeministri.

Duke e cilësuar Shkodrën nën ujë si gjysmën e sipërfaqes së Venecias në Itali, Berisha tha se “aksioni i shtetit ka qenë jashtëzakonisht i komplikuar dhe duhet të pranojmë se më i komplikuar se kudo ka qenë në qytetin e Shkodrës, ku edhe furnizimi më bukë dhe ujë i këtyre familjeve realizohet vetëm me varka”.

Në këtë kontekst tha kryeministri po bëhen përpjekje të mëdha për shtimin e numrit të varkave.

Duke sjellë në vëmendje shqetësimin e dy javëve më parë për rritjen e liqenit nga burimet e tij të brendshme, Berisha tha se sot përveç 14 mijë hektarë tokë të përmbytura në zonën e nën-Shkodrës dhe rrethinat, liqeni i Shkodrës vetë, pa këto, ka përmasat e dyfishta.

Sipas kryeministrit në të gjithë këtë përmbytje Ballkanike ana më lehtësuese ka qenë situata e digave, të cilat fatmirësisht u mbajtën nën kontroll.

“Dje dhe sot koha ka qenë në favor shkarkimet nga kaskada janë të rendit jo mbytës, po t’i marrim në kushte normale dhe ka një rënie dhe rënia është në zonën e Bërdicës në zonën që ka lidhje me shkarkimet e kaskadës edhe në liqen ka rënie, por rënia në liqen është e papërfillshme, liqeni është shumë lart”, tha Berisha.

Shefi i qeverisë solli në vëmendje edhe përmbytjet në qytetet e tjera në vend për shkak të reshjeve dhe prurjeve nëpër lumenj.

“Kjo është situata, unë dua tu informoj se shkalla e mobilizimit ka qenë e plotë dhe totale nga Komiteti Ndërministror i Emergjencës Civile, u shpall gjendje emergjente në tre qarqe, Shkodër, Lezhë dhe Durrës”, tha kryeministri.

Ai falenderoi sakaq qytetarët e zonave të përmbytura për gjakftohtësinë dhe përkushtimin, që kanë dëshmuar në përballimin e këtyre situatave, si dhe gjithë ata biznesmenë dhe qytetarë, që kanë ofruar me bujari ndihmat për zonat e përmbytura.

Ndërkohë që ende nuk ka një faturë të dëmeve nga përmbytjet, Kryeministri u bëri thirrje qytetarëve shqiptarë të kontribuojnë për të lehtësuar gjithnjë e më shumë dhimbjen dhe tronditjen e madhe që po përjetojnë qytetarët e përmbytur të Shkodrës.

Berisha garantoi qytetarët e Shkodrës, se qeveria krahas ndërhyrjeve imediate ka të gatshme projektet për të nisur ndërhyrjet afatgjata, të cilat janë ndërhyrjet më të kushtueshme të të gjitha kohërave, por ato do të fillohen dhe do të ecet me vendosmëri drejt atyre ndërhyrjeve që bëjnë të mundur zvogëlimin në një shkallë të madhe të përmasave të përmbytjeve.

“Unë nuk mund të them kurrë se ata nuk do të ndodhin më, çfarëdo që ne të bëjmë, por ne do të bëjmë gjithçka që ato të kenë përmasa sa më të vogla të mundshme. Ky është një projekt i madh, ka lidhje me Bunën, me argjinaturat, me Skavicën dhe në ndërhyrje të tjera, por ne do të bëjmë gjithçka të ecim me shpejtësinë më të madhe të mundshme drejt realizimit të këtij kompleksi projektesh. Sikundër garantoj qytetarët e qarqeve të tjera se ndonëse, përqendrimi më i madh është aty ku fatkeqësia natyrore është e përmasave më të mëdha dhe gjigande, por vëmendja e kësaj qeverie është gjithashtu në çdo qoshe të këtij vendi dhe kudo që ka problematikë”, theksoi kryeministri.

16.40 - CEZ u rikthen energjinë 21 mijë konsumatorëve, në veri disa fshatra ende pa energji

Kompania çeke CEZ Shpërndarje ka rikthyer energjinë elektrike për afro 21000 abonentë të shpërndarë në disa zona të vendit.

Në përditësimin e situatës së furnizimit me energji elektrike të konsumatorëve CEZ Shpërndarje informon se është rikthyer energjia në këto zona në rang vendi, si më poshtë:

1. Tiranë: Paskuqan, Babrru dhe Mëzes

2. Durrës: Gjiri i Lalzit, Shkozet dhe Porto Romano, e Sukth

3. Shkodër: Guzi i Zi, Mes dhe Bërdicë

4. Fier: Kallem

5. Vlorë: Selenicë, Kafaraj, Skelë

6. Elbasan: Gjinar

7. Burrel

8. Fushë Krujë

9. Bulqizë: Gollobordë

10. Gjirokaster: Kardhiq

11. Tepelenë: Krahës

Ndërkohë CEZ Shpërndarje nbën me dije se si pasojë e një defekti të OST-së në linjën Fierzë – Fushë Arrëz 110 KË , kjo linjë është stakuar që nga ora 13:30 e ditës së sotme, dhe energjia mendohet të rikthehet rreth orës 15:45 po brenda ditës së sotme.

Përgjatë këtyre dy orëve nënstacionet; Fushë Arrëz, Kalimash, Rexhepaj, Krumë, Pukë, Tuç, Reps, Rubik, Rrëshen dhe Kaçinar, do të jenë ende pa energji elektrike.

Sipas CEZ Shpërndarje këto ndërprerje vijnë si pasojë e problemit në linjën e OST-së.

16.10 - Ambasadori Arvizu i telefonon Berishës: SHBA ju mbështet në përballimin e përmbytjeve

I sapombërritur në Tiranë, ambasadori i ri i SHBA-ve, Aleksandër Arvizu i ka telefonuar sot kryeministrit Sali Berisha duke i shprehur gatishmërinë e SHBA-ve për të ndihmuar në përballimin e emergjencës civile që ka përfshirë kryeqendrën e veriut të vendit, Shkodrën, e cila po përballet për të shtatën ditë me ujin që i ka vënë përfund toka të tëra e shtëpi.

Në faqen zyrtare të qeverisë bëhet e ditur se gjatë komunikimit telefonik, Ambasadori amerikan Arvizu shprehu kënaqësinë për fillimin zyrtar të detyrës dhe se e priste me kënaqësi takimin së afërmi me Kryeministrin Berisha, i cili ditët e fundit ka qenë në terren në krye të komitetit ndërministror të emergjencës civile.

Arvizu ka shprehur mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të ndihmuar në përballimin e situatës së vështirë, që po kalon vendi nga përmbytjet.

Të dy bashkëbiseduesit konfirmuan vullnetin për konsolidimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dhe marrëdhënieve miqësore midis dy vendeve.

Kjo telefonatë vjen dy ditë pasi ambasadori i ri amerikan, Aleksandër Arvizu erdhi në Tiranë, në detyrën e diplomatit amerikan për Shqipërinë.

Pas ndihmës së vendeve të tjera aleate me Shqipërinë në NATO, sot ka ardhur edhe mbështetja e SHBA-ve, në përballimin e situatës së rëndë që po kalon Shkodra, e cila ende është nën ujë, kur dimri sapo ka nisur.

{youtube}fwrXeO6ZNxw{/youtube}

15.50 -Shkodra nën ujë, LRI: Do çojmë vullnetarë për operacionet e emergjencës

Ndërsa zona të tëra në Shkodër vazhdojnë të mbeten nën ujë edhe pse uji është tërhequr disi për shkak të pushimit të reshjeve dhe lagjet në hyrje të Shkodrës janë të pushtuara ende nga uji, Lëvizja Rinore për Integrim ka ngritur sot Shtabin e Vullnetarëve, të cilët do t’i vijnë në ndihmë operacioneve në Shkodrën e përmbytur.

Mbledhja e LRI-së ka përfunduar tashmë dhe lajtmotiv i saj ishte situata e vështirë e përmbytjeve në Shkodër, e cila është ende jashtë përmirësimit.

Në përfundim të mbledhjes LRI vendosi të ngrejë Shtabin e Përgjithshëm të Vullnetarëve, i cili do të drejtohet nga Kryetari i LRI-së së Tiranës, Endrit Braimllari.

Ky shtab do të jetë në funksion të Shtabit të Emergjencave e do të koordinojë për çdo veprim operacional që do të jetë i nevojshëm.

LRI informon se dega e saj në Shkodër prej ditësh operon në terren, dhe tashmë mësohet se shumë shpejt do t’i shtohen vullnetarëve të LRI-së 112 të rinj nga qytetet e tjera.

Një tjetër vendim i marrë në këtë mbledhje lidhet me fillimin e fushatës në mbarë vendin për sensibilizimin dhe ngritjen e fondeve për t'u ardhur në ndihmë familjeve në nevojë.

“Nëse dikush mendon të bëjë politikë me fatkeqësitë e të përfitojë politikisht me to, kjo është diçka tepër e gabuar. Ne mendojmë se nuk është koha për politikë. Është koha për solidaritet njerëzor. Është koha për të qëndruar afër e për të ndihmuar njëri – tjetrin”, tha në një konferencë për shtyp, sekretari për marrëdhëniet me publikun në LRI, Ardit Çela.

Tashmë nën ujë sipas të dhënave zyrtare janë afro 14 mijë ha tokë, 2580 shtëpi janë të gjitha nën ujë.

Përmirësimi i argjinaturës së Torovicës ka bërë që tashmë të jetë jashtë rrezikut për pak kohë që në rast të ardhjes së reshjeve ato të rrezkojnë të zbresin përdrejt Lezhës.

14.45 - Rama në Vlorë dhe Fier: Duhet plan kombëtar anti-përmbytje

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka zhvilluar sot takime me banorët e zonave të Fierit dhe të Vlorës, të cilat rrezikohen nga përmbytjet e lumit Vjosë.

Kreu i PS-së ka theksuar dhe një herë nevojën e një plani radikal për marrjen e masave kundër përmbytjeve në gjithë vendin. Ai u shpreh se në situatën ku gjendemi, vendi rrezikon të kthehet në një moçal, si pasojë e sipërfaqeve të mëdha të përmbytura.

“Shqipëria po rrezikon të moçalizohet prandaj duhet operacion radikal anti-përmbytje. Të gjithë së bashku duhet të ndërhyjmë dhe ne jemi gati të japin votat tona për planin kombëtar anti-përmbytje”, tha kreu i PS-së gjatë takimit me banorët e zonës.

Rama është ndalur në faktin se buxheti i shtetit duhet të ketë një adresim më të mirë në funksion të shmangies së përmbytjeve në të ardhmen.

Në takimin me banorët e zonës, Rama ka sulmuar edhe kryeministrin Sali Berisha, duke e bërë atë përgjegjës për situatën e krijuar. Ai tha se dëmet e përmbytjeve janë edhe më të mëdha për shkak të mos marrjes së masave në kohën e duhur.

14.20 - Ministria e Transporteve: Ja rrugët e bllokuara në gjithë vendin

Situata në rrugët e vendit duket e se është përmirësuar pas problemve që sollën reshjet e shumta gjatë fundjavës. Ministria e Punëve Publike dhe Transportit njofton se ka një përmirësim të gjendjes së akseve rrugore në pjesën Veriore, Qendrore dhe Lindore të vendit.

Megjithatë ende mbeten problematike disa akse në Qarkun e Shkodrës. Ministria e Punëve Publike dhe Transporteve njofton se situata e rrugëve paraqitet si më poshtë:

Segmenti tek Harku u Bërdicës është i kalueshëm.

Hyrja për në Shkodër, për mjetet e vogla dhe të mesme bëhet nga një rrugë sipër kalasë, është vendosur sinjalistika përkatëse që tregon këtë rrugë.

Shkodër deri tek kthesa e Tamarës i kalueshëm.

Kthesa e Tamarës - Dogana Hani i Hotit i bllokuar.

Rruga për Shirokë është e bllokuar.

Aksi Shëngjin - Kunë 1.2 km i bllokuar.

Aksi Milot - Rubik i kalueshëm.

Aksi rrugor Qafë Mali - Fierzë i kalueshëm.

Ura e Fierzës e kalueshme.

Aksi Bajram Curri - Fierzë me një kalim.

Segmenti ura e Bujanit – Fierzë e kalueshme.

Segmenti Bujan - Sopot e kalueshme.

Aksi Kukës - Krumë i kalueshëm.

Aksi Kukës - Shishtavec i kalueshëm.

Akset e në drejtim të Burrelit.

-Nga nyja asfaltit në Ulëz rruga është e kalueshme.

- Nga Ulza deri tek ura Skurajt në vende të ndryshme me një kalim.

-Ura Çerenecit me një kalim.

Aksi rrugor Lushnjë –Fier është bërë i kalueshme për mjetet e larta, trafiku për mjetet e vogla nga aksi i vjetër.

Të gjitha akset e rajonit Korçë të kalueshme për trafikun.

Të gjitha akset e rajonit Gjirokastër të kalueshme për trafikun.

14.00 - Berisha jep rrogen e muajit

Kryeministri Sali Berisha ka shprehur vlerësime maksimale për kontributin dhe punën e bërë nga të gjitha institucionet dhe për solidaritetin e krijuar me banorët e zonave të përmbytura.

Në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së, Berisha u shpreh se ndjehej i prekur nga solidaritetit i shprehur nga qytetarët e gjithë vendit dhe bizneset që kanë dhënë ndihma monetare dhe mjete materiale për të përballimin e situatës.

Ai u shpreh se në shenjë solidaritet do të jap një rrogën e tij mujore për fondin e emergjencës.

“Ndjehem i prekur nga ky solidaritet dhe unë do vendos një rrogë time për tu ardhur në ndihëm qytetarëve. Dhe unë u bëjë thirrje qytetarëve që të solidarizohen për të ndihmuar banorët”, the kreu i qeverisë.

13.25 KMSH, ndihma per permbytjet

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka shprehur gatishmërinë institucionale në shenjë solidariteti e ndihme për banorët e dëmtuar nga përmbytjet e fundit në pjesën më të madhe të vendit e sidomos në zonën e Shkodrës.

Në mbledhjen e saj të fundit, Kryesia e KMSH-së pasi ka analizuar gjendjen e krijuar ka marrë disa vendime për tu ardhur në nidhmë banorëve.

KMSH ka urdhëruar të gjitha myftinitë në vend të angazhohen për mbledhjen e kontributeve në vlera monetare, veshmbathje dhe produkte ushqimore në favor të të dëmtuarve.

“Pas mbledhjes së kontributeve, KMSH siguron se do të angazhojë punonjësit e tij por edhe vullnetarë për shpërndarjen e tyre në zonat e tragjedisë me qëllim që t’u vihet në ndihmë qytetarëve dhe zbutur sadopak situatën e rëndë që ata po përjetojnë”, bëri të ditur sot KMSH-ja në një njoftim për mediat.

Për tu ardhur ndihmë banorëve të zonave të përmbytura KMSH ka hapur edhe këtë numër llogarie: BKT 110000709, IBAN: AL 14 2051 1014 000709 CL TJCL ALLO, ku mund të dërgohen donacione me emërtimin “Kontribute për zonat e përmbytura”.

“Duke shprehur edhe një herë keqardhjen për banorët e dëmtuar, KMSH falënderon në mënyrë të veçantë çdo individ, organizatë apo institucion që ka ndihmuar dhe ndihmon në këtë drejtim, duke kujtuar se çdo kontribut, pavarësisht vlerës, ka si shpërblim kënaqësinë e Zotit dhe mirënjohjen e njerëzve”, thuhet në njoftimin e saj për situatën në Shkodër dhe zonat e përmbytura.

13.15 Berisha flet ne Grupin Parlamentar te PD

Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së së përmbytjet e ditëve të fundit kanë qenë më të mëdhatë që janë parë ndonjë herë në vend.

Ai u shpreh se më e rëndësishmja është që deri më sot nuk ka asnjë jetë të humbur. Ai falënderoi deputetët e PD-së për kontributin që kanë dhënë në gjithë vendin për përballimin e situatës.

“Është bërë çdo gjë e mundur për të mos humbur asnjë jetë të vetme dhe për të shpërndarë ushqime për çdo familje, kudo dhe për të garantuar shërbimin shëndetësor. Është përballuar çdo urgjencë”, tha Berisha.

“Kini bërë të pamundurën ne Shkodër, Fier Vlorë, Gjirokastër, Tropojë dhe kudo në mënyrë që pasojat e këtyre vërshimeve, të papara ndonjë herë me këto përmasa, të trajtohen sa më shpejt dhe më mirë”, tha Berisha para deputete të PD-së.

Ai u shpreh se më e prekura është Shkodra. “Epiqendra kryesore e këtyre përmbytjeve të mëdha, ndofta ndër më të mëdhatë që janë shfaqur ndonjë herë është Shkodra, qyteti, zonat e nën Shkodrës dhe rrethinat. Në Shkodër janë të përmbytur dhjetëra mijë banesa dhe lokale”, tha Berisha.

11.00 - Banoret e Fushe Krujes dalin ne protestë

Banorët e Fushë-Krujës kanë dalë sot në protestë, duke ngritur zërin para autoriteteve vendore mbi dëmshpërblimin që pretendojnë se u takon pas përmbytjeve që pësuan ditët e fundit.

Ata kanë bllokuar rrugën tek ura e Zezë në qendër të qytetit, ndërsa në vendngjarje mësohet se ka qenë dhe prefekti i Durrësit, Alizoti, për të bashkëbiseduar me ta.

Kjo gjë ka ndodhur edhe pse niveli i ujit tashmë ka rënë dhe Fushë-Kruja u cilësua që dy ditë më parë si e dalë jashtë hartës së përmbytjes.

10.35 - KESH flet per shkarkimet

Të dhënat e fundit të raportuara nga Korporata Energjetike Shqiptare lidhur me për situatën në kaskadën e Drinit, tregojnë se në to, niveli i ujit vazhdon të mbetet në kuota të larta.

Kjo, edhe pasi ditën e djeshme pati një ndërprerje të reshjeve dhe situata e përmbytjeve në rang vendi, shënoi një përmirësim të dukshëm të saj.

Sipas të dhënave që KESH komunikoi për mëngjesin e sotëm, në liqenin e Fierzës lartësia e ujit ka arritur 291.6 metra, ndërsa kuota maksimale e saj është në nivelin prej 296 metrash.

Ndërkaq, prurjet në këtë kaskadë raportohet që të jenë në nivelin prej 1100 m3/sek dhe shkarkimet 1091 m3/sek.
Kurse në hidrocentralin e Komanit niveli liqenit ka arritur 169.57 metra, duke iu afruar kuotës maksimale të lejuar, e cila është 175 metra.

Ndërsa prurjet arrijnë në 1330 m3/sek dhe shkarkimet 1371 m3/sek.
Në fund, në hidrocentralin e Vaut të Dejës, raportohet se niveli i ujit është 73.76 metra, ndërsa kuota e lejuar është 76 metra.

Sipas KESH-it, prurjet këtu janë në nivelin prej 1040 m3/sek dhe shkarkimet 1 410 m3/s.

{youtube}tNtjHEdpQ_w{/youtube}

10.00 - Vijne ndihma nga Italia

Një karvan i përbërë prej 5 maunesh, të cilat përmbanin 25 ton mallra ushqimorë, 5 ton veshje dhe pajisje kundër shiut, si edhe 4 ton produkte për higjenën vetjake, kanë mbërritur mëngjesin e sotëm në formë ndihme nga pala italiane.

Siç konfirmohet për agjencinë e Lajmeve NOA nga policia e Portit të Durrësit, këto ndihma kanë mbërritur prej andej, si përgjigje e kërkesës për ndihmë që iu bë autoriteteve italiane, nga ato shqiptare mbi përballimin e emergjencës në qarkun e Shkodrës.

Ndihmat ndërkaq, mësohet se do të marrin rrugën e tyre drejt Shkodrës, për t’u shpërndarë atje.

Nga ana e saj, ambasada italiane ka bërë me dije se këto janë vetëm ndihmat e para.

{youtube}sU-DAvC8VKY{/youtube}

08.00 - Informacionet më të fundit për situatën në vend

Nga komunikim me HC Vau Dejës salla operative, rezulton:

Kuota(niveli) i liqenit është 73.57 m

Prurjet 1590 m3/s, nga të cilat 340 m3/s janë prurje anësore.

Shkarkimet me gjithe agregatet 1659m3/s, 310m3/s me pak se në mëngjes

Nga komunikim me HC Koman salla operative, rezulton:

Kuota(niveli) i liqenit është 169.66 m

Prurjet 1476 m3/s, nga të cilat 476 m3/s janë prurje anësore.

Shkarkimet me gjithe agregatet 1621 m3/s

Nga komunikim me HC Fierze salla operative, rezulton:

Kuota(niveli) i liqenit është 291.54 m

Prurjet 1092 m3/s

Shkarkimet me gjithe agregatet 1092 m3/s

Niveli i ujit ne liqenin e Shkodrës pranë urës së Bunës, në kuotë absolute është 10.08m.

Niveli i ujit i lumit Drin pranë urës së Bahçallekut 09.93m

Hidrovori ne Velipoje po punon me kapacitet te plote me kuote -0.6

Prurjet ne lumin Kir jane 150m3/sek ndersa prurjet e lumit Gjader jene 100m3/sek

2. Situata ne Qarkun Shkoder sipas informacionit te Policise se Shtetit

{youtube}f-t6p9vnq3E{/youtube}

Gjate 24 oreve, forcat e ushtrise, policisë ne bashkëpunim me strukturat e tjera, janë angazhuar ne evakouimin e shtetasve në ndihmë të banorëve në zonat e përmbytura si dhe në sigurimin e rendit e qetësisë në këto zona.

Te gjithe veprimet ne komuna po drejtohen nga ministrat e kabinetit të qeverise te cilet jane te shperndare ne cdo njesi vendore.

Veprimet e policisë, ushtrise jane kryesisht të përqendruara dhe më intensive ne zonat më problematike si në fshatrat e Komunës Dajç, në fshatin Obot të Komunës Ana e Malit, ne fshatin Mali i Jushit të Komunës Bushat, në Komunën Bërdice, në Komunën Velipoje dhe lagjet periferike te qytetit buzë Liqenit të Shkodrës (ne Livadhe).

07.50 - Situata e akseve rrugore problematike:

Në rrethin e Shkodrës:

Rrugët në qytetin e Shkodrës:

Unaza e re nga vendi i quajtur Shkolla “Sallo Halili” Ndocej, deri tek “Bexhisteni”, kalohet vetëm me mjete të larta, pasi në rrugë është rritur niveli i ujit.

Aksi rrugorë nga Pesëkatëshi me urë në Xhabije deri tek Ura e Bunës (Lokali “Freskia”) kalohet vetëm me mjete të larta.

Ura e Bunës ëshë e kalueshme me mjete të larta

Rruga e Shirokës ëshë e pakalueshme nga automjetet.

Rrugët nacionale dhe rrugët lidhëse me komunat:

Aksi rrugorë Shkodër – Tirane tek Harku i Berdices është e pakalueshme dhe drejtimi i lëvizjes është devijuar nga rruga e Gurit të Zi.

Rruga për në Komunën Ana e Malit dhe PKK Muriqan kalohet vetem me mjete të larta.

Aksi rrugorë Shkodër – Bërdicë tek Harku i Berdices është i pakalueshem.

Akset rrugorë Shkodër – Velipojë janë të pakalueshme në të dy krahet.

Rruga për në Komunën Dajç është e pakalueshme.

Aksi rrugorë Shkodër – Kirë – Mali i Shoshit – Komuna Shalë lëvizja kryhet me vështirësi.

Aksi rrugorë Bogë – Thethë është e pakalueshme, (në Qafë Terthorë bllokuar nga bora).

Aksi rrugorë Breg Lumi – Thethë është e bllokuar si pasojë e shëmbjes së rrugës nga reshjet.

Në rrethin M.Madhe:

Aksi rrugor Koplik – Hani i Hotit kalohet me vështirësi tek Hidrovori pasi eshte permbytur.

Aksi rrugorë Tamarë – Vermosh kalohet me vështirësi në Qafë të Bordolecit.

Aksi rrugorë Tamarë – Vukël është i bllokuar nga shëmbja e dheut dhe po punohet për zhbllokimin e kësaj rruge.

Akset e tjera rrugore janë të kalueshme nga automjetet

Në rrethin Pukë:

Aksi rrugorë Fushë Arrëz – Iballë është e bllokuar nga shëmbja e dheut si pasojë e reshjeve të rëna dhe po punohet për zhbllokimin e rrugës.

Aksi rrugorë Fierzë – Tropojë është i bllokuar kalimi tek Ura e Hidrocentralit të Fierzës pasi ka gërryerje pranë urës nga vërshimi i ujit.

Akset e tjera rrugore janë të kalueshme nga automjetet.

Situata lidhur me evakuimet në zonat e përmbytura:

Me problematike aktualisht paraqitet Komuna Dajc, sidomos fshatrat Mushan, Samrish e Grash ku jane kërkesat me te shumta per evakuim

Situata në zonat e përmbytura perkatesisht sipa Komunave dhe lagjeve.

Në lagjet periferike të qytetit

Në Livade (lagjet “Kiras”, “A.Haxhia”, “S.Halili”) ka patur rritje të nivelit të ujit.

Në hyrje të qytetit uji është afruar tek katet e para të pallateve ne lagjen Xhabijej ku jane permbytur katet e para te disa pallateve.

Në lagjet Ajasëm dhe Bahçallek ka patur rritje të nivelit të ujit dhe ka përmbytje të banesave.

Eshte përmbytur pedonalja dhe lokalet tek “Bexhisteni”.

Komuna Ana e Malit

Është përmbytur plotsisht fshati Obot dhe komunikimi behet vetëm me mjete lundruese.

Nga Muriqani per ne Shkoder qarkullohet vetem me automjete te larta

{youtube}cNl3dB1LoqI{/youtube}

Komuna Dajç

Në këtë Komunë vetëm Qëndra e Komunës dhe fshati Mushan nuk janë janë përmbytur, ndersa pjesa tjetër e fshatrave të kësaj Komune janë të përmbytura. Argjinatura ne fshatin Samrish ka pesuar çarje duke shkaktuar rritje te nivelit te ujit ne fshatrat e Komunes Dajc. Komunikimi me kete komune realizohet vetem me mjete lundruese, pasi eshte i rrethuar nga uji dhe rruget jane te permbytura.

Komuna Berdice

Në kete komune jane permbytur pothuaj plotesisht fshatrat Trush i Poshtem e Berdice, komunikimi realizohet vetem me mjete lundruese. Komunikimi me qendren e Komunes mund te realizohet vetem nepermjet rruges se fshatit Beltoje pasi rruga tek Harku i Berdices eshte e bllokuar.

Komuna Bushat

Në fshatin Ashtë uji i lumit Drin eshte afruar disa metra larg banesave te fshatit dhe po gërryen bregun e lumit duke rrezikuar banesat. Fshati Hoten eshte permbytur plotesisht. Komunikimi me fshatrat Mali Jushit, Hoten dhe Trush i Poshtem realizohet me mjete lundruese.

Komuna Guri i Zi

Ne kete Komune eshte permbytur plotesisht fshati Kuc dhe disa banesa te fshatrave Rrenc e Vukatane. Komunikimi me fshatin Kuc mund te realizohet vetem me mjete lundruese.

Komuna Velipojë

Ka kaluar uji siper argjinatures se fshatit Ças dhe po shkaton permbytje. Hidrovori i Çasit nuk punon.

Hidrovori ne Vilu eshte vene ne funksionim. Komunuikimi me kete Komune realizohet vetem me mjete lundruese pasi te dy rrugekalimet ae lidhin kete Komune me Shkodren jane te bblokuara nga uji.

Veprime te tjera te kryera nga policia te diktuara nga situata

Jane mbuluar me efektiva policie te gjitha zonat e permbutura te cilet jane atashuar prane Komunave dhe ne fshatrat problematike me sherbim 24 – ore pe nderprerje. Po keshtu te gjitha akset rrugore problematike qe jane te permbytura mbulohen rregullish 24-ore me sherbime policie duke mos lejuar kalimin e automjetev me qellim qe ato te mos rrezikohen. Krahas efektivave të angazhuara me shërbime në zonat e permbytura, me qëllim sigurimin e rendit e qetesise publike dhe parandalimin e goditjen e kriminalitetit, në Rrethin e Shkodrës jane shtuar e dubluar sherbimet e policisë në gjithë teritorin që gjendet brënda juridiksionit te ketij Rrethi sidomos në mbikqyrjen e argjinaturave.

4. Veprimtaria e KNE, KECQ

Në oren 17.30 te ditës se djeshme eshte organizuar mbledhja e KNE nën drejtimin e Zvkryeministrit, ku morreën pjese të gjithë anetaret e Komitetit. Ne kete takim u analizua veprimtaria e te gjitha strukuturave ne kuadrin e evakuim shpetimit te banoreve ne zonat e permbytura, dergimin e ndihmave ushqimore dhe mjekesore. Si pasoje e kushteve ttë mira atmosferike eshte bere e mundur te dergohen ndihma ushqimore në të gjitha zonat e izoluara nga uji. Ndjekja nga afër e situatës nga të gjithë anëtarët e KNE-së njëkohësisht dhe anëtarë të kabinetit qeveritar ka mundësuar mbarëvajtjen më të mirë të mundshme të të gjitha operacioneve, por edhe planifikimin sa më real të nevojave të popullatës si për ushqim dhe mallra ndihmës dhe koncentrate për gjënë e gjallë. Gjithashtu janë marrë masat për rimbushjen e karteve të celularëve për të gjithë banorët e izoluar, në mënyrë që mos ndërpritet për asnjë çast mundësia e tyre për të komunikuar me autoritetet vendore dhe me të afërmit e tyre.

5.Veprimtaria e strukturave te DSHP dhe Spitaleve.

Eshtë instaluar shërbimi 24 oresh në te gjithe komunat e permbytura dhe nuk kemi deri tani rritje te semundshmerise

Komuna Dajç:

Qendra shendetesore e permbytur.

Eshte bere transportimi i nje burri me dhimbje gjoksi me helikopter dhe me pas eshte bere shoqerimi i tij ne spitalin rajonal i Shkodres

Komuna Ana e Malit

Eshte bere nje transport familje me 5 pjestare te helmuar nga gazi te cilet jane derguar ne spitalin rajonal te Shkodres dhe akrualisht jane jashte rrezikut per jeten,gjithashtu eshte bere transporti e nje gruaje nje grua shtatezene e cili solli femijen e saj ne jete ne maternitetin e Shkodres.

Komuna Gur i Zi:

Ambulanca e fshatit Kuç eshte e permbytur nga uji,

Komuna Berdice

Qendra shendetesore Trush eshte e permbytur

Jane të paisura me të gjitha medikamentet e emergjencës,

Shërbimi kryhet në qendrën shendetesore Bërdicë e Mesme

Komuna Velipoje

Qendra shendetesore pa probleme

Eshte bere transportimi i nje gruaje shtatezene 3 muajsh. Transportimi eshte bere ne kohe dhe gruaja eshte shoqeruar ne maternitetin e Shkodres me autoambulancat e spitalit.

Komuna Bushatit

Qendra shendetesore e permbytur Mali i Jushit

Jane bere tre transferime nga ku nje femije 2 muajsh me probleme kongenitale me bronchopneumoni, nje femije 13 vjec autist i axhituar,dhe nje burre 64 vjec me insult cerebral.Transporti eshte bere me autoambulancen e qendres shendetesore.

Te gjitha lagjet e qytetit buze liqenit te Shkodres dhe buze lumit Drin jane te permbytura, situata shendetesore eshte nen kontroll.

Persa i perket masave te marra per pritjen e popullates se evakuar ju veme ne dijeni se:

Funksionojne te gjitha qendrat e pritjes.

Eshte futur tashme ne eficence sherbimi shendetesor prane ketyre qendrave sipas grafikut te parapergatitur.

Konvikti Safet Spahiu mbulohet me shebimi shendetesor nga stafe shendetesor i QSH nr 2, sipas nje grafiku te paracaktuar.

Konvikti Industriale- Eshte bere furnizimi me uje te pijshem dhe uje per larje.Ne kete konvikti mbulohet me sherbim shendetesor nga stafe shendetesor i QSH nr 3, sipas nje grafiku te paracaktuar.

Konvikti Pyjore mbulohet me sherbim shendetesor nga stafe shendetesor i QSH nr, sipas nje grafiku te paracaktuar.

Konvikti i Universitetit « Luigj Gurakuqi Sherbimi mbulohet 24 ore nga qendra shendetesore Nr

Situata eshte nen kontroll, pa semundshmeri te rritur. Te gjitha qendrat shendetesore pa perjashtim jane te pajisura me me medikamenteve te urgjences te nevojshme per perballimin e situates

Situata shendetesore e anëtarëve të komunitetit Romeve te strehuar prane Repartit ushtarak Rrence eshte nen kontroll.

6.Veprimtaria e Drejtorive të Rrugëve Rajonale dhe Rurale.

U morën masat e duhura nga drejtoria e rrugëve rajonale dhe DPQ për vendosjen e shenjave të identifikimit të kufizuesve të akseve të rrugëve të Dajcit, Velipojës.

Është punuar nga Drejtoria Rajonale ne zhbllokimin e aksit F.Arrez-Reps-Gjegjan si dhe ne bashkëpunim me ushtrine eshte punuar rampa tek Ura e Bunes rreth 40m si dhe jane bere punime ne argjinaturen e Gjolulit si mbushja me qakull, sistemim, ngjeshje.

Kane ardhur prane kësaj drejtorie ne dispozicion te KECQ rreth 14 mjete vetëshkarkuese per ti përdorur per ndërhyrje ne zonat e permbytura.

Sot po punohet nga kjo drejtori per pastrimin e Ures se Bunes nga grumbullimi i mbeturinave

7.Veprimtaria e Ujësjellësve Fshat dhe Qytet.

Situat ka nje permiresim nga dita e djeshme pasi niveli ujit k rene ne 20 cm, po punohet pe largimin e ujit e ane te disa pompave.

Ne pikat ku jane akomoduar te evakuarit jane vnosur depozita uji te cilat mund te perdoren ne rste nevoje. Te gjitha pus shpimet (11) jane te permbytura.

Qyteti furnizohet me uje nga stacioni I ri I pompimit si dhe nga depot e ujit qe ndodhen ne kodrat e Tepes ku kapaciteti I kater dhomave eshte 8000 m3 pra nga 2000m3 secila, uji eshte I klorinuar. Në rrjetin e ujësjellesit ne qytet nga 23 pikat e marrjes se mostrave jane marre 19 pika si rrjedhoje e permbytjes se qytetit. Klorinimi rezulton brenda normave ne te gjitha pikat e marrjes se mostrave.

Nga strukturat e ujesjellësit fshat eshte punuar ne vendosjen e thasëvë me rërë dhe garantimin e stacionit te pompave nga përmbytjet.

8.Veprimtaria e strukturave të CEZ, OST.

Ka qene pjese e ketij shtabi duke kontribuar maksimalisht ne furnizimin me energji elektrike ne te gjithe zonen e Shkodres. Perparesi ne furnizim i eshte dhene zonave te permbytura, duke mbajtur sherbime 24 oreshe ne grupet e gatishmerise ne qytet dhe ne zonat e permbytura. Strukurat e CEZ SHPERNDARJE SHKODER mbajne kontakte te vazhdueshme me shtabin e emergjences per eleminimin e defekteve dhe rrezikut qe paraqitet ne kabinat dhe linjat elektrike te TM e TU. Jane marre masat e duhura per furnizimin me energji elektrike, ndersa ne komunat me te rrezikuar jane bere stakimet e furnizimit me energji.

9. Bordi i Kullimit

Pasi u dërgua me helikopter eskavatoristi u punua gjate gjithe nates dhe carja e konstatuar ne argjinaturen e Baksit u riparua. Rezervuari Shtodrit gjendet ne gjendje normale me sasi uji te kontrolluar 7.5 mln qe eshte brenda rregullave teknike. Hidrovori Çasit nuk funksionon sepse eshte teresisht i permbytur. Po punohet në argjinaturen e Reçit për mbilartesimin mbi 70 cm pasi momentalisht ajo gjendet në gjendje kritike. Vazhdon puna ne argjinaturen e Torovicës. Rrezikohet të pësohet çarje e argjinatures në Baks ndaj po punohet me ritme të shpejta për eliminimin e pasojave që mund të shkaktojë demëimi i kësaj argjinature.

10.Veprimtaria e strukturave të Drejtorise së Bujqësisë, Mbrojtjes së Konsumatorit, sipas statistikave te meposhteme;

Jane demtuar 14 gjelle, 52 te imta, 19 derra, 7 njethundrake, 2980 shpend, 125 blete

16. Kontributet nga shoqatat, OJF, bizneset. etj.

Kryqi i Kuq Shqiptar ka shpërndarë deri tani ushqime për 110 familje në fshatin Obot dhe 360 familje të komunitetit rom, të akomoduar në repartin e Rrencit. Jane asistuar rreth 60 fëmijeë me kite higjenike që janë te dislokuar në konviktin Safet Spahia.

Ka marrë furnizim dhe ka aktualisht ne gjendje ne magazinat e tyre rreth 10000 batanije, 400 kite higjenike dhe 300 batanije per t’i shperndarë në zonat e përmbytura.

Edhe organizata Sakravita ka shprehur gadishmërinë për të kontribuar në komunat e përmbytura.

06.55 - Meta flet per situaten

Gjatë ditës së djeshme është kryer një volum i jashtëzakonshëm, si në drejtim të vijimit të procesit të evakuimit, ashtu edhe të furnizimit në banorëve në zonat e përmbytura dhe të izoluara me ushqime, me ujë.

Një fakt të tillë e ka bërë me dije vetë ministri i Energjetikës, ilir, Meta, i cili përmendi madje edhe rastin ku është ndërhyrë për të transportuar në komunën e Velipojës një grua shtatzënë, gjë që tashmë është realizuar dhe nuk ka asnjë rrezik.

“Shërbimet shëndetësore pranë këtyre komuniteteve kanë funksionuar në mënyrë të vazhdueshme dhe pa ndërprerje. Është e rëndësishme të theksojmë se me vënien në përdorim edhe të helikopterëve që kanë ardhur nga Turqia dhe Greqia, me kapacitete transportuese më të larta, është bërë një punë e ndjeshme për të nisur një furnizim më afatgjatë për banorët”, tha ai.

Duke shtuar se në këtë drejtim është siguruar edhe një komunikim i vazhdueshëm me të gjithë drejtuesit e komunave dhe me kryepleqtë e fshatrave për një administrim sa më të mirë të të gjithë nevojave më jetike.

“Njëkohësisht, ka ecur shumë mirë edhe fillimi i furnizimit me koncentrat për bagëtitë që janë të izoluara dhe ushqimi i tyre është dëmtuar për shkak të përmbytjeve, nga Drejtoria e Bujqësisë së rrethit të Shkodrës.

Ajo që është më e rëndësishme, do të theksoja punën që është bërë për të mbrojtur argjinaturat, sidomos atë të Reçit, në komunën e Velipojës. Një punë e jashtëzakonshme është bërë dhe vazhdon të bëhet për të siguruar argjinaturën në Torovicë.

Në tërësi i gjithë ky operacion humanitar vjen duke u perfeksionuar dhe në këtë drejtim Shtabi i Emergjencës, edhe në mbledhjen e sotme, diskutoi në vijimësi jo vetëm për ditën e nesërme, por për të gjithë procesin, me të cilin po ndeshet komuniteti, Shtabi i Emergjencës dhe të gjithë të deleguarit sipas komunave.

Një punë shumë e mirë dhe e organizuar është bërë në qytetin e Shkodrës, ku është bërë një operacion masiv për furnizimin e popullatës në pjesën e qytetit që është e përmbytur dhe e izoluar”, përfundoi Meta lidhur me një fakt të tillë.

07.05 - Parashikimi i motit për sotnga NOA dhe Meteoalb, java nis me mot të kthjellët e diell në gjithë vendin

Dita e hënë ka nisur me mot te kthjellet ne te gjithë territorin shqiptar por temperaturat do te mbeten te ulëta sidomos ne mëngjes.

Ne mesdite do te kemi kalime vranësirash neper territor, ku me te dukshme do te jene ne zonat veriore dhe jugore.

Më poshtë ndiqni parashikimin e detajuar të motit dhe temperaturat për Shqipërinë dhe Evropën, ofruar nga Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA dhe Shërbimi Metereologjik MeteoAlb:

Shqipëria

Pjesa e dyte e ditës do të vijoje me kthjellime ne bregdet dhe ultësirën perëndimore ndërsa pjesa tjetër e vendit do te mbetet me vranësira te lehta.

Mbrëmja dhe nata do te ketë kalime te vranësirave ne te gjithë vendin ndërsa ne mëngjesin pasardhës kthjellimet ri-kthehen serish ne vend.

Temperaturat e ajrit do te qëndrojnë konstante ne vlerat minimale por vlerat maksimale do te rriten lehte ne te gjithë vendin.

Era do të fryjë mesatare me shpejtësi 30 km/h dhe drejtim veriperëndimor - perëndimor ndërsa dallgëzimi ne det te arrijë 3 balle.

Europa

Evropa Qendrore dhe Jugperëndimore do te vijojnë te jene me reshje shiu dhe dëbore. Situata do te mbetet problematike ne France dhe Spanje pasi reshjet e dendura te dëborës do te shoqërohen me një tjetër ulje te temperaturave.

Një qendër me presion te ulet atmosferik do te zhvendoset drejt verilindjes se Evropës duke gjeneruar reshje te dendura te dëborës te shoqëruar me stuhi te forta ere.

Me reshje te dendura dëbore do te jene Alpet e Evropës si edhe veriu i Italisë.

Ndërsa e gjithë pjesa tjetër e kontinentit Evropian do te dominohet nga moti i kthjellet dhe temperatura te ulëta.

Ngjarje ekstreme në Evropë:

Italia Veriore alarmon për ere te forte dhe dëbore te dendur;

Alpet do te mbetet me reshje dëbore dhe stuhi te forta ere;

Franca dhe Spanja alarmon reshje dëbore dhe stuhi ere;

Ishujt Britanike do te mbeten me reshje shiu dhe dëbore.

{youtube}sU-DAvC8VKY{/youtube}

00.05 - Ulet niveli i ujit, tashmë e kalueshme rruga Vlorë-Selenicë

Si pasojë e uljes së nivelit të ujit në rrugë, është tashmë prej mëse një ore e kalueshme rruga Vlorë-Selenicë.

Ministria e Punëve Publike dhe Transportit njofton se prej orës 16:20 aksi Vlorë-Selenicë, është tashmë i kalueshëm për makinat.Rruga Vlorë-Selenicë ishte bllokuar pasi në vendin Bishti i Malit, lumi Vjosë kishte dalë nga shtrati mbrëmjen e shkuar si pasojë e tejfryrjes nga reshjet duke bërë të pamundur kalimin e automjeteve në këtë zonë.

Më herët u hap edhe rruga berat-Poliçan mesditën e sotme, e cila ishte bllokuar si pasojë e shkarjes së skarpatës mbi rrugë.

Kjo rrugë u zhbllokua në një kohë të shpejtë nga punonjësit e mirëmbajtjes së rrugëve, pasi ajo është e vetmja rrugë që lidh Skraparin me Beratin e pjesën tjetër të vendit.

00.10 - Në mungesë të reshjeve, Shkodra është kthyer tashmë në liqen

Edhe pse moti u tregua i mëshirshëm, duke mos sjellë reshje përgjatë ditës së gjashtë të përmbytjeve në Shkodër, ende situata në këtë qytet dhe zonat rreth tij është tejet e vështirë, pasi niveli i ujit është i lartë duke e kthyer tërë zonën e nënshkodrës në një liqen të vërtetë.

Deri më tani janë evakuuar nga banesat e tyre, plot 11 023 banorë, ndër të cilët 400 i përkasin komunitetit rom, që tashmë kanë mbetur më të varfër se kurrë.

Të pushtuara nga uji janë 13 950 ha tokë, janë përmbytur 2561 shtëpi, të kanosura nga uji janë 4597 shtëpi, ndërkohë nga zonat e përmbytura janë evakuuar 2623 familje me plot 11023 persona.

Tashmë nëpër rrugët e zonat e Shkodrës, fshatrat Dajç, Obot, Bushat, Ana e malit por, edhe në lagjet Xhabije, Tophanë, Livadë, në Shkodër niveli i ujit si rezultat i shkarkimeve në kaskadën e lumit Drin dhe në HEC-in e Vaut të Dejës kalimi nëpër Shkodër bëhet vetëm me varka, pasi zonat e saj janë kthyer në liqen.

Edhe pse autoritetet e larta të vendit të cilat gjenden prej disa ditësh në terren në zonat e përmbytura, thirrjes për evakuim nuk i janë përgjigjur shumë banorë të fshatrave Obot e Dajç, të cilët nuk duan të lënë banesat e tyre, nga frika e grabitjes.

Edhe gjatë ditës së sotme Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka inspektuar përmbytjet në Shkodër.

Ajo theksoi gjatë një prononcimi për mediat se tërë shteti është në këmbë dhe se po merren masa të jashtëzakonshme, edhe nga ushtria për shpëtimin e banorëve nga zonat e përmbytura.

Sot ishte në Shkodër, pranë urës së Torovicës edhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili e cilësoi ndërhyrjen për mbrojtjen e argjinaturës së Torovicës si të vonuar.

Rama bëri thirrje që të rishikohet buxheti për vitin 2011 dhe të përllogariten brenda tij edhe investimet për të forcuar argjinaturën e Torovicës.

{youtube}0fIw21Rjcqw{/youtube}

KOMENTE