English

Shkodra e përmbytur dhe lexuesi Olldashi

Në vend të një reagimi

Nga Fatmir Toçi

Në dy raste të njëpasnjëshme, ministri i ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi është shfaqur në disa kanale televizive tejet i shqetësuar për vizitën e një grupi deputetësh të Partisë Socialiste në qytetet e Lezhës e të Shkodrës, të cilët fare natyrshëm, jo vetëm si deputetë, por edhe si shtetas të zakonshëm të këtij vendi, donin të shihnin nga afër se ç’po ndodh me banorët fatkeq të kësaj treve në mënyrë periodike, dhe se çfarë mund të bëhet për minimizimin e pasojave të fatkeqësisë, si dhe sensibilizimin e të gjithë shqiptarëve (dhe jo vetëm të shtetit dhe të strukturave shtetërore) për të ndihmuar njerëzit në nevojë të kësaj zone.

Ka qenë fare e natyrshme pas kësaj vizite, një prononcim për median e interesuar që të dëgjonte edhe zërin e një përfaqësuesi të opozitës për atë që po ndodh në Shkodër. Por edhe pse prononcimi ka qenë tejet informativ, mjaft i rezervuar për kritika e akuza ndaj qeverisë dhe mjaft i ndjeshëm për gjendjen fizike dhe shpirtërore të njerëzve në kufijtë e dëshpërimit, duket që z. Olldashi i ka djegur ca si shumë dhe ka nxituar në disa media për të “zbuluar” shkakun e vërtetë të udhëtimit tim drejt Shkodrës, që (sipas tij) ishte kontakti me libraritë e Shkodrës për të mbledhur lekët e librave të shitur.

Në fakt, Shtëpia Botuese që unë drejtoja para se të mandatohesha si deputet në Kuvendin e Shqipërisë, nuk ka hapur akoma një librari të sajën në qytetin e Shkodrës, siç ka bërë në disa qytete të tjera të Shqipërisë, edhe pse kjo ambicie është akoma në programet e saj. Por këtë nuk ka si ta dijë z. Olldashi, pasi nuk bën pjesë në njerëzit afër librit, dhe kjo vihet re lehtë nga kultura e dialogut dhe komunikimit, të cilën e demonstron vend e pa vend, në konferenca shtypi, studio debatesh, prononcime, por edhe në Kuvendin e Shqipërisë ku kërkon të bëjë protagonistin, veçanërisht kur ndodhet në sallë shefi i tij shpirtëror.

Gjithsesi, më erdhi mirë që z. Olldashi e paska mësuar që jam shumë i lidhur me librin. Libri dhe libraritë janë shtëpia ime e përhershme, vendi ku ndihem më mirë, pasi kam mbi 20 vjet që punoj në këtë sektor. Pa dyshim që vajtja ime në Shkodër nuk do t’i linte pa vizituar edhe disa prej librarive të këtij qyteti, për të parë fatin e tyre pas vërshimit të ujërave. Por z. Olldashi ka harruar një hollësi të rëndësishme, që ma hoqi mua mundësinë për t’i vizituar këto librari: ashtu si pjesën më të madhe të qytetit të Shkodrës, si pjesën më të madhe të njësive tregtare dhe bizneseve të të gjitha llojeve, edhe libraritë ishin të përmbytura nga uji. Dhe nuk kishte se ç’të shikoje në këto librari, edhe pse për të shkuar deri aty duhej patjetër të pajtoje një varkëtar, e jo nga ata të ushtrisë sepse ata ishin pak, vetëm 23 vetë për 14.000 hektarë të përmbytur, por nga ata që kanë gjetur një punësim të ri, në atë të gondolierit, si në Venecien e famshme.

Z. Olldashi, dhe jo vetëm atij nga klani që e kanë zënë rob Shqipërinë, i bën përshtypje që deputetët e opozitës ndodhen pranë njerëzve në nevojë në një zonë si Shkodra, të cilën akoma e kujtojnë si një bastion të tyre, dhe mendojnë se me mashtrime e demagogji mund të luajnë akoma me ndjenjat e tyre. Harron z. Olldashi se Shkodra ka zgjedhur 5 përfaqësues të PS në Kuvendin e Shqipërisë, nga 11 deputetë që ka i gjithë Qarku i kësaj zone. Një shifër që ka ardhur vazhdimisht në rritje, pikërisht prej mashtrimit, mosvëmendjes dhe papërgjegjshmërisë ndaj problemeve jetike të popullsisë së kësaj treve. Dhe kaq e dukshme është kjo papërgjegjshmëri, sa edhe kur Shkodra zhytej çdo ditë e më tepër në ujë, kryeministri i këtij vendi në mbledhjen mediatike të qeverisë ishte më shumë i shqetësuar për mungesën e flamujve në rrugët e Tiranës me rastin e përvjetorit të pavarësisë, se sa për shkodranët që kishin filluar luftën për mbijetesë nga përmbytjet; edhe kur nga zonat e rrethuara nga uji erdhi lajmi i zi për një fëmijë që nuk mundi t’i kalojë 3 muajt, kryeministri i këtij vendi, duke anatemuar me fjalor rrugësh kreun e opozitës, përcaktonte masat se si duhet të jetë në të ardhmen protokolli i festave zyrtare edhe për pushtetin vendor. Nga të paktat gjëra që i ka mbetur pa u bërë “në kujdesin e tij të veçantë” (!)

Shakaja, si gjithmonë, e shplarë e z. Olldashi më bëri t’i kujtoj atij dhe qeverisë në të cilën bën pjesë se përmbytja e përsëritur në Shkodër është një pasojë, dhe pasoja gjithmonë e ka një shkak. Dhe për shkakun tashmë janë bindur të gjithë shqiptarët, në mënyrë të veçantë shkodranët, në fytyrat e të cilëve këto ditë sheh vetëm trishtim, frikë e pasiguri për të ardhmen. Mjafton të hapësh televizionin në çdo kanal që të shkon dora, apo të shfletosh gazetat kryesore të ditës. (Pa dyshim këtu bën përjashtim zëdhënësi qeveritar i RTSH-së dhe ndonjë kanal tjetër që thith të gjitha “reklamat” qeveritare). Dhe nuk e kemi fjalën për komentet e gazetarëve në studio apo të dërguar në terren, por për zërin e dëshpëruar të njerëzve që detyrohen të largohen nga shtëpitë e tyre, duke lënë pas mundin e djersën e një jete, pronat dhe gjënë e gjallë, vetë shpresën për të ardhmen.

Z. Olldashi, ajo që po ndodh sot në Shkodër është një krim. Së pari, krimi është ekonomik, për vetë dëmet që ka shkaktuar dhe faturën në rritje që po i kushton ekonomisë së mjerë shqiptare. Por ju sot, duke na kujtuar libraritë, na kujtuat se krimi është edhe kulturor, edhe psikologjik e shpirtëror. Dhe bashkë me rrezikun që u kanoset çdo çast mijëra njerëzve krimi merr përmasa humanitare.

Z. Olldashi, ju i keni kthyer në show mediatik vajtjet e ardhjet në Shkodër, me mjetet e shpenzimet e shtetit, jo si ne të opozitës që gjendemi gjithmonë pranë njerëzve me shpenzimet tona. Madje edhe kur na sakatohen edhe ato pak të ardhura që marrim nga puna jonë në Kuvend. Dhe kjo nën kujdesin e veçantë të znj. Jozefinë. Është vendi t’ju bëjmë me dije se edhe mbledhjet e kabinetit që i keni transferuar në Shkodër janë bërë burim humori e barcoletash ndër shkodranët, që nuk ta përtojnë, edhe pse fati i zi, me një qeveri si kjo e juaja, u ka rënë mbi krye. Ta kalosh ditën kafeneve e mejhaneve në pjesën e thatë të Shkodrës, aty, rreth e rreth bashkisë e prefekturës ku thuren veçse intriga e vritet koha me përgojime, të dalësh para kamerave çdo dy orë duke u marrë më shumë me “opozitën që shkaktoi katastrofën”, ky është kontributi juaj për zgjidhjen e situatës në Shkodër.

Dhe padyshim që në kafene e në mejhane do ta kalonit ditën, sepse derën e librarive ju nuk keni si ta dini. Do të ishte lajm nëse ju do të hynit në ndonjë librari në këto ditë të zymta në Shkodër. Madje, nëse do të ndodhte, atë ditë mediat nuk do të merreshin me përmbytjet, por me lajmin e padëgjuar deri më sot se z. Olldashi është parë të hyjë në një librari.

KOMENTE