English

Isa Mustafa: Dialogun e drejton fituesi i votimeve

Prishtinë, 8 dhjetor, NOA- Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i ka deklaruar BBC-së bisedimet me Serbinë, për çështjet e interesit të përbashkët, nuk janë çështje vetëm e një individi por e qeverisë dhe Parlamentit të ardhshëm të Kosovës dhe e një bashkëpunimi i të gjitha subjekteve politike në vend.

Ai tha se bisedimet duhet të udhëhiqen nga fituesi i zgjedhjeve të 12 Dhjetorit dhe nuk e fshehu synimin që LDK-ja, të cilën e drejton, të fitojë zgjedhjet.

Sipas tij bisedimet do të zhvillohen vetëm për çështje teknike dhe jo për statusin e Kosovës dhe tërësinë tokësore të saj.

Z. Mustafa, na jepni një vlerësim për fushatën zgjedhore në Kosovë pak ditë përpara ditës së zgjedhjeve?

Mendoj se, në përgjithësi, fushata po shkon mirë.

Ne po e prezantojmë programin tonë në takimet që kemi me elektoratin tonë dhe komunitetin në tërësi. Është një pranim shumë i mirë dhe një interesim shumë më i madh se sa që ka qenë edhe në zgjedhjet lokale por edhe në zgjedhjet e kaluara.

Natyrisht se kemi edhe një qasje kritike ndaj asaj çfarë ka ndodhur gjatë kësaj qeverisjeje tre vjeçare; cilat premtime janë përmbushur dhe cilat kanë mbetur pa u përmbushur dhe a mund t’i besohet një qeverisjeje të tillë edhe në të ardhmen që t’i përmbushë ato premtime që nuk ka arritur t’i përmbushë.

Unë konsideroj së është një fushatë mjaft tolerante dhe sigurisht që ka edhe qasje kritike për probleme të ndryshme por shpresoj se nëse kështu vazhdon deri në fund ne do të arrijmë që ta përfundojmë me sukses fushatën dhe mbetet vetëm ta pranojmë rezultatin I cili do të jepet si verdict i qytetarit.

Keni kërkuar kohë më parë që të shtohet numri i vëzhguesve në qendrat e votimit. Pse gjithë ky shqetësim juaji për ditën e zgjedhjeve?

Shqetësimi ka qenë që nga fillimi sepse zgjedhjet janë të parakohshme, mundësia për përgatitje të mira sigurisht se nuk ka qenë e mjaftueshme.

Në një moment të tillë nuk kemi një prani të subjekteve të tjera politike në qeverisjen e Kosovës dhe me Kosovën qeveris vetëm një parti dhe kjo është PDK. Ajo tani ka edhe pozitën e presidentit të shtetit, edhe të kryeministrit edhe të qeverisë që është shkarkuar por ende vazhdon të funksionojë dhe në këtë rrafsh edhe të ministrisë së punëve të brendshme.

Dhe në një demokraci megjithatë lypset një kontroll dhe një monitorim shumë më i madh i zgjedhjeve për arsye të mundësisë që zgjedhjet të manipulohen dhe për këtë arsye unë kam kërkuar edhe nga përfaqësuesi i BE-së, Zyrës Civile Ndërkombëtare dhe edhe nga EULEX-i, shefi i tij, që edhe ata të kenë një prani më të madhe.

Kam kërkuar edhe nga përfaqësuesit e ambasadave të ndryshme që janë në Kosovë dhe nga Komisioni Evropian që ata të kenë një prani më të madhe dhe të kemi edhe prani më të madhe të komunitetit të brendshëm dhe shoqërisë civile si dhe subjekteve të tjera që mund të monitorojnë zgjedhjet sepse për ne është me rëndësi që zgjedhjet të dalin të suksesshme.

Dhe për të dalë të suksesshme ato e meritojnë të monitorohen në mënyrë që legjitimiteti i tyre të mos jetë i kontestuar. Ky ka qenë qëllimi themelor imi dhe motive është këtu.

Moto e juaj për zgjedhjet është fitorja. Por si do ta arrijë LDK-ja këtë fitore pas gjithë asaj që ka ndodhur, meqë ajo ka qenë edhe pjesë e qeverisjes në Kosovë, të cilën ju sot po e kritikoni?

Ne kemi një mobilizim mjaft të madh të LDK-së.

Në asnjë rast ne nuk i kemi ikur përgjegjësisë sonë lidhur me pjesëmarrjen tonë në qeverisje. Por unë gjithnjë kam konsideruar se pjesëmarrja jonë ka qenë minore edhe në pikëpamje të buxhetit, të ekzekutimit të buxhetit por edhe të zhvillimit të projekteve, por gjithashtu edhe të vendosjes lidhur me kompanitë publike dhe menaxhimit me këto kompani publike.

Për aq sa i takon përgjegjësi LDK-së, unë mendoj se LDK-ja duhet ta marrë atë dhe të jetë shumë transparente në këtë përgjegjësi. Por konsideroj se çdo koalicion i mëtejmë me PDK-në dhe çdo lidhje e mëtejme në një koalicion të pabarabartë, ashtu siç ka funksionuar në periudhën e kaluar, do të ishte i dëmshëm jo vetëm për LDK-në por i dëmshëm edhe për Kosovën për arsye se ai do ta ngulfaste demokracinë dhe do ta ngulfaste shtetin e Kosovës i cili duhet të zhvillohet ndryshe në të ardhmen.

Pra, ju jeni të gatshëm që pas 12 Dhjetorit LDK-ja të shkojë edhe në opozitë?

Gjithsesi. Unë e kam shprehur edhe publikisht këtë, e kam shprehur edhe në media edhe përpara elektoratit të LDK-së në fushatë tani dhe kam thënë se: nëse ne dalim të parët atëherë do të bëjmë koalicion me partitë politike që kanë program të ngjashëm dhe që do të kenë ofertë të ngjashëm tani gjatë fushatës në terren.

Pra, me partitë me të cilat ne do të arrinim pajtueshmëri sa i përket njerëzve që ata do t’i japin për qeverinë e ardhshme, sepse nuk do të pranojmë figura të cilat nuk janë të pastërta dhe nuk janë kompetente për të hyrë në punët e qeverisë.

Ndërkaq nëse jemi të dytët atëherë si të dytët do të dalim në opozitë. Këtu do të vendos elektorati dhe do të vendos LDK-ja.

Nëse na përkrahin atëherë do të na përkrahin që të jemi të parët dhe nëse dalim të dytët atëherë duhet ta dijmë se si të dytët do të jemi në opozitë dhe unë e shoh rolin e opozitës si një rol shumë të rëndësishëm të LDK-së, sepse ne do të bëjmë një presion demokratik në mënyrë që institucionet të funksionojnë ashtu siç duhet.

Edhe ju po flisni për një qeverisje me duar të pastërta. Ky fenomen është përmendur kohët e fundit. Pse duhet të flitet për një qeverisje të tillë, kur demokracia e nënkupton një gjë të tillë?

Ne kemi patur vërejtje, që mendoj se janë të bazuara, nga raportet e Komisionit Evropian lidhur me një prani të madhe të korrupsionit, mosfunksionimin e ligjit në Kosovë dhe është e domosdoshme që qeveria e ardhshme të punojë në eleminimin e këtyre dukurive. Sepse me këto dukuri jo vetëm që do të kemi problem për t’u anëtarësuar në Evropëm, por do të kemi problem edhe që qeverisjen ta çojmë më tutje dhe vendin ta zhvillojmë.

Kjo për faktin se do të krijohen pabarazi sociale përbrenda dhe sigurisht që do të rrezikojmë edhe funksionimin e shtetit. Kjo kërkon që të bëhet domosdoshmërisht. Unë nuk e mendoj këtë të jetë vetëm karakteristikë e Kosovës, meqë ëstë karakteristikë, deridiku, e vendeve në tranzicion mirëpo ne duhet të kujdesemi për problemin tonë pa u marrë me të tjerët.

Ky problem ekziston në Kosovë dhe qeveria e ardhshme domosdoshmërisht duhet të jetë qeveri e cila do të mendojë për qytetarin, qeveri e cila buxhetin do ta shpenzojë për nevojat e komunitetit dhe të qytetarëve dhe asesi një qeveri që vjen të bëjë biznes me paratë e buxhetit ose që ka për qëllim të pasurohet me paratë e buxhetit.

Ata që duan të zhvillojnë biznesin ne atyre do t’u hapim mundësinë të merren me biznesin por edhe të rrezikojnë për biznesin që e bëjnë.

Nëse fitoni zgjedhjet, jeni të gatshëm të hyni në bisedime me Beogradin zyrtar?

Ne jemi të gatshëm të hyjmë, por vetëm për çështjet teknike dhe jo për çështjet që e prekin statusin e përcaktuar të Kosovës, jo për çështjet që e prekin sistemin kushtetues të Kosovës dhe jo për çështjet që e prekin tërësinë territoriale të Republikës së Kosovës. Për këto nuk do të bisedojmë me askënd.

Me Serbinë do të bisedojmë për çështje teknike, për çështje të lëvizjes së qytetarëve tanë, për çështje të kthimit të dokumentacionit kadastral, kthimit të të pagjeturve dhe kemi shumë çështje që edhe me Serbinë dhe me vendet e tjera fqinje kemi nevojë të ulemi e t’i diskutojmë.

Ka patur kërkesa që një prej figurave që do të duhej të takohej me presidentin Tadiq të jetë kryeministri në dorëheqje Hashim Thaçi. Jeni të gatshëm që së bashku t’i bëni bisedimet me Serbinë?

Reagimet kanë qenë të tilla sepse është menduar se ai do të vazhdojë të jetë kryeministër i Republikës së Kosovës.

Tani kryeministri do të përcaktohet varësisht nga rezultatet që do të dalin nga këto zgjedhje. Mendoj se bisedimet duhet t’i udhëheqë ai që do ta fitojë qeverisjen dhe ai që do të jetë në krye të të qeverisë. Unë nuk e paragjykoj këtë.

Unë mendoj se LDK-ja do të fitojë kësaj radhe, mirëpo mbetet që kjo të vërtetohet me verdiktin e qytetarëve të dielën.

Konsideroj së kjo nuk është çështje vetëm e një individi dhe një partie, por do të jetë çështje e qeverisë së ardhshme të Republikës së Kosovës dhe sigurisht më shumë e Parlamentit të Republikës së Kosovës, por natyrisht edhe e një bashkëpunimi shumë të ngushtë me të gjitha subjektet politike në Kosovë. Kjo sepse bisedimet e tilla duhet të kenë një bazë më të gjërë edhe të marrëveshjeve dhe të mirëkuptimit të brendshëm.

Dhe meqë po flasim për bisedimet, një prej temave të pashmangshme është veriu i Kosovës. Ka zëra që thonë se do të ketë marrëveshje të reja për këtë pjesë. Si mendoni ju ta zgjidhni këtë problem?

Mendoj se para së gjithash ne duhet të zbatojmë maksimalisht të gjitha detyrimet që i kemi marrë edhe me Kushtetutë edhe me Paketën e Ahtisaarit sa i përket veriut të Kosovës.

Nuk jam për atë ose nuk do të pranojë të diskutojë që pjesë të caktuara të Kosovës të kenë trajtim më të lartë ose më të posaçëm se sa pjesët e tjera.

Kjo sepse atëherë do të krijojmë asimetri të pushtetit në Kosovë nga i cili s’do të mund të gjejmë zgjidhje dhe as rrugëdalje më vonë.

Mendoj se me një shtrirje të ligjshme të pushtetit, me një zbatim të ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës, me një mirëkuptim të cilin ne duhet ta gjejmë me zhvillimin e barabartë të këtyre pjesëve, me shpërndarjen e investimeve, me punësimin e njerëzve, me zhvillimin e shkollimit, me hapjen e kulturave ndaj qytetarëve tanë do të tejkalojmë këto probleme dhe njerëzit do të pranojnë realitetin.

Njerëzit sigurisht se kanë të drejta që ju siguron Kushtetuta dhe ligji që të kenë bashkëpunim ndërkufitar dhe të bashkëpunojnë me komunitetet e tyre jashtë. Dhe unë nuk e shoh asnjë arsye që gjendja e tillë të zhvillohet dhe të vazhdojë edhe më tutje.

BBC

KOMENTE