English

OBSH letër Vasilit: Keni bërë më të mirën për menaxhimin e përmbytjeve dhe shpëtimin e njerëzve

Tiranë, 8 dhjetor, NOA – Pasi ka ndjekur me vëmendje situatën e katastrofës humanitare në Shkodër, kur zona të tëra të qarkut dhe disa lagje të qytetit u përmbytën nga uji, zyra rajonale për Evropën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë i ka dërguar sot një letër ministrit të Shëndetësisë Petrit Vasili, ku është shprehur me nota pozitive për menaxhimin e situatës shëndetësore të banorëve në zonat e përmbytura. Në një mesazh të dërguar nga OBSH, ministrit Vasili shkruhet se “Ministria e Shëndetësisë ka bërë më të mirën e saj në mbrojtje të jetës dhe shëndetit të banorëve në zonat e përmbytura. Do të doja t’ju siguroja juve se do të keni të gjithë mbështetjen tonë, në rast nevoje”, shkruan Zonja Suzsanna Jakab, drejtuese e zyrës rajonale të OBSH-së për Evropën, në një letër drejtuar ministrit të Shëndetësisë Petrit Vasili.

Letra e drejtueses se zyrës rajonale për Evropën i është përcjellë së fundmi ministrit të Shëndetësisë nga përfaqësia e OBSH-së në vendin tonë.

“Jam informuar se qeveria shqiptare ka kërkuar evakuimin e banorëve nga zonat e përmbytura. Skuadrat e shpetimit kanë arritur në mënyrë të suksesshme të shpëtojnë jetën e fëmijëve, grave dhe të moshuarve të rrezikuar nga përmbytjet”, vijon në fjalën e saj zonja Jakab.

Masat e marra nga Ministria e Shëndetësisë në fushën e shëndetit publik në zonën e nënshkodrës ajo i cilëson si “masa energjike”, që do të ndihmonin në parandalimin e komplikacioneve të mundshme.

Duke shprehur gatishmërinë e OBSH-së për t’u ardhur në ndihmë strukturave shëndetësore, drejtuesja e OBSH-së për Evropën e mbyll letrën e saj me vlerësimet pozitive të OBSH-së në lidhje me menaxhimin e deritanishëm të situatës së emergjencës. mit/NOA

KOMENTE