English

Shkodra në ditën e tetë të përmbytjeve, angazhim 24 orë nga uniformat blu

Shkodër, 8 dhjetor, NOA – Edhe pse situata në Shkodër po vjen drejt përmirësimit me uljen prej disa centimetrash të nivelit të ujit, uniformat blu të Policisë së Shtetit vazhdojnë të angazhohen 24 orë në 24 në operacionet e transportimit të ndihmave dhe shpërndarjen e tyre kudo ku banorët kanë nevojë në mjediset e evakiumit apo edhe në ato banesa të përmbytura nga ku shumë banorë nuk duan të dalin. Rishtas aksionet e policisë janë të përqendruara në zonat më problematike, si në fshatrat e komunave Dajç, komunat më e përmbytur e qarkut të Shkodrës, Ana e Malit, Bërdicë, Velipojë, Bushat, Gur i Zi si dhe në lagjet në hyrje të qytetit të Shkodrës, si ajo Livadhë, Tophan, Xhabije, Kiras ku edhe pse niveli i ujit ka rënë krahasuar me ditët e para të përmbytjeve, në to kalohet vetëm me varka.

Sikundër mësohet unioformat blu të qytetit mbajnë kontakt të vazhdueshëm me efektivat e angazhuara në këto zona dhe Shtabin e Emergjencës për të marrë informacion të vazhdueshëm mbi situatën dhe nevojat e banorëve.

Ndërkohë nga Zyra e Koordinimit Policor, pranë Shtabit të Emergjenës në Prefekturë, kanë vazhduar të merren informacione, apo kërkesa, të cilat kanë të bëjnë me shoqërimin apo transpotin e personave nga qyteti Shkodër për në zonat e prekura nga përmbytjet dhe anasjelltas, dhe sot janë shoqëruar dhe trasportuar nga shërbimet e Policisë gjithsej 171 persona.

Të gjitha zonat e përmbytura, janë mbuluar me efektive policie, të cilët janë atashuar pranë komunave dhe në fshatrat problematike me shërbim 24 orë, pa pushim.

Edhe akset rrugore problematike, të prekura nga përmbytjet, mbulohen rregullisht 24 orë me shërbime policie, duke mos lejuar kalimin e automjeteve me qëllim që ato të mos rrezikohen.

Krahas efektivave të angazhuara me shërbime në zonat e përmbytura, për sigurimin e rendit, qetësisë publike dhe parandalimin e goditjen e kriminalitetit, në Shkodër janë shtuar e dubluar shërbimet e policisë në të gjithë territorin e saj.

mit/NOA

KOMENTE