English

Shkodra ka nevojë ulëritëse për ndihmën e të gjithëve

“Konstatoj me keqardhje dhe trishtim, se tani që tani që niveli i ujërave po bie në Shkodër, për shkak të përmirësimit të motit, anija politike që drejton zoti Rama, po përmbytet përditë e më shumë dhe në mënyrë të pashpresë, sepse, për shkak të timonierit, ajo po fut ujë nga të katër anët”.

Astrit Patozi*

U bënë dy ditë që kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, po përpiqet të spekulojë me shtyrjen e seancës parlamentare të së enjtes, për shkak të gjendjes së rëndë në Shkodër, duke akuzuar për këtë mazhorancën.

Së pari, i gjithë procesverbali i Konferencës së Kryetarëve u vu në dispozicion të shtypit, dhe aty del fare e qartë që përfaqësuesit e opozitës ranë dakord që seanca e së enjtes mund të mos zhvillohej, për arsyet e mësipërme.

Në fakt, kam qenë unë që e kam kërkuar një gjë të tillë në fillim të mbledhjes dhe pas diskutimeve të gjata është arritur edhe mirëkuptimi i dy drejtuesve të grupit parlamentar të Partisë Socialiste. Një gjë e tillë fatmirësisht është zbardhur sot e plotë edhe në shumicën e gazetave të përditshme të Tiranës.

Së dyti më duhet të sqaroj një herë e përgjithmonë se përfaqësuesit e Partisë Socialiste nuk e kishin fare në axhendë shqyrtimin e propozimit për ndryshime në buxhet, siç po pretendon sot zoti Rama. I vetmi shqetësim i tyre ishte shqyrtimi i kërkesës për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për zgjedhjet e shkuara.

Ndërkaq zotit Rama ka dy ditë që bën sikur po qan për një seancë që, sipas tij, duhet të ishte zhvilluar patjetër. Mund të them se është rasti unikal në botë kur një politikan përpiqet të përfitojë nga mungesa.

Në fakt, zotit Rama dhe pasuesit e tij kanë munguar vetëm në Shkodër, ku ka pasur dhe ka nevojë ulëritëse për ndihmën e gjithsecilit.

Por ai ka qenë aktiv fjala vjen në Pogradec, kur kërkonte hapjen e kutive, ndërkohë që njerëzit, Shkodra dhe rrethinat e saj përmbyteshin. Ai së bashku me ndjekësit e tij është çdo ditë në Tiranë, duke u përpjekur që të hedhë sa më shumë ujë dhe llum për të shtuar nivelin e dhimbjes në zonën e fatkeqësisë.

Por jo më larg se të enjten e shkuar përfaqësuesit e tij në parlament bënë gjithçka ishte e mundur që të mbanin sa më gjatë në sallë dhe për të vonuar me retorikë boshe ministrat dhe deputetët e mazhorancës, që kishin ngutin e madh për të shkuar në Shkodër dhe për t’iu gjendur pranë njerëzve në vështirësi Dhe në fund ata ikën, si gjithmonë, për të mos votuar edhe zërat e përmirësuar të buxhetit të shtetit, që shkonin për të shmangur tragjedi të tjera në Shkodër.

Pas gjithë kësaj historie, i bie që Edi Rama nuk ka lënë në baltë vetëm qytetarët e zonave të prekura nga fatkeqësia, por edhe përfaqësuesit e vet në konferencën e kryetarëve të Kuvendit të Shqipërisë, të cilët patën një qëndrim normal në mbledhje.

Konstatoj me keqardhje dhe trishtim, se tani që tani që niveli i ujërave po bie në Shkodër, për shkak të përmirësimit të motit, anija politike që drejton zoti Rama, po përmbytet përditë e më shumë dhe në mënyrë të pashpresë, sepse, për shkak të timonierit, ajo po fut ujë nga të katër anët.

*Deklarata e bërë sot nga kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi pas konferencës së kryetarit të PS-së, Edi Rama.

KOMENTE