Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: Connection refused in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Kush është fashist?
English

Kush është fashist?

Duke e quajtur kundërshtarin politik si fashist, do të thotë të akuzosh dikë se dëshiron të përsërisë, në një mënyrë apo në një tjetër, skenat e shekullit të shkuar dhe periudhën e tmerrit që kaloi Evropa. Për këtë arsye, nuk mendoj se ka ndonjë politikan evropian të ditëve të sotme të ketë synim të ripërsërisë atë pjesë të historisë, prandaj mendoj se është politikisht e moralisht e gabuar të përdorësh një ‘term’ që lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me zhvillimet historike të asaj periudhe

Nga Joost Lagendijk

Më ka bërë gjithmonë habi fakti se të quash dikë “fashist” në Turqi është pjesë e pranueshme e debateve politike. Të majtët turq nuk ngurojnë t’i etiketojnë udhëheqësit e Partisë Lëvizja Nacionaliste (MHP) si “fashistë”, për shkak të nacionalizmit të tyre të skajshëm dhe prirjeve për dhunë ndaj kundërshtarëve politikë.

Anti-qemalistët e paepur e përdorin termin ‘fashist’ për të përshkruar ashtin e qemalizmit brenda dhe jashtë Partisë Popullore Republikane (CHP) për shkak të lidhjeve të tyre të forta me shtetin që sundonte me dorë të hekurt dhe godiste ashpër gjithkënd që nuk pajtohej me këtë model qeverisës.

Fillimisht, mbetesha i pafjalë kur dëgjoja akademikë me emër të përdornin këtë “term” kur binte fjala dhe rriheshin mendimet për politikën turke. M’u desh pak kohë që të kuptoja arsyen se përse kishte një ndryshim kaq të madh mes etiketimit të dikujt si fashist në Turqi, krahasuar me atë që mund të përdoret, për shembull, në Holandë.

Si rregull, askush në Holandë nuk mund të quajë “fashist” kundërshtarin politik. Edhe sikur ky dikushi të kundërshtojë të gjitha këndvështrimet e kundërshtarit politik dhe të mendojë se vënia në zbatim e kësaj mendësie do të rezultonte shkatërruese për vendin. Arsyeja është e qartë për gjithkënd. Në mendjet e holandezit të thjeshtë, fashizmi është gjithçka që kemi kaluar në vitet “30 - 40” të shekullit të shkuar. Kjo ideologji startoi në Itali dhe Gjermani dhe që më pas u shndërrua në nënshtrim vdekjeprurës për Evropën. Miliona njerëz të pafajshëm u vranë, përfshirë këtu edhe 6 milion hebrenjtë e Holokaustit. Duke e quajtur kundërshtarin politik si fashist, do të thotë të akuzosh dikë se dëshiron të përsërisë, në një mënyrë apo në një tjetër, skenat e shekullit të shkuar dhe periudhën e tmerrit që kaloi Evropa. Për këtë arsye, nuk mendoj se ka ndonjë politikan evropian të ditëve të sotme të ketë synim të ripërsërisë atë pjesë të historisë, prandaj mendoj se është politikisht e moralisht e gabuar të përdorësh një ‘term’ që lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me zhvillimet historike të asaj periudhe. Për me tepër, duke krijuar lidhje terminologjike mes asaj dhe kësaj kohe, rrezikohet seriozisht të zhvlerësohen shtazëritë e së shkuarës, që sipas shumicës së evropianëve, janë të pashembullta në të tërë historinë njerëzore.

Në Turqi, fjala fashist merr tjetër kuptim. Këtu, të quash dikë fashist është si t’i thuash tjetrit fjalën e fundit të mospëlqimit, madje në disa raste edhe të urrejtjes. Por që gjithsesi nuk mbartin të njëjtën peshë historike. Turqia nuk mori pjesë në Luftën e Dytë Botërore dhe për shumicën e popullsisë turke Holokausti është pjesë e turpshme e historisë evropiane, për të cilën ata nuk kanë asnjë lloj kontributi. Kjo përbën arsyen e përdorimit pa teklif të një fjalë me ngjyrim të lartë emocional, pasi në Turqi në fakt nuk ka atë peshë emocionale.
Por, gjërat kanë ndryshuar. Dalja në skenën politike evropiane të partive populliste të ekstremit të djathtë ka hapur debatin e analizës, përcaktimit dhe etiketimit të këtyre prirjeve. Deri më tani, së paku në Holandë, analistët dhe komentatorët e politikës i janë shmangur fjalës fashist. Geert Wilders-i, kryetari i Partisë së Lirisë që mbështet qeverinë e re holandeze mund të shquhet si ‘islamofob’, por jo si “fashist”. Dy javë më parë, Rob Riemen, një intelektual me famë që drejton një organizatë që gëzon respekt (Nexus Institute) shkaktoi një pështjellim publik kur e quajti Wildersin dhe partinë e tij prototipin e fashizmit të kohëve të sotme. Sipas Riemen-it, nuk duhet të përqendrohemi te gjëmat e fashizmit të shekullit të shkuar, por të vërejmë se si dhe përse nisi kjo lëvizje.

Për të, fashizmi është një bakter i ngordhur që mund të rigjallërohet nëse shoqëritë humbasin kuptimin e drejtimit dhe kur elitat intelektuale heqin dorë nga mbrojtja e vlerave morale të shoqërisë. Fashizmi bashkëkohor nuk mund të ketë të njëjtin imazh e formë me atë të 80 vite më parë. Sipas këndvështrimit të Riemen-it, në SHBA fashizmi modern mund të shfaqet nën mbulesën fetare dhe raciste, në Evropën Perëndimore fashizmi modern mund të shfaqet nën petkun e sekularizmit dhe anti-Islamit; në Evropën Lindore me petkun katolik, ortodoks dhe anti-semit. Por gjithmonë gjendet një lider karizmatik dhe autoritarist që viktimizon njërën pjesë të popullatës dhe ia hedh të gjithë fajin pjesës tjetër, pjesës “së veçantë”.

Analiza e Riemen-it ngjalli jo pak debate. Një pjesë e kundërshton krejtësisht. Pjesa tjetër gjen te teoria e tij “rikthimin nga pavdekësia” të fashizmit, por duke rënë në një mendje se për arsye taktike e strategjike, etiketimi i Vildersit si fashist nuk do të ishte një gjetje e mençur. Duke u nisur nga konstatimet klasike, Vildersi dëshiron vetëm të viktimizojë një pjesë të popullatës që të fitojë popullaritet sa më të madh. Jam i sigurt se debati do të vazhdojë edhe më tej si në Holandë ashtu edhe në vende të tjera të Evropës. Kështu, mos u befasoni nëse dëgjoni që fjala që fillon me “F” do të gjejë përdorim e shtrirje më të gjerë, dhe jo vetëm në Turqi.

“Todays Zaman”

KOMENTE