Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: Connection refused in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Meta: Krenar që nuk u humb asnjë jetë njeriu, të mbrohen edhe bagëtitë
English

Meta: Krenar që nuk u humb asnjë jetë njeriu, të mbrohen edhe bagëtitë

Shkodër, 11 dhjetor, NOA – Zëvendëskryeministri dhe Ministri METE-s Ilir Meta inspektoi sot situatën e përmbytjeve në komunën e Bushatit ku u ndal edhe në fshatin Mali i Jushit, së bashku me kryetarin e komunës së Bushatit. “Është kryesore që nuk kemi humbur asnjë jetë njeriu. Kjo është shumë e rëndësishme. Ne e dimë shumë mirë që kjo që ka ndodhur këtu ka ndodhur dhe në vende të tjera dhe humbjet kanë qenë të mëdha në njerëz. Është shumë e rëndësishme që të shtojmë akoma më tej mjetet e komunikimit”, tha në një prononcim për mediat zëvendëskryeministri Meta.

Duke folur me banorët e këtij fshati, zëvendëskryeministri Meta tha se do të merren masa që të normalizohet sa më shumë jetesa në këto kushte të vështira, përsa i përket furnizimit me ushqime dhe me ujë, si dhe për shtimin e numrit të varkave në dispozicion të këtyre fshatrave, që janë të rrethuar nga uji.

“Do të shtojmë ushqim për blegtorinë, duke nisur që nesër. Janë marrë masat nga ana e qeverisë, edhe me ndihmat që po vijnë, dhe gradualisht derisa ta kalojmë këtë situatë. Kryesorja, tha Zv.Kryeministri, është të shpëtohen bagëtitë, ashtu siç u shpëtuan njerëzit, dhe të normalizohet jeta në këtë situatë të vështirë”, nënvizoi zëvendëskryeministri.

Nga ana e tyre, banorët shprehën falënderimet për punën e mirë të bërë nga qeveria për t’i ardhur në ndihmë banorëve të përmbytur, me evakuimin dhe furnizimin me ushqime dhe ujë.

Më herët zëvendëskryeministri Meta ishte edhe në bendin e Torovicës, mbrojtja e argjinaturës së të cilës pak ditë më parë bëri të mundur që harta e përmbytjeve të ishte më e ngushtë nga sa mund të ishte.

“Meqenëse jemi këtu dhe bendi i Torovicës, pas inspektimit të komunës së Bushatit, ku situata paraqitet mjaft e përmirësuar, unë sinqerisht do të doja t’i bëja një falenderim nga zemra prefektit të Lezhës, zotit Dajçi, dhe të gjithë atyre mjeteve të ushtrisë, policisë, të gjithë kapaciteteve, kompanive private, që iu përgjigjën apelit të qeverisë e të prefekturës për të mbrojtur bendin e Torovicës dhe vetëm falë kësaj pune harta e përmbytjeve është tepër më e ngushtë se sa mund të ishte dhe mundësia jonë për të administruar këtë situatë natyrisht që është më e mirë se sa disa ditë më parë”, tha zëvendëskryeministri Ilir Meta.

mit/NOA
KOMENTE