Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: Connection refused in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
PDU, çështja çame: Greqia të shfuqizojë 2 ligjet, që dhunojnë të drejtat e njeriut
English

PDU, çështja çame: Greqia të shfuqizojë 2 ligjet, që dhunojnë të drejtat e njeriut

Tiranë, 11 dhjetor, NOA – Zgjidhja e çështjes çame, apo më shkoqur e rikthimit të çamëve të dëbuar në vitet ‘40 nga tokat e tyre në Çamëri kërkon zgjidhje juridike, që janë njëherësh edhe politike dhe që kërkojnë shfuqizimin nga Greqia të dy ligjeve diskriminuese ndaj popullsisë çame, por jo vetëm, që dikur kishte shtetësinë greke, ligje që vijnë në kundërshtim me Konventën Evropiane për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut. Duke folur gjatë një konference për mbrojtjen e çështjes çame, kryetari i partisë për Drejtësi dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, ka dhënë disa nga mënyrat e zgjidhjes së kësaj çështjeje në arenën politike, juridike dhe diplomatike, duke sqaruar edhe rolin që ka luajtur Partia e tij në ndërkombëtarizimin e çështjes çame, në kontraktimin e studios ligjore për zgjidhjen e çështjes pronësore, si edhe në nxitjen e fortë ndaj qeverisë shqiptare dhe institucioneve të tjera shtetërore për të vepruar në aspektin politik mbi mënyrat e zgjidhjes së çështjes, që mban peng sipas tyre interesat e popullsisë çame në trojet e paraardhësve të tyre.

Kreu i PDU-së, Idrizi i beri thirrje sot shtetit grek qe të shfuqizojë një ligj të viteve ‘70 dhe një ligj tjetër të viteve ’80, kur shteti fqinj ua njohu të drejtën e rikthimit në trojet e tyre vetëm atyre ish-shtetasve grekë me origjinë të djathtë apo të majtë, që megjithëse kishin bashkëpunuar me pushtuesit, apo me komunistët, kishin mbajtur 'qëndrim të mirë kombëtar' pas luftës dhe me kusht, që të ishin me kombësi greke.

“Këtu mbërritëm në një pikë kontakti të çështjes çame me çështje të tjera të ngjashme të krijuara në territorin grek, si çështja sllavomaqedonase dhe ajo e hebrenjve. Ne kemi qenë e vetmja parti, që ka kërkuar bashkëpunim me faktorë të interesuar në Maqedoni, por edhe në Izrael, për të shkuar te shfuqizimi i këtyre ligjeve, të cilët diskriminojnë mbi bazë kombësie ish-shtetasit e Greqisë. Pra, diskriminojnë shqiptarët, sllavomaqedonasit dhe hebrenjtë”, tha zoti Idrizi.

Sipas tij, Greqia duhet të kërkojë falje dhe të shohë mundësi shpërblimi për viktimat e genocidit të organizuar nga forcat paramilitare apo të krahut të djathtë, ashtu sikurse duhet të parashikojë edhe kompensim për pronat e çamëve dhe të shqiptarëve në përgjithësi.

Kreu i PDU-së theksoi se kjo zgjidhje ishte propozuar edhe nga ish-diplomati amerikan pavarësisht se ai propozonte përmasa simbolike të këtij kompensimi.

“Greqia duhet të njohë të drejtën e pakicës shqiptare ortodokse dhe të afirmojë publikisht identitetin e vet kombëtar dhe kjo është një kërkesë tjetër politike e jona, e cila njëherësh kërkon: Mundësinë që ish viktima të gjalla të kësaj lufte të kenë mundësi të kthehen për të parë trojet e tyre, varret e të parëve të tyre”, apeloi Idrizi.

Ai tha ndër të tjera se përveç mënyra të zgjidhjes janë shumë lëvizje në proces, por sikundër tha ai, ne duhet të kërkojmë zgjidhje në kuadër të normave ndërkombëtare, të cilat duhet të vlejnë njëlloj për të gjithë, për të dobtit dhe për të fuqishmit.

Shefi i Partisë së çamëve, nënvizoi se PDU i ka dhënë një tjetër dinamikë politikës shqiptare, duke i dhënë një dimension të fortë kombëtar, i cili padyshim kontribuon në zgjidhjen e çështjes kyç, të rikthimit te të zotët të pronave të Çamërisë.

Në këtë konferencë të katërt shkencore mbi çështjen çame të mbajtur sot në mjediset e Hotel Sheraton në Tiranë, një aktivitet i organizuar nga Instituti i Studimeve Çame, në bashkëpunim me shoqatën "Çamëria" dhe Partinë Drejtësi dhe Unitet, u diskutua mbi historinë, situatën politike, ligjore dhe diplomatike, të Çamërisë së atëhershme dhe të sotshme, dhe mënyrat se si do të duhet të zgjidhjet çështja çame.

Në konferencë morën pjesë historianë të shumtë nga Shqipëria, si Pëllumb Xhufi, Beqir Meta, Enver Kushi, Ahmet Mehmeti, Bashkim Kuçuku, si edhe tre historianë nga Turqia, prof. Arsllan, prof. Erdoglu, etj., si edhe lektorja e Universitetit të Oksfordit, për pjesën ligjore, dr. Rudina Jasini.

Në takim foli edhe kryetari i partisë së minoritetit maqedonas në Greqi, "Ylberi", Pavlo Voskopulos, i cili sqaroi të përbashkëtat e historisë së diskriminimit të çamëve dhe sllavomaqedonasve nga shteti grek.

mit/NOA
KOMENTE