English

Zonja e Parë: Banorët e përmbytur kanë nevojë për solidaritet e mbështetje

Shkodër, 11 dhjetor, NOA – Në ditën e dhjetë të përmbytjeve në qytetin e Shkodrës ka mbërritur për të parë nga afër qytetin në ujë edhe Zonja e Parë, Teuta Topi, e cila u takua këtë paradite me familje e banorë të evakuuar nga zonat e përmbytura si nga lagjia Livade, Ahmet Haxhia, Bahçallëk, Liria, komuna Dajç e ajo Guri i Zi, e të vendosur në dy prej konvikteve të qytetit, në atë të shkollës Industriale dhe konviktin e shkollës së Muzikës. E shoqëruar nga drejtori i politikave të kujdesit shëndetësor në Ministrinë e shëndetësisë Pëllumb Pipero, Drejtoresha e Shëndetit Publik të Shkodrës, Irena Shestani, Nënkryetari i Bashkisë së Shkodrës, Ridvan Troshani e përfaqësues të tjerë të pushtetit lokal zonja e parë pa nga afër kushtet ku jetojnë banorët e evakuuar, nevojat jetike që ata kanë si dhe u interesua për shëndetin e tyre, në një kohë që pas përmbytjeve të qytetit nga uji banorët përtej papastërtive të ujit të ndotur prej ditësh të tëra po përballen këto ditë edhe me ngricat e të ftohtit.

Në një prononcim për mediat zonja e Presidentit, apeloi për solidaritet kombëtar për banorët e zonave të përmbytura.

“Prania ime sot në Shkodër lidhet me detyrimin njerëzor si grua, nënë, motër e bashkëshorte për t'iu gjendur pranë qytetarëve të prekur nga kjo fatkeqësi natyrore. E kam ndjekur me vëmendje e shqetësim situatën e krijuar nga përmbytjet dhe ecurinë e saj, vuajtjet dhe përpjekjet e qytetarëve për tu përballur me të, por edhe angazhimin e të gjitha strukturave e institucioneve në këtë sfidë të vështirë. Është momenti për t'i falenderuar të gjithë për përkushtimin, veçanërisht miqtë e vendeve të tjera por edhe qytetarët e thjeshtë në mbarë vendin që janë solidarizuar me banorët e prekur nga përmbytja” - tha zonja Topi.

Duke u ndalur tek puna e ekipeve të kujdesit shëndetësor Zonja e Parë vlerësoi se “Sot pashë gatishmërinë dhe përkushtimin e ekipeve mjekësore për të asistuar këta banorë në nevojat e tyre shëndetësore, e veçanërisht studentët e infermierisë të impenjuar për të dhënë ndihmesën e tyre vullnetarisht. Ia vlen të përshëndeten, pasi mendoj se solidariteti është virtyti me i rëndësishëm që po evidentohet, e duhet të vazhdojë të inkurajohet, për të ndihmuar këta banorë që po kalojnë momente të vështira në jetën e familjet e tyre”, nënvizoi zonja e Presidentit.

Ajo ndërkohë vlerësoi edhe mediat për përcjelljen hap pas hapi të situatës dhe ecurinë e saj në mënyrë sistematike.

“Ndihma më e madhe që mund t’u jepet këtyre familjeve është natyrisht ndihma materiale, por edhe ndihma psikologjike që ne u japim atyre, është padyshim e rëndësishme, sepse kjo situatë sigurisht që i ka goditur edhe emocionalisht. Prandaj kujdesi, humanizmi, mirësia e solidariteti mbarëkombëtar do i ndihmojnë që ta kapërcejnë sa më lehtë këtë traumë psikologjike përveçse materiale”, deklaroi zonja e Presidentit, Teuta Topi.

Zonja e parë duke përgëzuar bluzat e bardha për punën e tyre në shërbim të banorëve të strehuar në këto konvikte u dhuroi një sasi të konsiderueshme medikamentesh për sëmundjet kronike, hipertensivë, antidiabetikë, antibiotikë etj., shumë të nevojshme për personat, që kurohen në vazhdimësi me to.

Në emër të bluzave të bardha, Drejtori i politikave të kujdesit shëndetësor në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero dhe Drejtoresha e Shëndetit Publik Shkodër Irena Shestani, që morën në dorëzim medikamentet, e falenderuan zonjën Topi për ndihmën e çmuar në medikamente për sëmundjet kronike, të cilat sipas tyre i nevojiten shumë ekipeve mjekësore, pasi banorët e zonave të përmbytura vuajnë edhe nga sëmundje kronike, të cilat kërkojnë trajtim të vazhdueshëm me medikamentet specifike.

mit/NOA
KOMENTE