English

Pasqyra e Shtypit, 14 Dhjetor 2010

Tiranë, 14 dhjetor, NOA – Gazetat shqiptare kanë si argument kryesor ngjarjen e ndodhur mesnatën e mbrëmshme në Tiranë, ku një person ka marrë peng familjen e tij dhe kërcënonte se do t’i vriste të afërmit.

Një tjetër argument i trajtuar gjerësisht në media janë dhe zgjedhjet e zhvilluara dje në Kosovë. Gazetat pasqyrojnë rezultatet e sondazheve dhe deklaratat e para të politikanëve në Kosovë.

Gazeta “Shekulli” hapet me titullin kryesor “Gjobë me telefon biznesmenit”, i cili flet për një ngjarje të ndodhur dje para gjykatës së Tiranës, ku dikush telefononte me kabinat e rrugës duke i bërë presion një biznesmeni “Paguaj ose do të ekzekutohesh”.

Një artikull tjetër i gazetës është ai me titull “Emigrantët, skemë pensionesh me ambasadat”.

Vijojnë disa nga titujt e tjerë të kësaj gazete “Shpërthente me nitrat amoni bunkerët, për t’u marrë hekurin”, “Një gabim i habitshëm i Berishës në intervistën e vitit 1990”, “Bankieri Kadriaj, zbulohet konflikti, në gjyq me dy banka” etj.

E përditshmja “Panorama” ka si argument kryesor artikullin me titullin: “Shtyhet vendimi/ Hetimi i zgjedhjeve, rrëzohet kërkesa e PS-së”, i cili flet për procesin e transparencës së zgjedhjeve.

“Kreu i Europolit: Basha po modernizon policinë shqiptare”, është një tjetër artikull i gazetës që flet intervistën e dhënë nga shefi i Policisë Evropiane.

Vijojnë disa nga titujt e tjerë të kësaj gazete “Ish-drejtori i bankës, në psikiatri, babai: U shqetësua për kredinë 300 mijë euro”; “Hapet tenderi, 180 milionë USD për tunelin e Elbasanit”; “Historia/ Kur Shqipëria dekoronte 200 kinezë në një ditë” etj.

“Gazeta Shqiptare” ka si artikull kryesor “Çështja çame/ Debat në Parlamentin Grek”, referuar një diskutimi të hapur në këtë parlament mbi çështjen e çamëve.

“Policia shqiptare, vizë në vitin 2006 trafikantit të armëve”, i cili flet për linjën e aferave Serbi-Shqipëri-Jemen.

Vijojnë disa nga titujt e tjerë të kësaj gazete “PD mbush 20 vjeç, Berisha fton Edi Ramën në koktej”; “Thaçi projekton fitoren, aleancë me AAK”; “ISKSH: Mjekët e qendrave shëndetësore, 1 muaj shpërblim” etj.

E përditshmja “Shqip” hapet me titullin kryesor “Komisioni hetimor rindez politikën”, i cili flet për vazhdimësinë e debatit mes politikës shqiptare për çështjen e transparencës së zgjedhjeve të 28 qershorit 2009.

“Hashim Thaçi nis kontaktet për qeverinë e re”, është një tjetër artikull kryesor i kësaj gazete, i cili flet për rezultatet e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Kosovë.

Vijojnë disa nga titujt e tjerë të kësaj gazete “Bujar Nishani: Pse u lirua dhe u kap Astrit Bushi”; “Grabitet në mes të ditës filiali i bankës”; Modeli ekonomik, ministri Bode kundër të gjithëve” etj.

E përditshmja “Koha Jonë” hapet me titullin “ Nga sonte, ora 00.00, nuk ka më kufij me BE ...”, i cili pasqyron ngjarjen e madhe të heqjes së vizave me Bashkimin Evropian, duke nisur që nga nata e sotme ...

Një artikull i veçantë i kësaj gazete në të njëjtin argument është edhe ai me titullin “Ora 00.00” –Opinion nga Edison Kurani/ Kryeredaktor i saj.

Një tjetër artikull i kësaj gazete është ai me titull “KQZ: PDK 33.5%; LDK 23.6%; Vetëvendosje 12.6%”, referuar zgjedhjeve të së dielës në Kosovë.

Në këtë hapësirë gjendet një pasqyrë e titujve të gazetave në Tiranë, për ditën e Martë, 14 Dhjetor 2010. Ky është një shërbim që ofrohet me parapagim nga agjencia e Lajmeve NOA, në shqip, anglisht, italisht e greqisht.

Mundësia e parapagimit aktualisht ofrohet përmes abonimit dhe së shpejti, edhe përmes pagesës së shërbimit direkt me anë të kartës së kreditit. Për t’u abonuar në këtë shërbim dhe për t’u pajisur me një emër përdoruesi dhe kodin, dërgoni një kërkesë në adresën e E-mail: info@noa.al.

a.k/NOA

KOMENTE