English

50 shqiptarë sot në Bruksel, pritje speciale nga autoritetet e BE

Tiranë, 15 dhjetor, NOA – 50 qytetarë, që nuk kanë udhëtuar asnjëherë jashtë vendit, u nisën sot për udhëtim drejt Brukselit, ditën e parë të hyrjes në fuqi të vendimit të Bashkimit Europian për lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë në zonën Shengen.

Të shoqëruar nga ministri i Brendshëm Lulëzim Basha këta qytetarë do të priten në takime të veçanta nga përfaqësues të lartë të Komisionit, Këshillit dhe Parlamentit Europian.

Një pritje është rezervuar nga Drejtori për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Zgjerimit, Pierre Mirel dhe Shefi i Njësisë për Marrëdhëniet me Jashtë në Komisionin e Punëve të Brendshme, Luigi Soreca si dhe një përfaqësues i presidencës belge të Bashkimit Europian.

Në axhendën e vizitës për këta qytetarë është parashikuar edhe një vizitë në Parlamentin Europian.

Më tej, 50 vizitorët nga Shqipëria do të zhvillojnë një takim të posaçëm me Komisionerin për Zgjerimin të Bashkimit Europian, Stefan Fule, Kryetarin e Delegacionit për Ballkanin në Parlamentin Europian, Eduard Kukan dhe eurodeputetet Doris Pack e Tanja Fajon.

Me një videomesazh, do të përshëndesë këtë takim edhe Presidenti i Parlamentit Europian, Jerzy Buzek.

Ndërsa nesër, vizitorët nga Shqipëria do të takohen me Komisioneren për Çështjet e Brendshme, Cecilia Malmstrom.

Pas këtij takimi dhe një turi shëtitës në qytetin e Brukselit, 50 udhëtarët e parë të lëvizjes së lirë në Europë, do të fluturojnë nga Brukseli për në Romë, Itali.

Në Romë do të zhvillohet një takim me Ministrin e Jashtëm,Franco Frattini.

Më tej, qytetarët do të vizitojnë muzeun Capitolini dhe sallën e firmosjes së Traktatit të Romës.

n.e/NOA

Hyn në fuqi lëvizja e lirë pa viza në 28 shtete të BE

Shtetet ku ikim pa viza, kujdesi që duhet të bëjmë

Ja pikat kufitare nga mund të kalojmë dhe detajet

KOMENTE