English

Hajdin Abazi: Hollbruk, si hyri në odën kosovare pa këpucë

Prishtinë, 15 dhjetor, NOA - Negociatori amerikan Richard Holbrook, i cili vdiq në moshën 69-vjeçare, ishte diplomati i parë amerikan që takoi publikisht guerilasit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në kohën kur ajo nuk ishte njohur ende nga shumica e vendve perëndimore.

Shumë vëtëve mund t'u kujtohet fotoja e njohur e Holbrooke-ut zbathur përkrah një ushtari me mjekër të UÇK-së.

Ai ishte Hajdin Abazi, në vitin 1998 ka qenë zëdhënës i UÇK-së në zonën e Junikut.

Në intervistën dhënë BBC, Hajdin Abazi, poet dhe mësues, që deri para se të bashkohej me UÇK-në kishte qëndruar si azilant në Suedi, flet se si ndodhi që Holbrooke të hynte në takim në odën kosovare pa këpucë dhe çfarë kërkesash u bëri guerilasve të atëhershëm shqiptarë.


Z.Abazi, mund të na tregoni disa hollësi për negociatat me Hollbruk?

Kjo (fotoja) lidhet me takimin që Richard Holbrooke më 24 qershor të vitit 1998 e bëri me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në Junik të Kosovës. Ai ishte një takim që faktikisht ne e kishim ëndrruar, jo vetëm si luftëtarë të UÇK-së, të lirisë, që ishim, por edhe si popull që kur perëndimi dhe konkretisht SHBA-të do ta kthejnë kokën nga Kosova dhe ta shohin që lufta e Kosovës është e drejtë. Prandaj ardhja e Richard Holbrooke për ne ishte një gëzim i madh, sepse e kuptuam që SHBA-të kanë filluar ta kuptojnë luftën e drejtë të Kosovës dhe ajo më e rëndësishmja çka ishte, ishte se Richard Holbrooke ishte një njeri shumë i drejtpërdrejt, jashtëzakonisht i sinqertë. Dhe kulmi i atij takimi, i gjithë asaj bisede që ka zgjat rreth një orë e dyzet minuta, ishte se nëse UÇK-ja do t'i bashkërendojë veprimet e veta me SHBA dhe NATO-n, Kosova do të fitojë. Do të fitojë edhe po qe se UÇK-ja të gjitha betejat e veçanta do t'i humbë.

Një fotografi në atë odën e Junikut me Richard Holbrooke pa këpucë dhe me ju pranë tij me një armë në dorë u botua po të thuash në të gjitha mediat elektronike dhe të shkruara botërore. Si ndodhi ky takim që zoti Holbrooke të hyjë në atë dhomë pa këpucë?

Mesa duket ai kishte marrë informacion që tek shqiptarët në oda hyhet pa këpucë dhe madje aso kohe veç kishin pas hyrë me sa më kujtohet edhe Kajdanov dhe Hill dhe disa të tjerë nga suita e tij. Kur ai hyri brenda i pa ashtu ju tha të ngrihen, të dalin, të zbathin këpucët se është në traditën shqiptare që pa këpucë të hyet brenda! Ndërkaq, për shkak të kushteve higjenike që ne aso kohe e kishim dhe unë kisha një javë që nuk i kisha hequr çizmet nga këmbët, nuk mund t'i hiqja për arsye se do të ishte një gjendje, një kundërmim, i pa durueshëm dhe për këtë arsye edhe i zoti i shtëpisë më tha hyr me çizme ashtu siç ke hyrë gjithnjë pasi kemi qenë gjithnjë në gjendje gatishmërie dhe çdo herë, 24 orë kemi fjetur edhe me uniformë, edhe me veshmbathje edhe me armë afër vetes për shkak se ishte gjendje lufte dhe ishim të rrethuar.

Ka pasur njoftime se në kontaktin mes jush, zoti Holbrooke është interesuar edhe për vokacionin tuaj dhe nuk keni ngruar t'i thoni se jeni - poet!

Po. Ç'është e vërteta, unë aso kohe kam qenë edhe anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Suedisë dhe atyre ditëve për mua ishte shkruar një artikull, në mos gaboj, në New York Times, me titull 'Shkrimtari me armë në dorë'. Richard Holbrooke më tha: 'A je ti ai shkrimtari me armë në dorë që ke ardhur të luftosh për ta çliruar vendin tuaj'? Natyrisht, unë i thash se po, kjo është e vërtetë. Unë me profesion jam filozof, por edhe shkrimtar dhe kurrë nuk do të kisha dashur ta marr armën në dorë që të luftoj, por këtë e bëra për shkak të gjendjes në të cilën u gjet populli im. I thash se ndryshe nuk mund të çlirohemi nga Serbia, por vetëm me armë, prandaj isha detyruar që edhe unë të merrja armën për t'i shërbyer lirisë së vendit tim.

A ju kujtohet ndonjë kërkesë e zotit Holbrooke për ju si UÇK?

Ç'është e vërteta, ka shumëçka për t'u thënë, por unë po veçoj vetëm një rast. Që atëherë Richard Holbrooke pati thënë se po qe se UÇK-ja do të bashkëpunojmë me SHBA dhe me NATO-n, do t'i bashkërendojë veprimet e veta duke iu përmbajtur parimeve të luftës dhe sidomos parimit që të mos zhvillohet luftë etnike kundër serbëve, gjë që edhe për ne ishte absolutisht e pranueshme, sepse vetë UÇK-ja nuk e kishte për objektiv që të luftojë kundër serbëve vendorë, por kundër forcave pushtuese të Serbisë, ai tha se nëse ju do t'i përmbaheni kësaj, atëherë unë ju garantoj që Kosova do ta fitojë pavarësinë për të cilën jeni duke luftuar.

BBC

KOMENTE