English

Policia: Qytetarët me pasaportë biometrike lëvizën pa probleme drejt BE

Tiranë, 15 dhjetor, NOA – 16 orë pasi u bë realitet lëvizja e shqiptarëve pa vizë në zonën Shengen, policia e Shtetit në një deklaratë informon se lëvizja e shtetasve shqiptare pa viza nisi që në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme dhe deri në këto momente të gjithë ata shtetas shqiptarë që kanë planifikuar të lëvizin drejt vendeve të BE-së me pasaportë biometrike, kanë lëvizur pa probleme. Policia bën me dije se nga Pika e Kalimit Kufitar në Portin e Durrësit me pasaportë biometrike kanë kaluar 3 shtetas në imbarkimin e natës dhe pritet të tjerë shtetas të lëvizin gjatë imbarkimit tjetër pasdite.

Në Pikën e Kalimit kufitar të Kapshticës kanë lëvizur deri tani me pasaportë biometrike rreth 70 shtetas shqiptarë.

Ndërkohë nga Pika e Kalimit Kufitar të aeroportit ndërkombëtar të Rinasit numri i shtetasve, që kanë udhëtuar me pasaportë biometrike deri në këto momente është 130 persona.

Një numër më i kufizuar qytetarësh shqiptarë kanë lëvizur edhe në Pikat e tjera të Kalimit Kufitar me shtetin Grek.

Sipas policisë bëhet e ditur se policia greke ka kthyer disa shtetas shqiptarë për shkak se ata nuk kanë pasur dokumentacionin e duhur për hyrjen në këtë shtet.

Departamenti i Kufirit dhe Migracionit në Policinë e Shtetit thekson se janë marrë të gjitha masat për një lëvizje normale dhe pa probleme të shtetasve shqiptarë.

Policia njofton se në të gjitha pikat e kalimit kufitar është dërguar dhe shpërndarë një “kujtesë” mbi rregullat e qëndrimit në vendet Shengen për të gjithë ata shtetas shqiptarë që do të lëvizin pa viza.

Sipas policisë po bashkëpunohet ngushtë edhe me homologët për lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve shqiptarë të pajisur me pasaportë biometrike.

mit/NOA
KOMENTE