English

Ministria e Financave, koncesion 10 vjeçar për kontrollin e pullave fiskale

Tiranë, 16 dhjetor, NOA – Qeveria miratoi dhënien me koncesion të “prodhimit dhe ngritjes të sistemit të kontrollit të pullave fiskale”.

Vendimi u mor pas propozimit të Ministrisë së Financave, e cila vendosi të zbatojë pulla të reja fiskale për të gjitha produktet e duhanit, produktet e fermentuara dhe distiluara të alkoolit, dhe birrës me destinacion tregun vendas, të importuara apo prodhuara në vend, si dhe për produktet farmaceutike.

Propozimi i ofruar do të shërbejë për të monitoruar prodhimin, importin dhe shpërndarjen e produkteve të akcizës përmes përdorimit të një sistemi inteligjent dhe të sigurt pullash dhe shënjimi që mban një kod unik të sigurisë së lartë.

Për këtë qëllim, Ministria e Financave zhvilloi procedurën konkurruese për dhënien me koncesion “te prodhimit dhe ngritjes të sistemit të kontrollit të pullave fiskale” nga e cila u përzgjodh kompania Sicpa.

Koncesioni jepet për një periudhë 10-vjeçare dhe vlera totale e investimit është 10 milion euro dhe tarifa e koncesionit është 2% e totalit të të ardhurave nga shitja e pullave. Periudha e implementimit është 5 muaj nga marrja e lejeve, autorizimeve apo licencave të nevojshme për fillimin e punimeve.

E reja e kalimit të këtij shërbimi me koncesion qëndron tek zbatimi i sistemit Sicpatrace (Secure Track & Trace Solutions), i cili parashikon zbatimin e një sërë masash sigurie për prodhimin e pullave fiskale, regjistrimin e tyre në kohë reale në sistemin qendror si dhe gjurmimin e tyre në treg nëpërmjet pajisjeve portabël të skanimit.

Pullat fiskale do të përmbajnë katër elemente sigurie për të eliminuar falsifikimet e mundshme të tyre, duke filluar që nga aplikimi i një boje irideshente (boje unike e cila do prodhohet nga Kompania vetëm për Shqipërinë) e deri tek vendosja e një kodi unik të padukshëm.

Sipas specialistëve të angazhuar në këtë proces, funksionimi i kësaj skeme do të përmirësojë situatën aktuale, duke minimizuar qarkullimin e pullave false.

Pullat do të kenë një çmim 14.43 euro/mijë copë pas një negociate të Ministrisë së Financave me kompaninë e cila aplikoi një ulje çmimi prej 31% nga vlera fillestare nga 21.00 euro/mijë copë që ishte më parë.

n.e/NOA

KOMENTE