English

“Emigrantët sjellin më shumë përfitime se probleme për vendet pritëse”

Tiranë, 17 dhjetor 2010 - Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) në Ditën Ndërkombëtare të Emigrantëve deklaron se qeveritë duhet të njohin përfitimet që vijnë nga migracioni dhe duhet ta ndajnë këtë vizion me publikun e gjerë.

Sipas një studimi të University College në Londër, të ardhurit nga Evropa Lindore kishin paguar 37 % më shumë taksa krahasuar me përfitimet nga të ardhurat apo nga shërbimet publike gjatë periudhës 2008-09.

Shumë migrantë të tjerë ndihmuan në ofrimin e shërbimeve në sektorë kyç të shërbimeve si mjekë, infermierë apo pastrues në Shërbimin Kombëtar Shëndetësor. Një tjetër studim vuri në dukje ndikimin pozitiv që mund të kenë komunitetet e imigrantëve në ekonominë e vendit pritës. Në Itali janë rreth 20 mijë sipërmarrës shqiptarë, shumica e të cilëve në ndërtim, shërbime dhe turizëm.

Sipas IOM, për fat të keq, kontributet pozitive të cilat eigrantët i japin shoqërisë vihen shpesh në pikëpyetje pasi mjaft qeveri orientohen në mënyrë aspak largpamëse, duke i paraqitur ato si barrë për ekonomitë në ringjallje apo si humbje për shtetin e mirëqenies sociale.

“Përkundër fakteve, pak çështje shkaktojnë reagim më të fuqishëm sesa tema e emigracionit. Nga sallat e parlamenteve në rrugët e qyteteve, e më tej në tryezat e përditshme zhvillohen debate të nxehta rreth ndikimit të migrantëve në identitetin kombëtar, sigurinë, punësimin, shëndetësinë dhe sistemet e mirëqenies – pra, në çdo element përbërës të një shoqërie,” shprehet Uilliam Lacy Suing, Drejtor i Përgjithshëm i IOM.

“Fatkeqësisht, mjaft nga këto diskutime bazohen në emocione dhe mite dhe jo në realitetet shoqërore dhe ekonomike. Tani e tutje, migracioni do të udhëhiqet nga tendencat globale ekonomike, shoqërore dhe demografike të cilat nuk mund të injorohen më.”

Sipas Raportit Botëror për Migracionin, të publikuar së fundmi nga IOM, numri i emigrantëve në nivel ndërkombëtar mund të shkojë në 405 milionë nga viti 2050 nëse migracioni vijon të ecë me të njëjtat ritme si ato të 20 viteve të fundit.

Një nga arsyet për këtë rritje të dukshme do të jetë rënia e numrit të popullsisë në vendet e industrializuara, që pritet të jetë në shifrën 25 % nga viti 2050. Kjo do të rrisë ndjeshëm kërkesën për punëtorë emigrantë në një kohë kur krahu i punës në vendet në zhvillim do të rritet nga 2.4 miliardë në 2005 në 3.6 miliardë në 2040.

Në bazë të përllogaritjeve të Bankës Botërore, nëse vendet me popullsi në rënie do të lejonin rritjen e krahut të punës me vetëm 3% nëpërmjet pranimit të 14 milionë punëtorëve emigrantë shtesë gjatë periudhës 2001-2025, bota do të kishte një fitim prej 356 miliardë dollarësh më shumë në vit – dhe shumica e këtyre fondeve do të shkonte drejt vendeve në zhvillim.

Me rastin e shpalljes së një fushate të re informacioni për të mirat e migracionit të rregullt për të rinjtë, Shefja e Misionit të IOM, Nicoletta Giordano, tha “Vendi ku ke lindur mund të mos jetë ai ku jeton tani. Vendi ku jeton tani mund të mos jetë ai ku do të jetojnë fëmijët e tu. Popullsia e botës është në lëvizje – për shumë arsye të ndryshme: puna, arsimi, ndryshimi i klimës - të gjitha këto ndikojnë mbi zgjedhjen tonë të vendit ku jetojmë. Pavarësisht nëse udhëtoni për të filluar një jetë të re në një vend tjetër apo shkoni për një periudhë të shkurtër kohe për të vizituar familjen apo për të shëtitur Evropën, IOM ju fton të udhëtoni të sigurt, të njihni të drejtat tuaja dhe të respektoni rregullat,” përfundoi Giordano.

a.k/NOA

KOMENTE