English

Haga kthen mbrapsht lirimin me kusht të Ramush Haradinajt

Hagë, 17 Dhjetor, NOA – Gjykata e Hagës ka kthyer mbrapsht vendimin e marrë pak ditë më parë për lirimin me kusht të Ramush Haradinajt, ish-kryeministrit të Kosovës.

Ndërsa pritej që sot Haradinaj të mbërrinte në Kosovë, mësohet se ai do të qëndrojë edhe për një muaj, në paraburgimin e Hagës.

"Paneli për ankesa konsideron se vendimi i Këshillit gjyqësor për lirimin e përkohshëm të Haradinajt ka qenë aq i paarsyeshëm sa paraqet abuzim me të drejtën e diskrecionit”, thuhet në vendimin e ri të Gjykatës.

Duke shtuar se për këtë veprim, gjykata ka marrë për bazë ankesat e prokurorisë se me lirimin e të akuzuarit Haradinaj, ka mundësi që ai të ndikojë në dëshmitarët e çështjes.

Tribunali i Hagës e ka miratuar kërkesën për ta liruar përkohësisht nga burgu Ramush Haradinajn.

Vendimi i marrë në datën 8 dhjetor, i lejoi Haradinajt qëndrimin në Kosovë nga 17 dhjetori e deri më 14 janar 2011, me disa kushte, ndërsa kushti kryesor është që ai të mos largohet nga Prishtina, të mos bëjë asnjë deklaratë publike dhe çdo të dytën ditë të paraqitet në policinë e EULEX-it.

Haradinaj kishte bërë kërkesë për lirim të përkohshëm, për të qenë afër bashkëshortes së tij, e cila në këtë periudhë kohore, pritet të lind fëmijën e tretë të tyre.
n.e/NOA

KOMENTE