English

Europa goditet nga acari, anullohen fluturimet, mijëra vetë flenë nëpër aeroporte

Londër, Paris, Berlin, 19 dhjetor, NOA - Moti i acartë dhe me reshje të shumta dëbore ka pushtuar gjithë Europën. Temperaturat e ulëta nën 0, dhe akujt kanë bërë që mijëra persona të kalojnë natën nëpër aeroportet e Europës veriore, të cilët janë bllokuar nga moti i keq, ndërkohë që reshjet kanë bërë të pakalueshme edhe rrugët për shkak të akullit. Sipas agjencive të lajmeve, dy aeroportet Heathrow e Gatwick në Mbretërinë e Bashkuar janë rihapur këtë mëngjes pas bllokimit të disa ditëve nga moti i keq, por vetëm për ndonjë fluturim të caktuar.

Mësohet se nga aeroporti Heathrow i Londrës nuk do të fluturojë asnjë avion nga terminalet 1 dhe 4, ndërkohë që bëhet e ditur se një numër i kufizuar fluturimesh do të nisen nga terminalet 3 dhe 5 të këtij aeroporti.

Ndërkohë prej motit të acartë mijëra pasagjerë kanë kaluar natën në terminalet e aeroporteve në pritje për tu takuar me të afërmit e tyre, apo për t’u nisur për festat e Krishtlindjes.

Këtë fundjavë, që njihet si java me trafikun më të dendur ajror në Europë, plot 600.000 pasagjerë do të kalonin Tranzit nga aeroporti i Heathrow në Londër dhe 240.000 nga ai Gatwick, por ndërkohë të vështira për qarkullim janë edhe rrugët e brendshme që lidhin Anglinë me Skocinë.

Ndërsa në Belgjikë raportohet se 1.500 udhëtarë të parashikuar për t’u nisur drejt Londrës kanë kaluar natën për shkak të motit të keq në aeroportin e Brukselit.

Vështirësi me trafikun ajror janë ndeshur edhe në aeroportin “Roissy-Charles-de-Gaulle” të Parisit, ku pas mbylljes së aeroportit londinez Heathrow mijëra francezë janë kthyer mbrapsht.

Gjithsej 5.200 pasagjerë të cilët prisnin të niseshin për në Londër, kanë gjetur sistemim ose në hotelet e Parisit ose në terminalin e aeroportit francez.

Por, koha e keqe ka mbuluar tërë Parisin, ndërkohë që kulla Eiffel e mbuluar nga bora është mbyllur sot për vizitorët.

Edhe në Gjermani janë anulluar rreth 490 fluturime në aeroportin e Frankfurtit. E duke qenë se moti i keq do të vijojë pritet të anullohen edhe 1.329 fluturime të parashikuara gjatë ditës.

mit/NOA
KOMENTE