English

Maqedonia, sot 1 vit pa viza, ulet numri i të larguarve, shumica azilkërkues

Shkup, 19 dhjetor, NOA- Sot është mbushur një vit nga heqja e vizave për shtetasit e Maqedonisë, gjë që mundësoi që vetëm me një pasaportë biometrike të udhëtohet pa pengesa në vendet e shengenit të bardhë.

Një vit pas heqjes së vizave për Maqedoninë, një numër i vogël i qytetarëve kanë shfrytëzuar udhëtimet dhe vizitat drejt vendeve të BE-së, ndërsa pjesa më e madhe e tyre që udhëtuan ngelën si azilkërkues.

Por qytetarët e Maqedonisë në numër të vogël kanë shfrytëzuar këtë mundësi. Vonesat me pasaportat biometrike, gjendja e rëndë ekonomike dhe kriza e papunësisë që ka përfshirë edhe vendet e BE-së janë disa nga arsyet që i shprehin qytetarët për mosudhëtimin e tyre drejt vendeve të BE-së.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme, nga fillimi i këtij viti e deri në muajin dhjetor, vetëm 4,1 për qind është rritur numri i daljeve nga shteti.

Kjo ministri pranon se ka ende shumë qytetarë që nuk janë pajisur me pasaporta biometrike, edhe sepse numri i atyre që janë dhënë ka kaluar mbi një milion pasaporta biometrike.

Sipas të dhënave të fundit të EUROSTAT, gjatë nëntë muajve të fundit të këtij viti, 4315 qytetarë nga Maqedonia kanë kërkuar status azili në vendet e BE-së.

Fluksi i madh i azilkërkuesve ka shtuar shqetësimet në radhët e vendeve anëtare të BE-së, të cilat kanë ndërmarrë masat parandaluese.

Organizata për Bashkëpunim Rajonal dhe Integrime Evropiane (OBRIE) në Maqedoni vlerëson se një numër i pakët i qytetarëve në Maqedoni kanë shfrytëzuar udhëtimet drejt BE-së, sidomos për shkak se qytetarët përballen me probleme sociale dhe ekonomike. Burokracia rreth dhënies së pasaportave biometrike si dhe për shkak të krizës ekonomike, që akoma është e pranishme në vendet e BE-së, ku ndjehet papunësia dhe problemet e tjera me emigrantët e huaj.

(INA)/NOA
KOMENTE