Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Braçe: Mua dhe Ramën na kërcënuan përmes një mafiozi, Berisha do të na mbyllë gojën
English

Braçe: Mua dhe Ramën na kërcënuan përmes një mafiozi, Berisha do të na mbyllë gojën

Tiranë, 22 dhjetor, NOA Update – Deputeti i Partisë Socialiste Erion Braçe ka bërë publik sot një kërcënim ndaj tij dhe kryesocialistit Edi Rama, që mban firmën e njërit prej mafiozëve të njohur në Ballkan, Daut Kadriovski. Braçe theksoi se kërcënimi i ka ardhur në formën e një CD-je ku Kadriovski akuzon si atë edhe kryetarin e opozitës Edi Rama për përfshirje në vrasje dhe afera kriminale. Deputeti socialist e denoncoi këtë fakt duke akuzuar direkt kryeministrin Berisha se ka krijuar struktura kriminale pranë ministrisë së Brendshme për t’i mbyllur gojën opozitës në bërjen publike të fakteve kriminale që shoqërojnë qeverisjen Berisha.

Lexoni deklaratën e plotë të deputetit të PS-së, Erion Braçe: Do të doja që të sjell në vëmendjen tuaj që kjo konferencë shtypi e imja është pothuajse e çdo anëtari të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, me gjithë vëmendjen dhe gjithë mbështetjen e çdo deputeti të grupit parlamentar të Partisë Socialiste të Shqipërisë.

Siç ju e dini një grup i madh deputetësh të grupit parlamentar të PS, por një numër akoma më i madh ekspertësh të pavarur janë angazhuar në një proces serioz, konkret dhe pa diskutim efikas të transparencës ndaj akteve të qarta të korrupsionit qeveritar, të përfaqësuara denjësisht dhe të udhëhequra nga Sali Berisha.

Ky proces po tregon Shqipërinë dhe shqiptarët që vidhen 24 orë të çdo dite të vitit. Po tregon hajdutët zyrtar dhe klientët e tyre përfitues nga produkti i korrupsionit, ndaj po shkul nga themelet qeverinë e korruptuar të Sali Berishës dhe partnerëve të tij të koalicionit.

Sali Berisha në cilësinë e Kryeministrit të Republikës është angazhuar drejtpërdrejtë në relativizimin e kësaj fushate historike transparence, natyrisht është angazhuar drejtpërdrejtë dhe në ndërprerjen e saj, duke sulmuar, atakuar, shpifur dhe kërcënuar drejtpërdrejtë njerëzit që po drejtojnë dhe po u tregojnë shqiptarëve çdo minutë vjedhjen e madhe të qeverisë së Sali Berishës.

Sali Berisha drejtpërdrejtë po e bën këtë gjë, duke mos kursyer në asnjë minutë të veprimtarisë së tij politike dhe shtetërore edhe bashkëpunimin direkt me krimin e organizuar, madje së fundi duke njehsuar struktura të posaçme të qeverisë, struktura okulte të Ministrisë së Brendshme dhe policisë së shtetit pikërisht në këtë bashkëpunim kriminal me krimin e organizuar, kundër përfaqësuesve të opozitës. Ditën e hënë, pas një mbledhje pune këtu në selinë e PSSH, personeli më ka vënë në dispozicion këtë zarf, shërbyer në selinë socialiste të Shqipërisë nga Posta e Tiranës. Natyrisht që i kam kushtuar vëmendjen e duhur dhe pasditen e vonë të ditës së hënës jam njohur me përmbajtjen e këtij zarfi. Brenda tij është një kartolinë dhe brenda kësaj kartoline është një CD. Nga ana e pasme të së cilës është materializuar ky tekst: Ke 24 orë kohë ndryshe kanalet televizive do ta publikojnë. Në fund fare është lënë një numër celulari, që nga prefiksi duket që është numër i Maqedonisë, në fund fare ka emrin Daut Kadriovski. Në përmbajtje të kësaj CD kryetari i kësaj partie Edi Rama dhe unë deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë tregohemi nga shtetasi Daut Kadriovski, i njohur për cv e tij kriminale, i kërkuar në më shumë se 13 shtete, i përfshirë në aferat më të ndyra të krimit të organizuar dhe korrupsionit pikërisht në këto shtete, “dëshmon” se kryetari i PSSH Edi Rama dhe unë personalisht në cilësinë e deputetit, jemi përfshirë në përdorim dhe në trafik droge dhe në fund fare në dy vrasje të dy shtetasve. Njëri këtu në Tiranë dhe tjetri duke e hedhur nga kati i tretë apo i katërt në Shkup të Maqedonisë.

Njëherazi në përmbajtje të kësaj CD-je përmendet gjithë klasa politike shqiptare në rajon, duke përfshirë Hashim Thaçin, për të vijuar me Jakup Krasniqin, Ramush Haradinaj dhe familjen e tij. Për të zbritur deri tek klasa politike shqiptare në Maqedoni, duke përfshirë Mendu Thaçin dhe partinë e tij, apo më tutje edhe Imer Selmanin e partinë e tij. Pra është një CD komplekse ku një prej përfaqësuesve më të regjur të krimit të organizuar, mesa duket së fundmi i lirë, shfaqet i përdorur politikisht nga Sali Berisha dhe strukturat e tij okulte, për të përfolur, për të shpifur, për të atakuar, për të sulmuar, për të njollosur pothuajse përfaqësuesit kryesor të politikës shqiptare, jo vetëm në Tiranë por edhe në rajon.

Natyrisht gjithsecili mund të pyes sot se përse po e sulmon Sali Berishën apo atashon këtë çështje me Sali Berishën. Në momentin e parë që jam njohur me përmbajtjen e kësaj CD-je kam çuar në mendje seancën parlamentarë të diskutimit të buxhetit për vitin 2011. Seanca është e datës 25 nëntor 2010 dhe menjëherë mbas fjalës sime, në emër të grupit parlamentar të PS, në sallën e kuvendit Sali Berisha më është shprehur ekzaktësisht kështu: “Pse nuk e thua? Jo more zotëri, ti je i keqpërdorur. Një njeri nuk keqpërdor një njeri që ka një histori shumë të dhimbshme personale, një histori të dhimbshme sociale dhe politike. Ti i di shumë mirë lidhjet e tij me Kadriovskin, se janë edhe të tuat. Po, po janë edhe të tuat se janë me dëshmi. Ti di shumë mirë historinë e të ndjerës Din, se është historia jote dhe e Edi Ramës. Ti i di shumë mirë historitë e Ginës, ti je zëvendësi i tij këtu sot prandaj edhe ti nuk vuan as përpara shpirtrave të katër foshnjave.”

Ky është procesverbali i seancës plenare. Këto që sapo citova janë fjalët e Sali Berishës, të bëra në datën 25 nëntor të këtij viti, ndërkohë që kjo CD me dëshmi në thonjëza të Daut Kadriovskit ka patur në sfond një pemë krishtlindjesh. Që do të thotë që kjo ka ardhur në kohë pas një urdhri verbal të Sali Berishës në krye të strukturave oklute, që bashkëpunojnë sot me krimin e organizuar për ti mbyllur gojën PS, kryetarit të saj, deputetëve të angazhuar në luftën kundër trafikut dhe korrupsionit të qeverisë së Sali Berishës.

Pikërisht të njohur me këto fakte gjykuam qartësisht gjatë këtyre dy ditëve se po kalojmë nga një fazë e shpifjeve politike për konsum publik të Sali Berishës bërë anë e kënd Shqipërisë nga salla e kuvendit, në një fazë të re. Sali Berisha po bashkëpunon me krimin e organizuar, po zëvendëson krimin e organizuar, po përdor krimin e organizuar tashmë jo për akuza dhe shpifje banale politike, por për akuza të rreme penale në bashkëpunim me krimin e organizuar në vend dhe në rajon. Që tregon më së miri se Sali Berisha po prek fundin, por edhe se Sali Berisha po bëhet shoqërisht i rrezikshëm për çdo shqiptarë që refuzon të nënshtrohet përkundër korrupsionit apo akteve korruptive të qeverisë së Sali Berishës.

Duke gjykuar këtë moment të rëndësishëm dje kryetari i PS Edi Rama dhe unë në cilësinë e deputetit i Republikës së Shqipërisë kemi marrë kontakt me Presidentin e Republikës, e kemi informuar për gjithçka po ndodh, i kemi vënë në dispozicion këto dokumenta dhe këto fakte. Natyrisht që kemi paralajmëruar se ne jemi në djeni të qartë dhe të plotë të një angazhimi serioz të Sali Berishës për të vijuar këtë veprimtari kriminale përkundrejt opozitës politike në Shqipëri dhe me të tjera raste përmes një strukture okulte brenda radhëve të policisë së shtetit, që po shëtit qeli më qeli të këtij vendi, madje dhe jashtë tij për të gjetur njerëz të inkriminuar dhe për të mbledhur dëshmi në thonjëza të rreme, qartësisht të rreme përkundrejt përfaqësuesve të opozitës për ti mbyllur gojën.

Menjëherë pas kontaktit me Presidentin e Republikës, në vijim të angazhimeve tona institucionale sot në mëngjes kam marrë dhe kam vënë në djeni prokurorin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Tiranës. Për sa kohë që vepra penale e shpifjeve dhe shantazhit të drejtpërdrejtë kundër deputetit të kuvendit dhe kryetarit të partisë për shkak të detyrës është kryer në territorin e Tiranës. Menjëherë pas këtyre kontakteve do të depozitojmë sot pa u vonuar asnjë minutë kallëzimin penal pikërisht për gjithë këtë histori kriminale, për gjithë këtë histori që kulmon me angazhimin serioz dhe konkret të pushtetit politik me krimin e organizuar për ti mbyllur gojën opozitës.

Për ta mbyllur do doja të vija në djeni të gjithë opinion publik se i gjithë qëllimi i kësaj historie është që opozita të ndërpresë fushatën e saj të mirëpritur, të shumëkërkuar në këtë vend kundër korrupsionit. Sot po ju them që Sali Berisha është në djeni të plotë të publikimeve shumë të rënda dhe serioze që do të kulmojnë ditët në vijim dhe të cilat nuk e mbajnë më dot në këmbë qeverinë e Sali Berishës. Po ju them nuk e mbajnë dot më në këmbë qeverinë e Sali Berishës.

Do doja ta mbyllja gjithë këtë denoncim duke dërguar një mesazh të qartë, jo vetëm timin personal por secilit prej deputetëve të PS të mbledhur në mbledhjen e grupit parlamentar të PS, që shprehim neverinë e qartë përkundrejt këtyre akteve të drejtuara nga Sali Berisha dhe krimi i organizuar, që refuzojnë kategorikisht ti nënshtrohen këtyre praktikave kriminale tipike mafioze të një qeverie të korruptuar dhe në ikje dhe që garantojnë çdo shqiptarë se fushata jonë e transparencës përkundrejt akteve korruptive, përkundrejt zyrtarëve të korruptuar, përkundrejt produktit kriminal të korrupsionit nuk do të ndalet.

Nuk do të ndalet, ne nuk jepemi, ne do ta çojmë deri në fund këtë fushatë kundër korrupsionit për të çliruar njëherë e mirë Shqipërinë nga njerëzit e korruptuar, nga pushtetarët e korruptuar dhe për ti dhënë lirinë shqiptarëve të jetojnë në këtë vend jetën e tyre, të ardhmen e tyre të ndershme dhe me djersën e ballit.
KOMENTE