English

Opozita e Bashkuar: Refuzimi i transparencës do zgjidhet me përplasje të mëdha

Tiranë, 22 dhjetor, NOA – Kryetari i Partisë për Ligj e Drejtësi në emër të Opozitës së Bashkuar akuzoi sot mazhorancën se me refuzimin që i bëri të hënën ngritjes së komisionit hetimor të zgjedhjeve të 28 qershorit të vitit të shkuar, provon me fakte se ka manipuluar zgjedhjet e shkuara parlamentare duke mbajtur peng edhe zgjidhjen e krizës politike pas kontestimit të zgjedhjeve nga opozita. Avokat Spartak Ngjela gjatë një prononcimi për mediat deklaroi se refuzimi i komisionit të hetimit parlamentar për kutitë e materialeve zgjedhore, mund të shkaktojë një pështjellim të madh në vend, madje e çon vendin në zgjedhje të parakohshme.

“Refuzimi i këtij komisioni provon në mënyrë të plotë manipulimin e zgjedhjeve. Manipulimi i zgjedhjeve provon paligjësinë e qeverisë dhe paligjësia e qeverisë i jep të drejtën popullit opozitar të dalë për të krijuar gjendjen e zgjedhjeve të parakohshme me forcën e protestave masive”, deklaroi Ngjela.

Por ashtu sikundër lajmëroi në krye të fjalës së tij dalja publike e sotme e Ngjelës si aletat i kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama erdhi edhe për vështirësitë ende të mëdha të krijuara nga përmbytjet në qarkun e Shkodrës, për të cilat Ngjela fajësoi kryekëput qeverinë.

Në këtë kontekst avokat Ngjela dikur deputet i Partisë Demokratike dhe bashkëudhëtar i Berishës e akuzoi kryeministrin se po shkatërron vendin, gjë që argumenton edhe paligjshmërinë e tij në krye të qeverisë së ardhur në pushtet sikundër tha Ngjela me vota të vjedhura.

“Përmbytja është faji total i qeverisë. Natyrisht është një faj i akumuluar në 20 vjet, po në tre katër vitet e fundit janë dhënë shenja dhe nuk është marrë asnjë masë. Në të njëjtën kohë, ashtu siç e kemi deklaruar janë shkatërruar që të gjithë ato që janë bërë për sistemin e ujërave në Shqipëri”, nënvizoi Ngjela.

Avokati tha se opozita ka fakte për ta argumentuar fajin e Berishës këtë duke siguruar se Opozita e Bashkuar është e vendosur në rrugën e saj për të rivendosur dinjitetin e votës së lirë në Shqipëri, e shkelur sipas tij nga mazhoranca aktuale.

“Çështja e tretë që ka lidhje të plotë me këtë është korrupsioni. Të tre çështjet janë të lidhura me njëra tjetrën. Mosqeverisja, paligjësia e qeverisë dhe korrupsioni konvergojnë në një pikë. Kjo qeveri duhet të largohet. Në rast se nuk largohet dhe refuzon të bëjë transparencën do të ketë përplasje të madhe shoqërore”, përfundoi deklaratën e tij avikat Spartak Ngjela.

mit/NOA
KOMENTE