English

KMDLNJ: Hetimet e krimeve të luftës, për efekt politik

Prishtinë, 23 dhjetor, NOA – “Ka disa ditë që mediat botërore dhe të vendit merren me raportin e anëtarit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës ndryshe raportues për të drejtat e njeriut, Dik Marti. Hulumtimi i Dik Martit është vazhdimësi për t’i mbështetur dyshimet e shndërruara në akuza të ish-kryeprokurores së Tribunalit të Hagës Karla del Ponte e cila i bëri publike këto akuza vetëm pasi u largua nga Tribunali”.

Kështu e nis deklaratën e sotme Komiteti për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut në Kosovë, sipas të cilës “ky raport duke mos ofruar as një fakt të vetëm që do t’i mbështeste dyshimet për trafikimin me organe të serbëve të kidnapuar në Kosovë dhe të transferuar në disa lokacione në Shqipëri ( sipas Karla del Pontes dhe raportit të Dik Martit ) nuk ka për qëllim që të zbardhë fatin e personave të rrëmbyer dhe t’i sjellë para gjykate përgjegjësit eventual, por ekskluzivisht është shkruar për efekt politik dhe propagandistik”.

“Sikur ky raport të kishte për qëllim të arrinte efektin juridik do të ishte punuar në bazë të fakteve dhe duke përfshirë edhe faktet për krimet monstruoze të luftës në Kosovë nga forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe. Hetimet dhe një raport i tillë do të duhej të zgjerohej me fakte për kamionët me kufoma të hedhura në liqenin e Peruqcit, varrezat masive në Batajnicë, Petrovo Sello, në Malin e Zi dhe në Maqedoni. Të bëhen hetime pse u dogjën dhe u shkatërruan trupat e pajetë të shqiptarëve të ekzekutuar?! Të bëhen hetime jo të motivuara në baza etnike sikur që pretendon raporti i Dik Martit por hetime që përmes sigurimit të fakteve do të zbardhë fatin e të gjithë personave që konsiderohen si të zhdukur pavarësisht përkatësisë etnike dhe fetare”, citon më tej KMDLNJ.

n.e/NOA

KOMENTE