English

Raporti i Martit, Shalsi: Basha të thotë të vërtetën e plotë, ai ka qenë përkthyes në Kosovë

Tiranë, 23 dhjetor, NOA/ Irma Toptani – Rikthehen akuzat për ministrin e Brendshëm Lulzim Basha, si përkthyes i antropologut ligjor Jose Pablo Baraybar gjatë vizitës së këtij të fundit në 2004-ën në Shtëpinë e verdhë në Burrel. Pas përgënjeshtrimit të këtij lajmi nga ministri Basha disa ditë më parë, Deputeti socialist Eduard Shalsi i kërkoi sot nga foltorja e kuvendit, zotit Basha të përgjigjet plotësisht në lidhje me këtë akuzë të rëndë, pasi sikundër u publikua, vetë Baraybar kishte deklaruar se emri i përkthyesit ishte Lulzim Basha.

Në këtë kontekst Shalsi tha se “Basha dihet që ka qenë përkthyes në Kosovë. Baraybar kishte thënë se ishte shoqëruar nga një përkthyes që kishte dosjen dhe se punonte në UNMIK”.

Duke iu referuar postit të rëndësishëm të Lulzim Bashës në kabinetin qeveritar, deputeti Shalsi i bëri thirrje atij që të respektojë vendin dhe të thotë të vërtetën e plotë mbi këtë akuzë të rëndë, pasi sikundër tha Shalsi, fushata e Dik Martit nuk luftohet me propagandë.

José Pablo Baraybar, antropolog ligjor, me origjinë peruane, i cili në njëzet vitet e fundit ka punuar si ekspert i OKB-së, edhe në Kosovë, në një intervistë dhënë për gazetën zvicerane Le Temps, informoi se ai kishte hyrë në të ashtuquajturën “Shtëpi e Verdhë” në veriun e Shqipërisë bashkë me përkthyesin e tij pa mandat kontrolli, pasi përkthyesi i tij punonte për UNMIK-un në Kosovë dhe quhej Lulzim Basha, dhe kështu që nuk ishte i nevojshëm mandati për të hyrë atje.

Sipas tij për të tentuar të verifikonte disa informacione të dosjes, Baraybar është shprehur se “unë kalova kufirin si turist, në një makinë të zakonshme. Përkthyesi im quhej Lulzim Basha. Ai punonte për Tribunalin e Hagës. Ai ishte me mua. Ai kishte dosjen”.

Më pas deputeti socialist akuzoi edhe kryeministrin Berisha i mbërritur në mbrëmje në kuvend, duke e cilësuar atë si pjesë të bllokmenëve.

“Ky ka qenë ky është dhe ky do të jetë makthi i Saliut i cili do të jetë përjetë një bllokmen”, nënvizoi Shalsi duke theksuar se Shqipëria e drejtuar nga qeveria e Sali Berishës ka marrë të tatëpjetën.

i.t/NOA

KOMENTE