English

Dëlirësi - Korrupsion

Në pamje të parë, përfundimi i konfliktit duket se është i paracaktuar. Shkatërrimi i dëlirësisë, mbizotërimi i korrupsionit duken të pashmangshme. Por, në këndvështrimin afatgjatë, në ndërgjegjen mbarëbotërore imponohet pastërtia e kristaltë e Jisuit, ndërsa figura e korruptuar e Herodit zhytet në përbuzje. Sepse ky “fëmijë” që lind është në të vërtetë Biri i Perëndisë që ka pushtetin e vërtetë: “.... e do të quhet emri i tij engjëlli i këshillës së madhe, këshilltar i mrekullueshëm, Perëndi i fuqishëm, pushtetar, princ i paqes, atë i jetës së ardhshme” (Is.9:6)

Nga Anastasios Janullatos

Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë

Në ashpërsinë që mbizotëron në botë, Shpëtimtari vjen si “fëmijë”, duke theksuar që në çastin e parë dëlirësinë, që ka në vetvete dinamikë mistike dhe mundësi të panumërta. Me këtë pafajësi të qetë dhe pa frikë, Fjala e mishëruar e Perëndisë e shikon realitetin njerëzor të korruptuar e të mbushur me djallëzi dhe intrigë. “Sepse fëmija i sapolindur është simboli i paligësisë- meqë fëmija është krijesë e re”, thekson shën Kirilli i Aleksandrisë. Fëmija ka një bukuri me fuqi sa origjinale, aq edhe të brishtë.

Shpëtimtari i botës kërkoi nga të Tijtë dëlirësinë e zemrës - atje ku lindin dëshirat dhe predispozitat. Ai nuk kërkoi një shpresëtari sipërfaqësore, por pastërtinë e thellësisë së qenies. Më vonë, në moshë të pjekur, kur Krishti u përball me polemikën e farisenjve, të cilët gjoja kishin frikë Perëndie, dhe të saducenjve skeptikë, paralajmëroi: “Nëse nuk ktheheni dhe nuk lindni si fëmijët, nuk do të hyni në Mbretërinë e qiejve”. Dhe i bekoi e i përqafoi fëmijët, e tha: “Sepse e këtyre është mbretëria e Perëndisë” (Mark. 10:14), e gjithë atyre që janë si fëmijë në thjeshtësi, në mirësi. “E tyrja është, pra e gjithë atyre që kanë ndërtuar, prej natyrës, paligësinë e shpirtit dhe përulësinë me anë të vullnetit, gjë që fëmijët e kanë nga vetë natyra e tyre”, shpjegon kryepiskopi Theofilakt. Dhe Krishti këmbëngul: “Me të vërtetë, po ju them juve, ai që nuk e pranon mbretërinë e Perëndisë si fëmijë, nuk ka për të hyrë në atë” (Mark. 10:15, Lluk. 18:17).

Në një rast tjetër, duke përshkruar moralin, qëndrimin ndaj jetës së atyre që i njeh si të Tijtë, siguron: “lum ata që kanë zemër të pastër, se ata do të shikojnë Perëndinë” (Matth. 5:8). Pra, sa kanë zemër të pastër, do të shikojnë Perëndinë ballë për ballë dhe do të kenë marrëdhënie të vërtetë kungimi me Atë. Këta janë me të vërtetë të lumur.

* * *

“Fëmijë na lindi ne”. Pafajësia dhe dëlirësia e “fëmijës”, e Fjalës së mishëruar të Perëndisë, e “Adamit të ri”, shpejt do të përballej me zemërashpërsinë dhe djallëzinë e Adamit të vjetër dhe të rënë, të cilat dalin në pah me të gjithë intensitetin e tyre në personin e Herodit. “Shkoni e vëzhgoni mirë për djalin”, u kërkoi mbreti djallëzor të diturve të Lindjes, Magëve. “Edhe si ta gjeni, të më lajmëroni, që të vij edhe unë e t’i falem atij” (Matth.2:8). Pushtetari i korruptuar dhe i pandalshëm para asgjëje, bën plane për të mbaruar punë sa më shpejt me kërcënimin që mbart Jisui i sapolindur, dëlirësia e mishëruar. Historia e Krishtlindjes zbulon fare qartë konfliktin: Korrupsioni kundër dëlirësisë dhe, dëlirësia e mendimeve, predispozitave, shtysave kundër korrupsionit- të çdo lloj pushteti, të madh apo të vogël.

Në pamje të parë, përfundimi i konfliktit duket se është i paracaktuar. Shkatërrimi i dëlirësisë, mbizotërimi i korrupsionit duken të pashmangshme. Por, në këndvështrimin afatgjatë, në ndërgjegjen mbarëbotërore imponohet pastërtia e kristaltë e Jisuit, ndërsa figura e korruptuar e Herodit zhytet në përbuzje. Sepse ky “fëmijë” që lind është në të vërtetë Biri i Perëndisë që ka pushtetin e vërtetë: “.... e do të quhet emri i tij engjëlli i këshillës së madhe, këshilltar i mrekullueshëm, Perëndi i fuqishëm, pushtetar, princ i paqes, atë i jetës së ardhshme” (Is.9:6).

Pastërtia e Jisuit, shenjtëria e shpirtit të Tij, nuk ka asnjë lidhje me naivitetin dhe pafuqinë. Përkundrazi, ajo shfaqet e guximshme dhe e palëkundur. Jisu Krishti godet hipokrizinë, padrejtësitë, korruptimin. Kritika e Tij kumbon në mënyrë përcaktuese në vazhdën e historisë së botës, duke përmbysur sisteme të fuqishme e të korruptuara.

* * *

Lindja e “fëmijës” Jisu na çel sytë për të përqendruar vëmendjen tonë në pafajësinë dhe pastërtinë e syve fëmijërorë, në çdo qoshe të planetit tonë ku ata panë dritën për herë të parë. T’i shikojmë me respekt e dhembshuri dhe të shprehim për sa më shumë fëmijë që mundemi interesim johipokrit dhe me vepra.

Por më kryesorja, të kërkojmë përbrenda nesh, në thellësinë e shpirtit tonë, “fëmijën”, dëlirësinë, e cila e ndjekur nga ana egoiste e vetes sonë- gjë që të kujton një Herod të korruptuar- është mërguar në ndonjë cep të subkoshiencës sonë. Me gjithë ndryshimet që sjell jeta, çdo njeri fsheh në ndonjë anë të shpirtit të tij diçka nga pafajësia e tij fillestare fëmijërore. Le t’i japim pastërtisë dhe dëlirësisë- së mendimeve, predispozitave, shtysave- vendin e duhur në jetën tonë.

Sigurisht, janë të mira shpalljet dhe të dobishme vendimet për të luftuar korrupsionin. Është i nevojshëm kërkimi i metodave dhe sistemeve për ta mundur atë. Por, nga sa dalin në dritë çdo ditë, është treguar qartazi, se mënyrat dhe metodat e shmangies së masave ligjore janë më të shumta.

Korrupsioni buron nga mendja dhe zemra. Dhe pikërisht atje duhet, në mënyrë afatgjatë, bashkë me mjetet teknike të drejtpërdrejta, të drejtohet trajtimi kurues i shoqërisë sonë.

Duke filluar nga edukimi i drejtë i fëmijëve, i të vegjëlve dhe të mëdhenjve, duke i bërë ata të duan bukurinë e dëlirësisë dhe të ndershmërisë. Të mësojnë të urrejnë mashtrimin dhe jo të mburren për të. Të ndërgjegjësohen se sinqeriteti, karakteri i palëkundur dhe drejtësia, të gjitha këto forma të dëlirësisë edhe kur dikush është në moshë të pjekur, nuk janë dobësi, por cilësitë e karakterit fisnik dhe të paepur- që si përfundim mbetet gjëja më e vyer për familjen, shoqërinë dhe qytetërimin.

* * *

“Fëmijë na lindi ne”. Në këtë të kremte të madhe të Krishtlindjeve, le të lutemi me përgjëratë, që Fjala e mishëruar e Perëndisë të na falë diçka nga pafajësia e urtë dhe dëlirësia e Tij e patrembur. Le të na dhurojë pastërti në qëllimet, në ndjenjat, në shtysat dhe veprimet tona.

Dhe të na ndriçojë me fuqinë e së vërtetës dhe të dashurisë së Tij, të rezistojmë fort ndaj çdo forme korrupsioni- të jashtëm apo të brendshëm.

Krishtlindje të bekuara! Viti i Ri qoftë i mbushur me dritë dhe shpresë!

KOMENTE