English

Komisioni Hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit, negociata të reja PD-PS

Berisha: PS kërkon të përmirësojë Kodin duke shkelur Kodin, pranojmë 3 kushte por e kemi një të katërt: Ky hetim të bëhet në përputhje me vendimet e gjykatave dhe Kushtetutës. Kush janë 3 nenet që propozon PS

Tiranë, 24 Dhjetor 2010 NOA I plotë, minutë pas minute/ Ervin Tirana 03:38:09 – Vazhdojnë negociatat mes PD dhe PS për të ngritur një komision hetimor për zgjedhjet e kaluara parlamentare pasi palët nuk arritën një konsensus pas mesnate sic edhe pohoi deputeti socialist Fatmir Xhafaj në rifillimin e seancës së nisur paraditen e së enjtes e cila vazhdoi si maratonë.

Seanca plenare rifilloi në orën 02.15 të ditës së premte e drejtuar serish nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli e cila ia dha fjalën deputetit socialist Fatmir Xhafaj.

Ai tha se deputetët e PS kishin ardhur në seancë për të zgjidhur ngërçin ndaj tha se e mirëpritën propozimin e kryeministrit për të pasur një takim dypalësh.

“Për fat të keq nuk arritëm në një zgjidhje pozitive, për arsyen e thjeshtë se mazhoranca, megjithë përpjekjet e përbashkëta, vazhdoi të ishte refraktare, madje duke bërë hapa prapa”, - tha Xhafaj.

Ai tha se PS pranoi të modifikonte pikën e parë të propozimit për komisionin hetimor.

“Sa i përket pikës së dytë që lidhet me shumicën që kontrollon këtë komision, patëm hap prapa pasi mazhoranca ofroi një zgjidhje të dyshimtë”, - tha Xhafaj duke evidentuar se nuk ishte pranuar nga PS varianti i pasjes së mazhorancës në komision nga PD por dy prej tyre të tërhiqeshin, pasi ishte hedhur poshtë kërkesa e opozitës që kryetari të ishte i PS dhe të kishte 3 vota njëherësh.

Më tej Xhafaj u ndal edhe te pika 3 e kërkesës së PS ku deklarohej se nuk ka pretendim për fletët e votimit por për materialet zgjedhore.

Xhafaj tha se “ne kërkojmë një vendim me tre pika apo 3 nene, hetim të zgjedhjeve mbështetur në kutitë me materialet zgjedhore, me drejtim nga PS dhe me shumicë vendimmarrje që e ka opozita ndërkohë që shumicën numerike e ka mazhoranca”.

Xhafaj këtu renditi saktësisht tre pikat:

1. Ngrihet komisioni hetimor parlamentar që shqyrton kutitë

2. Komisioni drejtohet nga opozita

3. Komisioni përbëhet nga tetë anëtarë të mazhorancës dhe opozitës dhe kryetari ka të drejtën e vlerës së tre votave.

Xhafaj theksoi se këto tre pika i ka kërkuar më herët Parlamenti Evropian duke vlerësuar më tej se “ky është rasti më i mirë që nëse kemi vullnetin ideal, të gjejmë këtë formulë kompromisi që është as e jona as e juaja por e Parlamentit Evropian”, deklaroi z.Xhafaj duke iu drejtuar sallës që kishte përballë dhe kryeministrit që ndodhej nga pas në kolltukët e kabinetit qeveritar.

Në vijim të fjalës së tij Xhafaj theksoi se opozita është kundër djegies së kutive të votimit ndërkohë që është paralajmëruar të enjten nga KQZ se për kutitë e votimeve të zgjedhjeve të kaluara parlamentare dhe fatin e tyre do të vendoset më 29 dhjetor 2010.

KQZ pohoi se përfshinte në këtë projektvendim jo vetëm kutitë me fletët e votimit por edhe ato me materialet zgjedhore. KQZ pohoi se këto aksesorë janë të nevojshëm për t’i përdorur për zgjedhjet e ardhshme vendore të 8 majit 2011 duke pohuar se materialet brenda kutive ku përfshihen fletët e votimit dhe sendet e tjera do të asgjësohen me djegie. KQZ thekson se këto kuti duhet të jenë të gatshme për procesin zgjedhor të paktën tre muaj para 8 majit.

Sipas z.Xhafaj ligji parashikon deri 24 muaj mbajtje të kutive të votimit.

Menjëherë pas z.Xhafaj e mori fjalën shefi i qeverisë i cili tha se kompromisi është plotësisht i mundshëm.

“Deputetët është e nevojshme të dinë se ne ofruam në takim që të shkruajmë se pranojmë që opozita të ketë shumicën faktike”, - tha Berisha.

“Ju kërkoni të bëni një hetim për të përmirësuar Kodin duke shkelur Kodin. Kjo është tronditëse. Kjo është jashtë çdo lloj logjike”, tha Berisha duke ftuar socialistët që të respektojnë Kodin Zgjedhor.

Po ashtu Berisha u kujtoi socialistëve se ky Kod është krijuar prej tyre dhe mazhorancës aktuale.

“Ju doni të luftoni për një Kod më të mirë duke shkelur Kodin që kemi votuar me një marrëveshje”, tha Berisha duke theksuar se një gjë e tillë nuk do të lejohet.

Më tej Berisha tha se u ka ofruar socialistëve që të shkojnë në gjykatë për të ankimuar zgjedhjet dhe kërkesën për hapjen e kutive të votimit.

Vetëm në këtë mënyrë tha Berisha, mund të ndalet djegia e fletëve të votimit, duke shtuar se në të kundërt nevojiten katër milionë euro për të përgatitur kutitë e zgjedhjeve të ardhshme vendore. Berisha tha se një shpenzim i tillë është i panevojshëm e i papranueshëm.

Në fund të deklaratës së tij Berisha i ofroi opozitës duke iu drejtuar z. Xhafaj se ishte i gatshëm të pranonte tre pikat e parashtruara prej tij me kusht që PS të pranonte pikën e vetme siç tha Berisha, që “ky hetim të bëhet në përputhje me vendimet e gjykatave dhe Kushtetutës”.

Berisha theksoi se e bënte këtë kërkesë me qëllim që të respektojë deri në fund vendimet e gjyqësorit në Shqipëri dhe Kodit Zgjedhor.

Pas Berishës e mori fjalën z. Gramoz Ruçi, kryetar i Grupit Parlamentar të PS.

“Para dy muajsh në një pritje, përfaqësuesi i delegacionit të BE kërkoi që opozita të hiqte dorë nga fletët e votimit dhe këtë duhet ta thoni”, - citoi Ruçi.

Ai tha se të nesërmen e asaj dite, Edi Rama deklaroi në emër të opozitës pikërisht këtë gjë. Megjithatë tha z. Ruçi, prej një viti e gjysmë, kryeministri po mban peng këtë hetim.

“Ne jemi ligjvënës dhe kemi të drejtë të kërkojmë të dijmë se si është zbatuar ligjshmëria dhe këtë kontroll duam ta bëjmë te kutitë e materialeve zgjedhore”, tha Ruçi duke këmbëngulur më pas se edhe në rezolutën e Parlamentit Evropian por edhe në ofertën e mazhorancës ishte kërkuar dhe ofruar pikërisht kjo që po refuzohej sot.

“Bëj ç’të duash me fletët e votimit, ne na mjaftojnë kutitë me materialet zgjedhore”, - tha Ruçi.

Pas Ruçit sërish e mori fjalën kryeministri Berisha. Ai theksoi se çështja e mazhorancës së komisionit është e zgjidhur por theksoi se ajo që mbetet është të sanksionohet se hetimi do të bëhet në përputhje të plotë me vendimet e gjykatës Kushtetuese dhe Kodit Zgjedhor.

Berisha akuzoi opozitën se nuk do as të bëjë komisionin as të bëjë hetimin dhe për më tepër, nëse priret të krijojë komision hetimor parlamentar, nuk dëshiron të përfillë ligjin.

Pas Berishës e mori fjalën kreu i Grupit Parlamentar të PD, Astrit Patozi që tha se jemi vetëm një hap larg marrëveshjes por vlerësoi se opozita nuk dëshiron të ngrihet komisioni hetimor pasi në të kundërt nuk do të refuzonte pikën e kërkuar nga mazhoranca që hetimi të kryhet duke respektuar vendimet e gjykatave dhe bazuar në Kushtetutën dhe ligjet e vendit.

Pas Patozit ka rimarrë fjalën Berisha, i cili pas një telefonate të shkurtër që kreu ndërsa përmbyllte fjalën Patozi, bëri thirrje që të votohet ngritja e komisionit hetimor parlamentar bazuar me 3 pikat e propozuara nga Xhafaj dhe pika e katërt propozuar prej tij.

Këtu ka pasuar me fjalën e tij Ruçi i cili në emër të opozitës refuzoi të pranojë pikën e katërt të ofruar nga Berisha që lidhet me hetim në respekt të ligjit dhe vendimeve gjyqësore.

Ruçi deklaroi më tej se: “Ky komision hetimor do të kontrollojë si është zbatuar Kodi Zgjedhor dhe këtë do ta bëjmë duke shqyrtuar kutitë e materialeve zgjedhore”.

Në fund të ridaljes së tij, Ruçi shprehu sigurinë se vetëm Berisha ishte çelësi i zgjidhjes së kësaj situate.

Menjëherë pas Ruçit rinisi të flasë kryeministri duke përsëritur ftesën që të pranohet ngritja e komisionit hetimor mbështetur në 3 pikat e propozuara nga z.Xhafaj dhe të katërtën e kërkuar nga Berisha.

Shefi i qeverisë përmendi dhe variantin e parë të projektit, hedhur në “treg” nga mazhoranca që siguron po ashtu shumicë drejtimi nga PS.

Duke përfunduar, Berisha siguroi se nuk do të ketë tolerim tjetër.

Në këtë pikë, Ruçi kërkoi që palët PD e PS të ritakohen për një tjetër negocim që ndërpreu sërish seancën në orën 03.35

***

Këto zhvillime erdhën pasi dy deputetë të Partisë Demokratike dhe dy të Partisë Socialiste, anëtarë të Komisionit Parlamentar të Ligjeve, u mblodhën pas mesnatës duke hyrë dita e Premte, në një mbledhje që u tha se do të ishte disaminutëshe për të amenduar nenet e Komisionit Hetimor Parlamentar të kërkuar nga opozita për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit 2009. Takimi vijoi për afro dy orë por konkludoi pa asnjë rezultat.

e.t/NOA

KOMENTE