English

Përjashtimi nga zona Shengen, Bukureshti dhe Sofja të befasuara

Bukuresht, 24 dhjetor, NOA – Gjermania dhe Franca njëherë për njëherë nuk duan të miratojnë hyrjen e Bullgarisë dhe të Rumanisë në zonën Shengen. Rumania e ka cilësuar këtë qëndrim diskriminues, ndërkohë që Bullgaria tregon më shumë mirëkuptim.

Sipas pikëpamjes rumune dhe bullgare gjithçka shkon mirë me përgatitjen për pranimin e këtyre dy vendeve në zonën Shengen.

Në kufi nuk ka më asnjë kontroll personash dhe garantohet udhëtimi pa pengesa deri në Norvegji dhe Zvicër: kjo duhej të bëhej realitet edhe për rumunët dhe bullgarët deri në mars të vitit të ardhshëm. Ajo që i befason më shumë tani qeveritë në Bukuresht dhe në Sofje është një letër e ministrave të Brendshëm të Gjermanisë dhe të Francës drejtuar Komisionit të BE-së, përmes së cilës ky afat vihet qartë në pikëpyetje. Presidentit rumun Traian Basescu shprehet me indinjatë të thellë: "Të dy ministrat diskriminojnë Rumaninë dhe popullin rumun, pasi njëkohësisht me anëtarësimin në BE ne kemi fituar edhe të drejtën për të qenë pjesë e zonës Shengen.“

Por Basescu e di ndoshta edhe vetë që kjo nuk është plotësisht e vërtetë. Ai megjithatë akuzon qeveritë franceze dhe gjermane se përdorin kritere të ndryshme vlerësimi: "Anëtarësimi i një vendi në zonën Shengen varet vetëm nga kushtet teknike. Të gjitha raportet e BE-së vërtetojnë se Rumania i ka përmbushur këto kushte. Edhe raporti i fundit, i cili ka dalë pikërisht në dhjetor."

Mangësi në fushën e drejtësisë si dhe në luftimin e korrupsionit dhe të kriminalitetit të organizuar

Në Ministrinë e Brendshme në Berlin kanë tjetër mendim, dhe me sa duket edhe në Paris. Atje thuhet: mangësitë në fushën e drejtësisë si dhe në luftimin e korrupsionit dhe të kriminalitetit të organizuar mund të kenë pasoja të rënda për sigurinë e brendshme në BE, në rast anëtarësimi të Bullgarisë dhe Rumanisë në Shengen. Për këtë arsye një vendim për afatin e anëtarësimit mund të merret vetëm pasi të konstatohen përparime të dukshme dhe afatgjata.

Presidenti rumun nuk e mohon aspak, që në letrën e drejtuar Komisionit preken pika të ndjeshme. Por ai vlerëson si të palejueshme kushtëzimin e tyre me anëtarësimin në Shengen: "Këto pika nuk janë përmendur asnjëherë si kushte për pranimin në zonën Shengen. Për këtë arsye ne kemi ndjenjën e diskriminimit. Për ne duhet të vlejnë të njëjtat kushte pranimi si për të tjerët, ashtu siç është e përcaktuar në marrëveshjen e anëtarësimit në BE.“

Sofja: Deri në mars ne duam të përfundojmë të gjitha përgatitjet teknike

Reagimi nga Sofja ndaj vonimit të mundshëm të pranimit në zonën Shengen është dukshëm më i përmbajtur. Ministri i Brendshëm Tsvetan Tsvetanov vë në dukje se Bullgaria do t'i përmbahet planit të deritanishëm kohor dhe kërkon dialogun e hapur me organet përgjegjëse të BE-së për të gjitha pikat e kontestuara: "Ajo çka lexojmë sot në gazeta nuk e ndryshon në asnjë mënyrë programin tonë të punës. Deri në mars ne duam të përfundojmë të gjitha përgatitjet teknike”.

Ministri i Brendshëm bullgar lë madje të kuptohet një masë mirëkuptimi për qëndrimin e Gjermanisë dhe të Francës, të cilat duket se duan të presin ende për pranimin në Shengen të dy anëtareve të rinj të BE-së: "Raportet e ardhshme të Komisionit të BE-së do të luajnë me siguri një rol të madh. Deri tani puna e policisë sonë dhe vullneti politik për përmbushjen e të gjitha kritetereve, janë vlerësuar pozitivisht. Por ka pasur edhe nja dy raporte negative. BE-ja dëshiron një tendencë pozitive afatgjatë.“

Në fillim të janarit ekspertët e BE-së do të vlerësojnë sërish përparimet e Rumanisë dhe të Bullgarisë në rrugën drejt pranimit në zonën Shengen.

DW

KOMENTE