English

Themeluesi i Wikileaks strehohet në shtëpinë e kosovares

Londër, 24 dhjetor, NOA - Zbuluesi i sekreteve të mëdha botërore, Julian Assange, strehohet në shtëpinë dhe klubin e një kosovareje.

“The Daily Besat” shkruan se quhet Pranvera Shema dhe është e martuar me gazetarin britanik, Vaughan Smith, me të cilin ka dy vajza. Të dy janë pronarë të klubit gazetaresk në Londër, Frontline, ku janë marrë pamjet e Assange me flamurin kuq e zi pas.

Ndërkohë, çiftelia gjendet në shtëpinë e Pranverës, aty ku Assange dha intervistën e parë pas daljes nga burgu për BBC-në, në Suffolk, 130 kilometra larg Londrës.

Vaughan Smith është mik me Assange që nga viti 2000 dhe i ka ofruar strehim.

“Do të jenë Krishtlindje jo të zakonshme për mua, Pranverën dhe dy vajzat tona”, ka thënë Smith.

Britaniku ka raportuar në vende të ndryshme të botës, duke përfshirë Kosovën.

Ai krijoi Frontline Television News gjatë Revolucionit rumun në vitin 1989. Dy nga 4 themeluesit e televizionit u vranë duke raportuar. Një nga të mbijetuarit Peter Jouvenal, ishte i vetmi në botë që xhiroi krerët e Al-Qaedas, Osama Bin Laden dhe Mullah Omar. Para se televizioni i tij të mbyllej 8 anëtarë të ekipit u vranë.

Për t’i kujtuar ata, Smith e hapi Frontline Club, një klub ku mblidhen e diskutojnë gazetarët. Aty ai ende mban telefonin e tij celular që u godit nga një plumb gjatë një masakre në Kosovë, në vitin 1998.

Vitin e kaluar Vaughan dhe Pranvera ishin në Tiranë dhe Prishtinë për të mbajtur tryezë diskutimi për mediet moderne.

Ata do ta strehojnë Assangen, përderisa nuk vendoset për ekstradimin e mundshëm në Suedi ose SHBA, ose vazhdimin e gjykimit në Londër.

NOA

KOMENTE