English

Dick Marty, ja intervista e proserbit që sulmon pavarësinë e Kosovës

Proserbi Dick Marty ka dhënë një intervistë më 20 shkurt 2008, vetëm 3 ditë pasi Kosova u bë Republikë e pavarur dhe e mëvetësuar duke kundërshtuar hapur ëndrrën e realizuar të shqiptarëve të Kosovës dhe sulmuar edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në intervistën që gjeni të plotë më poshtë, Marty flet mbi qëndrimet e tij kundër ndërhyrjes së NATO-s në Kosove, kundër pavarësisë, etj. "Bombardimi i NATO-s ndaj Serbisë ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe nuk u shërbeu qëllimeve humanitare por interesave strategjike të SHBA", - deklaron Dick Marty në intervistën dhënë gazetës zvicerane "Tagesanzeiger".

Intervista dhënë gazetares Christina Leutwyler mban titullin “Imazhi i serbëve të këqij nuk është i vërtetë”, si citat i Marty. “Kosova nuk është gati për pavarësi. Ajo është qendër për tregtinë e drogës dhe të qenieve njerëzore”, - deklaronte anëtari i Liberalëve në Dhomën e Vogël të Parlamentit zviceran, Dick Marty, duke u shprehur kundër njohjes së shtetit të Kosovës si një proserb i mirëpaguar.

Bundesrati duhet të vendosë nëse duhet ta njohë Kosovën si shtet të pavarur. Më përpara është dëgjuar Komisioni për Politikën e Jashtme, kryetari i së cilës jeni ju. Çfarë këshilloni ju?

Të paktën të jemi të kujdesshëm. Kosova po shkëputet nga Serbia pa dëshirën e Beogradit. Deri tani OKB-ja nuk ka njohur akoma asnjë shtet që është krijuar nga një shkëputje e tillë. Edhe vetëm për këtë duhet të jemi të kujdesshëm.

Çfarë doni të thoni konkretisht me këtë?

Unë nuk e kam kuptuar asnjëherë përse Ministrja e Jashtme Micheline Calmy-Rey që para dy vitesh është deklaruar pro pavarësisë së Kosovës.

A ishte ky një gabim?

Sipas pikëpamjes time, po. Ndoshta ajo nuk është konsultuar paraprakisht me Bundesratin, dhe me parlamentin jo që jo. Sidoqoftë ne i kemi zemëruar serbët, me të cilët ne kemi një marrëdhënie të veçantë. Në FMN dhe Bankën Botërore (BB) ata bëjnë pjesë në Grupin tonë me të drejtë vote.

Sa real është rreziku që për këtë arsye Zvicra të humbasë vendin e vet në Këshillat Ekzekutivë të FMN-së dhe BB-së?

Për këtë pyetje akoma nuk kam marrë një përgjigje të qartë. Nëse nga Grupi i Zvicrës me të drejtë vote do të tërhiqej vetëm Serbia, kjo nuk do të përbënte problem. Por kjo nuk është e sigurt. Nëse Serbia do të tërhiqte pas vetes shtete të tjera, padyshim që gjendja do të bëhej shumë e vështirë. Nisur nga roli jonë financiar, do të ishte keq nëse Zvicra do të humbiste vendin e vet. Në një rast të tillë do t’i duhej të kërkonte mbështetjen e një shteti tjetër dhe kjo do të ishte e shtrenjtë.

Atëherë më mirë marrëdhënie të mira me Serbinë sesa me Kosovën?

Sllobodan Millosheviçi nuk më ka pëlqyer kurrë dhe nuk e kam mbrojtur kurrë. Por ne nuk duhet që bëmat e tij t’ua ngjeshim tërë serbëve. Unë kam përshtypjen se ne po kriminalizojmë një popull të tërë. Nëse ne mund të mësojmë diçka nga historia, atëherë është kjo: kurrë të mos përdhoset një popull.

A mos po i bini lehtë duke anashkaluar faktin se nën Millosheviçin Kosovës iu hoq autonomia dhe shqiptarët janë shtypur brutalisht?

Unë nuk e vë në diskutim atë që ka bërë Millosheviçi. Por gjithashtu unë nuk besoj se Ushtria Çlirimtare e Kosovës, UÇK, është kaq e pafajshme. Dhe nuk mund të mohohet se Kosova sot është një nga qendrat më të mëdha të krimit të organizuar: tregti të qenieve njerëzore, drogës dhe armëve.

Flasin këto kundra pavarësisë? Ose thënë ndryshe, a mund të ishte luftuar kriminaliteti më mirë nëse Kosova do të kishte qëndruar me Serbinë?

Për fat të keq kriminaliteti është rrënjosur këto 10 vitet e fundit, gjatë të cilave Kosova ishte nën administrim ndërkombëtar. Çdo prokurori e Evropës ndjek sot ndonjë gjurmë që të shpie në Kosovë. Njerëzit atje nuk kanë asnjë perspektivë ekonomike. Gjendja ekonomike është e shkatërruar, papunësia tepër e lartë, krahina është shumë e varur nga dërgesat e parave nga jashtë. Kosova nuk është aspak e gatshme për pavarësi. Nën administrimin ndërkombëtar asgjë nuk është përmirësuar. Administrimi ndërkombëtar ka dështuar.

A jeni në thelb kundër pavarësisë së Kosovës?

Unë nuk them se një Kosovë e pavarur është e pamendueshme. Por është dashur të bëhet më shumë që provinca të bëhej fillimisht autonome, përpara se të merrte pavarësinë. Unë pyes se çfarë garancish ka tani për minoritetin serb dhe rom. Imazhi i kosovarëve të mirë nga njëra anë dhe i serbëve të këqij nga ana tjetër nuk është i vërtetë, sikurse nuk është e vërtetë edhe e anasjella.

I Ngarkuari i Posaçëm i OKB-së, Martti Ahtisaari, është munduar të ndërmjetësojë mes Beogradit dhe Prishtinës. Por negociatat mbetën pa sukses.

Këto nuk ishin kurrë negociata të vërteta, por vetëm një teatër. Vetëm BE-ja mund të kishte bërë negociata të vërteta, duke bërë një hap më afër serbëve.

Si?

BE-ja mund t’u kishte dhënë Serbisë dhe Shqipërisë statusin e kandidatit për anëtarësim dhe krahas këtij avantazhi t’u kishte dhënë detyrimin që të bashkëpunonin për një zgjidhje të problemit të Kosovës. Por përherë është supozuar se Serbia mbron të akuzuarit si kriminelë lufte Radovan Karadziç dhe Radko Mlladiç. Kjo ka bllokuar gjithçka. Në këtë kontekst jam kritik edhe ndaj rolit politik që ka luajtur Karla del Ponte gjatë kohës së saj si Kryeprokurore e Gjykatës së Krimeve të Luftës për ish-Jugosllavinë. Më këtë ajo vetëm sa ka forcuar nacionalistët serbë.

Por BE-ja është sjellë ndryshe dhe është fakt se Kosova ka shpallur pavarësinë.

Si zviceranë tani duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Në Ballkan nuk ka mure të rinj por censurë: Nga njëra anë qëndron Serbia dhe Rusia, nga ana tjetër Kosova, shumica e BE-së dhe SHBA. Bombardimi i NATO-s ndaj Serbisë ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe nuk u shërbeu qëllimeve humanitare por interesave strategjike të SHBA-së. Ne duhet të jemi të kujdesshëm nëse duam që neutraliteti jonë të ketë akoma kuptim.

Kjo po tingëllon tani si tek SVP (Partia Popullore Zvicerane)...

Unë nuk e kuptoj përse duhet të ndryshoj mendim, vetëm se rastësisht edhe SVP shprehet në të njëjtën mënyrë.

Në Ballkan nuk ka asnjë konflikt të armatosur, për të cilin Zvicra do të duhej të ishte neutrale.

Por ka dy kampe të qarta. Nëse ne njohim Kosovën shpejt, kështu ne bëhemi palë me njërën anë pa përfituar ndonjë gjë.

Megjithatë 1/10 e popullsisë kosovare jeton në Zvicër. Ne kemi interes që vendi i tyre të jetë i stabilizuar dhe të zhvillohet ekonomikisht. Calmy-Rey ka bërë të ditur se në një Kosovë të pavarur Zvicra mund të nënshkruajë marrëveshje investimesh.

Po çfarë mund të sjellë kjo, derisa pronësitë imobiliare janë të paqarta dhe pronarët e tyre janë larguar për në Serbi?

Me siguri që ka prona me pronësi të qartë në të cilat mund të ndërtohet një aktivitet ekonomik.

Atëherë përse nuk e njohim ne Tajvanin? Ishullí është ekonomikisht i pavarur dhe ka demokraci. Nëse në vend të Pekingut do të kishim të bënim me Beogradin, atëherë do ta kishim njohur tashmë Tajvanin.

Zvicra ka marrëdhënie të ngushta me Kosovën.

Në Tessin (kanton në pjesën italishtfolëse të Zvicrës) jetojnë pesë ose gjashtë mijë serb, që janë të integruar shumë mirë dhe që lujanë një rol të rëndësishëm kryesisht në fushën e shëndetësisë. Por unë nuk dua të bëhem avokat i serbëve. Unë thjesht po provoj mos të notoj bashkë me të tjerët në rrymën prokosovare.

Atëherë çfarë do e këshillonit Bundesratin sot në mbledhjen e Komisionit për Politikë të Jashtme?

Ne duhet ta bisedojmë këtë në komision. FDP (Liberalët) dhe SP (Partia Socialdemokrate) janë shprehur për një njohje të shpejtë të pavarësisë, për mendimin tim, pa u thelluar mjaftueshëm në problematikë.

A duhet që Zvicra mos ta njohë Kosovën?

Për mendimin tim, ne duhet të presim dhe të shohim se çfarë do të ndodh. Veçanërisht me të drejtat e minoriteteve.

LEXONI DHE INTERVISTEN PLOT AKUZA TE DYSHIMTA NE "THE GUARDIAN"

Faqja e gazetës "The Guardian" ku është publikuar shkrimi...

14.12.2010
Gazeta britanike “The Guardian” ka botuar pjesë të një raporti të Këshillit të Evropës mbi krimin e organizuar, ku thuhet se “kryeministri i Kosovës është kreu i një grupi shqiptar të tipit mafia”, përgjegjës për kontrabandimin e armëve, drogës dhe organeve njerëzore”. Sipas raportit, “Hashim Thaçi është identifikuar si ‘bosi’ i një rrjeti që filloi operimin me reket kriminal pas luftës së Kosovës dhe mbajti ndikimin e tij të fuqishëm mbi qeverisjen e vendit që nga ajo kohë”. Raporti i hetimeve dyvjeçare, që citon FBI-në dhe shërbimet tjera të fshehta, është siguruar nga “The Guardian”. Raporti thuhet se përmend Thaçin si një njeri që në dekadën e fundit ka ushtruar “kontroll të dhunshëm” mbi tregun e heroinës. Figurat nga rrethi i afërt i Thaçit, shkruan gazeta, janë akuzuar se pas luftës, “në mënyrë të fshehtë kanë dërguar të burgosur përtej kufirit me Shqipërinë, ku disa serbë thuhet se janë vrarë për shkak të veshkave të tyre, të cilat janë shitur në tregun e zi”. Hetuesi për të drejtat e njeriut, Dik Marti, që ka hulumtuar rastin, do ta paraqesë raportin para diplomatëve evropianë të të gjitha 47 vendeve anëtare, në një takim që mbahet në Paris këtë të enjte. Raporti sugjeron se “lidhjet e Thaçit me krimin e organizuar datojnë që më shumë se një dekadë, kur ata që ishin lojalë ndaj grupit të tij të Drenicës, u bënë fraksion dominues brenda UÇK-së”, transmeton “The Guardian”. Në raport thuhet se epërsia e grupit ndaj grupeve të tjera më të vogla në lëvizjen guerile mundësoi që nga viti 1998, Grupi i Drenicës të marrë kontrollin ndaj “ndërmarrjeve më të paligjshme kriminale”, në të cilat ishin të përfshirë kosovarët në jug të kufirit në Shqipëri. Ndërsa kritikoheshin masakrat serbe, Marti thotë se komuniteti ndërkombëtar zgjodhi që t’i injorojë dyshimet për krime lufte të kryera nga UÇK-ja, “duke vendosur në vend të kësaj çmimin e arritjes së një lloj stabiliteti afat-shkurtër”, transmeton në vazhdim “The Guardian”. Ai thotë se "gjatë luftës së Kosovës dhe pothuaj një vit pas, forcat e Thaçit u hakmorën ndaj serbëve, romëve dhe shqiptarëve, që akuzoheshin se kishin 'bashkëpunuar' me armikun". “The Guardian” shkruan se Thaçi dhe katër anëtarë të tjerë të Grupit të Drenicës përmenden në raport se kanë kryer “vrasje, burgime, rrahje dhe frikësime”. Gjithnjë, sipas “The Guardian”, ky fraksion i ashpër i UÇK-së ka pasur fuqi të konsiderueshme në Qeverinë e Kosovës në dekadën e fundit, edhe me mbështetjen e fuqive perëndimore, që donin të siguronin stabilitet në shtetin e sapolindur. Duke cituar raportin e Dik Martit, gazeta “The Guardian” shkruan se “ish komandantët e UÇK-së kanë luajtur rol thelbësor në aktivitetet kriminale në dekadën e fundit”. “Në raportet konfidenciale që kanë qarkulluar për më shumë se një dekadë kushtuar luftës ndaj kontrabandimit me drogë, të paktën pesë shtete e kanë përmendur Hashim Thaçin dhe anëtarët tjerë të Grupit të Drenicës se kanë ushtruar kontroll të dhunshëm mbi tregun e heroinës dhe narkotikëve tjerë”, citon “The Guardian” raportin e përpiluar nga Dik Marti. Marti ka shtuar se “Thaçi dhe anëtarët tjerë të Grupit të Drenicës janë përmendur në vazhdimësi në raportet e shërbimeve të fshehta si “lojtarët kryesorë” në strukturat e tipit mafioz të krimit të organizuar. “Unë i kam ekzaminuar këto raporte të ndryshme voluminoze me tmerr dhe zemërim moral”, ka thënë Marti. “The Guardian” shkruan se raporti thekson se “UÇK-ja ka mbajtur kryesisht të burgosur serbë në një rrjet të fshehtë në 6 objekte të paraburgimit në Shqipërinë veriore”. Grupi i Drenicës i Thaçit “bart përgjegjësi të lartë për të burgosurit ‘ad-hoc’ dhe për fatin e atyre që i kanë mbajtur në burgje”, citohen pjesë të raportit nga “The Guardian”. Gazeta britanike, duke cituar raportin, sqaron se bëhet fjalë për një “grusht” të burgosurish, që thuhet se “janë transferuar në një burg të improvizuar në veri të Tiranës, kur janë vrarë për t’iu marrë veshkat”. Në raport, sipas gazetës “The Guardian”, konstatohet se “kur kirurgët e transplantimit kanë konfirmuar se janë në pozicion dhe të gatshëm për të vepruar, të burgosurit janë sjellë në ‘shtëpinë e sigurt’ veç e veç, për t’u vrarë menjëherë nga një pjesëtar i armatosur i UÇK-së, ndërsa trupat e tyre janë transportuar me shpejtësi në klinikë”. Marti është kritik ndaj fuqive perëndimore, të cilat kanë ofruar një rol mbikëqyrës në bërjen e Kosovës shtet, se kanë dështuar që t’i mbajnë përgjegjëse figurat e larta, përfshirë edhe vetë Thaçin. Ai ka kritikuar për “ngurrim të vullnetit politik nga ana e komunitetit ndërkombëtar, që në mënyrë efektive t’i ndjekë ish-liderët e UÇK-së”. Dik Marti, sipas gazetës “The Guardian”, ka thënë se “shenjat e bashkëpunimit në mes të klasave kriminale dhe përgjegjësve të zyrave më të larta politike dhe institucionale, janë të shumta dhe shumë serioze për t’u injoruar”. “Është e drejtë fundamentale e qytetarëve të Kosovës që të dinë të vërtetën, gjithë të vërtetën, dhe po ashtu është kusht i domosdoshëm për ripajtimin në mes të komuniteteve dhe të ardhmes prosperuese të vendit”, citohet të ketë thënë Marti. Nëse raporti miratohet formalisht nga komiteti këtë javë, gjetjet do të shkojnë në Asamblenë Parlamentare në vitin e ardhshëm, përfundon shkrimin gazeta britanike “The Guardian”.
KOMENTE