Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Halil Matoshi: Qeveria teknike, e çon Kosovën në zgjedhje të reja
English

Halil Matoshi: Qeveria teknike, e çon Kosovën në zgjedhje të reja

Prishtinë, 26 dhjetor, NOA - Objektivisht është lënduar procesi zgjedhor dhe KQZ-ja është dashur t’i anulojë zgjedhjet në tërësi, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Halil Matoshi, analist politik.

Zoti Matoshi, fillimisht si e vlerësoni përgjithësisht procesin zgjedhor dhe çka prodhuan zgjedhjet për skenën politikë?

Shikuar objektivisht, në Kosovë është krijuar miti për zgjedhje të lira, sepse edhe në vitin 2007, por edhe në vitin 2009 kemi pasur manipulime masive me votën e lirë të qytetarit.
Por, atëherë, sidomos në vitin 2007 në zgjedhjet e përgjithshme, subjektet politike e shisnin manipulimin me votën si çështje madhore se kemi përpara shpalljen e pavarësisë etj, ndërkaq e gjithë kjo që Kosova nuk ka një proces normal zgjedhor, u pa më 12 dhjetor, kur ndodhi vjedhja industriale e votës, siç po quhet nga diplomatët e huaj.
Kjo, në vend se të krijonte një pushtet legjitim, objektivisht e çoi Kosovën në krizë edhe më të thellë institucionale, e cila unë po dyshoj se do të marrë një zgjidhje pozitive më 9 janar, sepse hetimet e Gjykatës Supreme tashmë kanë filluar për shumë abuzime, jo vetëm në Skënderaj, Drenas dhe Deçan, ku do të përsëriten zgjedhjet, por edhe në qendrat tjera të Kosovës. Dhe, kur kemi parasysh se Kosova është një zonë e vetme zgjedhore, atëherë nuk ka kuptim që të anulohen ato vetëm në një komunë ose në një vendvotim.
Objektivisht, është lënduar rëndë procesi zgjedhor, sa që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është dashur detyrimisht t’i anulojë zgjedhjet në tërësi dhe me një dekret të presidentit në detyrë të shpallen zgjedhjet e përgjithshme në afat kushtetues brenda tre muajsh. Ndërkohë, do të duhej të ndërtohej një qeveri kujdestare, ose, siç thuhet, teknike.

A ka rrezik që edhe Kosova të injektohet nga modeli i Shqipërisë në kuptimin e asaj që ka ndodhur me zgjedhjet atje?

Unë nuk do të thosha pikërisht sikurse atje, sepse po infektohet edhe procesi i zgjedhjeve në Kosovë sipas modelit shqiptar, për arsye të thjeshtë se atje ende ka probleme, edhe pse ka gati dy vjet që kanë kaluar zgjedhjet. Por, fundja, ne nuk mund ta akuzojmë opozitën pse kërkon edhe atje hapjen e kutive, sepse shihet qartë se gjithkund në rajonin tonë, e posaçërisht në hapësirat gjeografike shqiptare me votën e lirë manipulohet paskrupullt dhe unë i jap të drejtë opozitës atje që të kërkojë hapje të kutive dhe të kërkojë normalizim të procesit zgjedhor.
Pa zgjedhje të lira, dhe të ndershme, nuk mund të ndërtohet as demokracia, e as pushteti legjitim. Dhe, me këso zgjedhjesh, ne do të kemi vazhdimisht deficite të mëdha të demokracisë.

Në kalkulimet e para pas zgjedhjeve, madje edhe pas një takimi që u tha se ishte i rastësishëm i kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës dhe kryetarit të Aleancës Kosova e Re, u përmend formula e formimit të qeverisë mes këtyre dy partive dhe pakicave. Si e shihni ju një mundësi të tillë?

Ky pothuajse për momentin duket të jetë versioni i vetëm, ose formati i vetëm i një qeverisjeje në Kosovë, domethënë PDK-ja e zotit Thaçi, me AKR-në e zotit Pacolli dhe satelitët tjerë që i ka brenda (AKR-ja), si dhe me partitë e komuniteteve jo shumicë në Kosovë.
Mirëpo, kur e kemi parasysh se mbetet në opozitë një LDK (Lidhja Demokratike e Kosovës), e reformuar dhe me një lider të ri, nëse mbetet në opozitë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës që edhe ashtu ka qenë prej mandatit të kaluar në opozitë dhe e ka mësuar sjelljen në mënyrë opozitare, gjithashtu kur kemi parasysh Lëvizjen Vetëvendosje - një zë shumë i fuqishëm dhe paksa ndryshe nga oponenca tjetër, atëherë në qeveri e tillë që e pretendon zoti Thaçi nuk do ta mbijetonte presionin politik as gjashtë muaj dhe sërish besoj se do të kishim zgjedhje të lira brenda vitit 2011.

Sa do të jetë i vështirë formimi i një qeverie të tillë?

Po duket se me gjithë përplasjet që i kanë këto dy subjekte politike, posaçërisht kur dihet se AKR-ja e zotit Pacolli kërkon ministri, të cilat kanë të bëjnë kryesisht me ekonominë dhe financat dhe kur kemi parasysh se nënkryetarja e kësaj partie, zonja Mimoza Kusari, ka thënë se AKR-ja kurrë nuk do të qeverisë me njerëz që janë nën hetime të EULEX-it, ose që janë të inkriminuar në një mënyrë apo një tjetër, duke aluduar pikë së pari tek ish-ministri i Transporteve, zoti Fatmir Limaj, kjo vërtet do të jetë e vështirë.
Megjithatë, edhe nëse tejkalohen ndasitë dhe bëhet ky koalicion, unë mendoj se ky do të jetë koalicioni më i brishtë që e ka pasur Kosova pas luftës dhe jam i sigurt që nuk do të mund ta mbijetojë as një vit qeverisjeje.

Këtyre ditëve është apostrofuar edhe mundësia e qeverisë teknike. A e shihni ju një mundësi të tillë?

Po duket se nëse lidershipi aktual i Kosovës mendon të ndërtojë institucione të pavarura të shtetit, nëse do të ndërtojë shtet të së drejtës dhe ta riparojë atë që mund të riparohet – imazhin e Kosovës, del e domosdoshme që të ndërtohet një qeveri kujdestare që do t’i menaxhonte zgjedhjet e lira të reja, të jashtëzakonshme, po ashtu, si dhe ta çonte vendin te një pushtet me legjitimitet horizontal dhe vertikal. Përndryshe, Kosova do të vazhdojë që tërë vitin që vjen të prodhojë krizë institucionale.
Është shumë e mundshme një qeveri e tillë. Do të duhej pak vullnet politik, një tryezë e të gjitha partive politike, jo vetëm parlamentare që supozohet se kanë hyrë në Kuvendin e Kosovës, sepse thashë se procesi është i abuzuar në mënyrë flagrante dhe nuk mund të kemi një pasqyrë të qartë se cilat janë subjektet që kanë fituar dhe cilat janë subjektet që kanë humbur.
Kjo për arsye se në një vend të vogël si Kosova dhe me një zonë zgjedhore ku disa nga subjektet politike siç është Lëvizja Vetëvendosje, Fryma e Re, po edhe në një mënyrë, ose një tjetër edhe LDK-ja e Lidhja Demokratike e Dardanisë nuk i pranojnë zgjedhjet, ato nuk mund të certifikohen. Pa certifikim të zgjedhjeve, objektivisht nuk mund të ndërtohet pushtet me legjitimitet të plotë qytetar.

Prandaj, kjo qeveri teknike do ta çonte vendin, pa tronditje të mëdha, në zgjedhje fer, domethënë do t’i menaxhonte zgjedhjet dhe Kosovës do t’i mundësohej që të ketë një pushtet vërtet që del nga vota e lirë e qytetarit.

Si e shihni mundësinë e bisedimeve me Serbinë pas zgjedhjeve të fundit dhe rastit Dik Marti?

Problemi është që Kosova 6-mujorin e këtij viti e ka pasur shumë të rëndë dhe unë besoj se edhe viti që vjen do të jetë shumë i rëndë dhe me sfida shumë të mëdha. Kur e them këtë, mendoj nga aspekti i brendshëm, shkatërrimi dhe devalvimi i procesit zgjedhor dhe zgjedhjeve të lira, dhe nga aspekti i jashtëm, Kosova ka marrë një goditje të rëndë për imazhin e saj nga raporti i raportuesit të Këshillit të Evropës, Dik Martit, i cili objektivisht i vë hije shumë të zezë, një njollë të madhe shoqërisë kosovare në tërësi dhe në këtë rast jo vetëm të apostrofuarve dhe zotit Thaçi që është kryeministër në largim.
Kështu që duhet që procesi zgjedhor të riparohet nga brenda, të krijohen standarde minimale, të instalohet një demokraci e vërtetë dhe unë mendoj që edhe sfida e jashtme, ose raporti i Dik Martit duhet të zbardhet sa më shpejtë.
Lidershipi i Kosovës duhet të kërkojë hetime të pavarura, qoftë me një panel juristësh ose gjykatësish e prokurorësh, të cilët do t’i propozonte Këshilli i Evropës, qoftë edhe me agjenci të sofistikuara të hetimeve si FBI-ja, dhe vetëm hetimi i pavarur dhe zbardhja e të gjitha atyre që pandeh në raportin e tij Dik Marti - vetëm kjo mund ta shpëtojë Kosovën, t’ia lajë në njëfarë mënyre fytyrën, sepse qytetari kosovar, shoqëria kosovare kërkon dhe ka të drejtë të dijë se çfarë ka ndodhur vërtet dhe mos ta mbajnë një njollë të tillë deri në pakufi.
Bisedimet me Serbinë natyrisht se janë një ide e fuqishme e Bashkimit Evropian dhe besoj se ato do të fillojnë dhe nuk ka shumë rëndësi se kush do të jetë në krye të shtetit ose të institucioneve - me rëndësi është se, sa u përket bisedimeve me Serbinë, Pakos së Ahtisarit, integritetit territorial, unë besoj dhe kjo tashmë dihet se të gjitha subjektet politike të Kosovës kanë një konsensus të plotë.
Domethënë, bisedimet do të fillojnë për çështje teknike, siç është thënë çështja e të pagjeturve, kufijtë, çështja e doganave etj., por dikur besoj se ato do të çojnë kah biseda të rënda politike, negociata politike dhe kur e them këtë kam parasysh veriun e Kosovës, ku praktikisht Prishtina zyrtare ende nuk e ka shtrirë autoritetin e saj, domethënë pushtetin.
Unë besoj që diku kah vjeshta do të zgjidhet edhe kjo çështje për arsye të thjeshtë se edhe Kosova, edhe Serbia, në këto shtigje të integrimeve euro-atlantike mund ta ndihmojnë njëra-tjetrën dhe unë besoj që pak a shumë do të lëshojnë pe të dy palët për agjendën e përbashkët - integrimin si dy shtete të pavarura në strukturat euroatlantike dhe posaçërisht për arsye që Kosovës i duhet liberalizimi i vizave.

REL

KOMENTE