Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
In dubio pro reo
English

In dubio pro reo

Kushtetuta e botës së lirë ka një parim se nuk të lejon të hetosh kurrë dyshimin pa prova, fakte e grup faktesh, se ka një parim themelor që është prezumimi i pafajësisë, se ka një parim po kaq themelor që thotë In dubio pro reo

Nga Sali Berisha

Së pari, më duhet të theksoj se nuk jam aspak i çuditur për faktin se ju tërhiqeni tërësisht nga komisioni hetimor parlamentar. Ju, të nderuar deputetë, harroni se muret e këtij parlamenti kanë një memorie, mediat e këtij vendi kanë një arkiv, qytetarët e këtij vendi kanë një memorie dhe kjo memorie thotë se ju prej se ju prej 1 viti e gjysmë u angazhuat në qëndrimin më absurd që Evropa ka njohur nga ndonjë opozitë e një vendi të lirë. Ju u angazhuat në një “mission impossible” dhe harruat se misionet e pamundura i ndërmarrin vetëm ata, të cilët në politikë, fakultetet mendorë i kanë të errësuara tërësisht nga faktorë fundamentalistë, faktorë ekstremë, që në psikikën e tyre, jo ndërtimi, por shkatërrimi është pasioni i parë.

Kryetari i juaj, i cili zbret nga një familje pushteti të vjetër, parashuton në skenën politike si një zëdhënës kryesor i bllokmenëve, si një produkt total i bunkerit bllok, si një njeri që kjo psikologji, ky mentalitet nuk e lejoi tu ofrojë qytetarëve shqiptarë, gjatë 12 viteve në politikë, asgjë tjetër, përveçse truke, shpifje, trillime dhe mashtrime, një njeri cili nuk ka qenë i zoti deri më sot, përveçse disa bojërave në pallatet e Tiranës, për të cilat unë absolutisht nuk kam asnjë kundërshtim, pra përveç këtyre bojërave të nxjerra një profesion i tij i dështuar, nuk u ofron qytetarëve shqiptarë, në mënyrë absolute, as edhe një gjë tjetër, për jetesën e tyre, për vizonin e tyre, për të ardhmen e tyre, për të sotmen e tyre.

Ky njeri është i mbrujtur dhe i edukuar, i formuar dhe i betuar si armik i vullnetit të lirë të qytetarëve shqiptarë. Ky njeri çuditi botën në vitin 2007 kur për certifikatat që lëshonte vetë, për certifikatat që në Tiranë i kontrollonte në masën 90 % të gjitha zyrat e gjendjes civile, arriti deri në atë shkallë që ti thoshte diplomatit të huaj se “unë jam i shtrirë këtu në dysheme dhe po vdes dhe se unë nuk ngrihem më i gjallë”. Sindromi i vdekjes është në kokën e tij dhe vazhdon. Udhëheqësi i partisë më të madhe opozitare i deklaronte një diplomati se “po shtrihej përdhe dhe po vdiste dhe se nuk ngrihej më i gjallë”. Ai ishte një atak, tipik histerik. Mos kujtoni ju se midis tij dhe Hanës, të sëmurës së Bauerit dhe Frojdit kishte ndonjë dallim. Ngjashmëria ishte absolutisht, si dy pika uji. Kjo ishte një histeri e mirëfilltë e tij dhe ky zotëri mendoi se po hoqi zvarrë jetën politike të vendit, paçka se vendimin e morëm me Fatos Nanon në Pallatin Presidencial dhe jo me të dhe u detyrua të zbresë, të ulet, të pranojë, kur e pa se ishte tërësisht jashtë loje.

Ky zotëri u angazhua me të gjitha potencialin e tij për të prishur zgjedhjet e përgjithshme, por edhe unë u angazhova me të gjithë potencialin tim që të bëheshin zgjedhjet më të lira në vend. Kjo është e vërteta. Është e vërtetë që i bëra lëshimet më maksimale, jo sepse se unë kisha një detyrim për ti bërë ato lëshime, por në rast se nuk futej në zgjedhje, ai i plagoste zgjedhjet dhe unë bëra gjithçka, pranova çdo kompromis që kërkonin,në mënyrë që ky zotëri të hynte në zgjedhje. Ditën para zgjedhjeve vendosi që ti bojkotonte. Por i futën pyka në këpucë dhe e futën në zgjedhje. Tani vazhdojmë më tutje.

Kur foli zotëria përpara meje, më ngjau me një personazh të Remarkut që sipas hënës, një ditë e quante të dashurin Robert, ditën tjetër e quante Richard dhe ditën e tretë e quante Michail, sepse kështu i shkon hëna kryetarit të tij dhe ky mohon gjithçka që ka thënë tre ditë më parë dhe tërhiqet nga propozimet e tij dhe harron se muret kanë memorie, kamerat kanë sy, qytetarët na kanë ndjekur. Pra ky zotëri i humbi zgjedhjet. Bëri çdo gjë që të hynte në koalicion me Sali Berishën. Unë nuk kisha asnjë kundërshtim, por vendi kërkonte opozitë dhe ishte e mundur ky koalicion që u bë, koalicioni i integrimit, më i suksesshmi në historinë e vendit. Pra u krijua koalicioni. Çfarë bëri kryetari juaj. Ai u tha ju se “jo nuk kemi humbur”, “nuk e njoh rezultatin, nuk njoh parlamentin”. Më thoni ju mua çfarë e shtyu atë të njohë rezultatin, çfarë e shtyu atë të njohë parlamentin. Ai është tallur me ju, jo me mua. Unë e respektoj si kundërshtar, por talljen më të madhe në historinë e këtij vendi, askush nuk ua ka bërë bashkëpunëtorëve, siç ua bëri ai ju. La nam kur i erdhi një ministër francez dhe i thotë atij që “unë njoh rezultatin”, më vonë e ndryshoi dhe tha se rezultatin nuk e njihte. Pasi bashkëbiseduesi i tha se rezultatin e njihte e gjithë bota, ndërsa ai nuk kishte asnjë dokument për të kundërtën, ky zotëria u shpreh: “E njoh rezultatin, por nuk njoh parlamentin”. Atëherë Ministri i huaj i tha se në rrafshin e arsyes, ky pohim është jashtë çdo lloj arsyeje. Më vonë, ky zotëri kërkoi që në shtator komisionin hetimor parlamentar. Pranova pikë për pikë, ato që rezoluta e PE kërkoi një vit më vonë. I propozova që të gjitha por nuk donte, sepse në psikikën e tij kishte një dominancë të tmerrshme, kishte një fiksim patologjik të paimagjinueshëm, Vizat. Vizat e tmerronin, vizat i prishnin atij gjumin dhe në katër të mëngjesit. Vizat ishin tmerri dhe ferri i tij dhe unë këtë e kuptova që ai kishte një qëllim, vizat. Por unë mendova se nëse unë pranoj për të dhunuar kushtetutën dhe ligjet e vendit, vizat bëhen një horizont më i largët për shqiptarët, se vizat nuk mund të merren duke dhunuar ligjin dhe Kushtetutën, marrëveshjet konsensuale, ndaj dhe në premtimin më serioz të jetës sime unë vendosa të qëndroj prapa ligjeve të vendit tim. Vendosa të mbroj me çdo kusht votën e qytetarëve shqiptarë nga një humbës, i cili nuk ka moral për të pranuar humbjen dhe është i gatshëm të shkelmojë në çdo gjë vetëm për interesa personale.

Zotërinj deputetë,

A mund tu pyes unë ju përse ju nuk u futët në grevën e urisë për të mbrojtur mandatin? Pse nuk u futët në grevë që të kërkonit të mos u digjet mandati? Nuk e beri këtë ai. Përse nuk u futët në grevën e urisë, për të mos u futur në parlament? Nuk e bëri këtë ai. Kur ju futi ai në grevën e urisë? Ai ju futi në këtë grevë pikërisht kur po merrej vendimi për vizat. Pikërisht kur në datën 14 maj, Komisioni Evropian kishte caktuar mbledhjen për të marrë vendimin për vizat. Ai ju kyçi në betejën më çnjerëzore, në një betejë, në të cilën ju po shkelmoni interesin e çdo qytetari shqiptar për lëvizjen e lirë dhe dinjitetin e tij. Më 14 u mor vendimi, më 15 bëri letër, i çlironi vizat. Ai mendonte se ju jeni të trullosur, ose mendonte se shqiptarëve mund tua bënte siç bënte Enveri me letrat e hapura. Por e vërteta është se ai u bë me qesharak se kurrë në karrierën e tij politike. Pra ai dështoi dhe nuk u dorëzua, por vazhdoi me përpjekjet e tij çnjerëzore, titanike për të bllokuar procesin. A e harruat ju se si racistë antishqiptarë të tërbuar, të paguar prej tij, përdorën një gjuhë nga më racistet kundër shqiptarëve, në Parlamentin Evropian, dhe bënë çdo gjë për të penguar vizat. Harruat ju, kur këta zotërinj në mediat e Edi Ramës deklaronin se Shqipëria nuk do të marrë vizat pa hapur kutitë. I harruat ju këto, por shqiptarët kanë memorie. Harruat ju, kur kryetari juaj u zhvesh lakuriq para shqiptarëve, jo në plazhe, por në selinë e PS, jo në plazhe, por në sheshet dhe në rrugët e vendit me logon” Hap kutitë, që të çlirosh vizat”. U tha qytetarëve se “vizat i kam unë, kreu i bllokmenëve të rinj”, “i kam unë deshendenti i bunkerit bllok”. Ai u tha qytetarëve se “Vizat i kam në bunker, i kam në kuti dhe nuk i lëshoj,po qe se nuk mposhtet Sali Berisha dhe mazhoranca”. Ai dështoi totalisht në bllokimin e procesit. Ç’ndodhi? U votua në Parlamentin Evropian, muret kanë një memorie, qytetarët kanë një memorie. Ai mblodhi tre sharlatanë, të cilët që të gjithë së bashku kanë marrë 1500 vota dhe doli e tha se do të ketë protesta masive në të gjithë vendin, sepse ishte mbledhja e Këshillit të Ministrave të BE, që ishte vendimtarja. Pasi i treguan kartonin e kuq dhe i thanë se protesto në qiell dhe në tokë, por vizat shqiptarëve nuk ua pengon dot, pasi vodhi passëordin e bashkëpunëtorëve dërgoi me qindra letra ku thoshte “se do të dynden shqiptarët në eksode, se burgjet do të hapen dhe bandat do të vërshojnë drejt Evropës”. Pasi dështoi me të gjithë këto, filloi të merret me jetën e tij personale, për të cilën unë nuk kam asnjë qortim dhe në mënyrën më të pakonceptueshme sikur të ishit liliputë, sikur të mos ishit politikanë, sikur të mos kishit qenë prej kaq vitesh në politikë, drejtues ministrish e poste të tjera, u thotë mirë e bukur më datën 16 nëntor se kutitë nuk kërkon ti hapi dhe kjo, pasi u mor vendimi i Këshillit të Ministrave të BE, për heqjen e vizave. A mund ta di të nderuar zotërinj se çfarë ju thoni ju njerëzve tuaj? Nuk po ju them për qytetarët, se për ata ju nuk pyesni, po për njerëzit që ju interesojnë, si ia u shpjegoni ju këtë? A ju kujtohet ju kur vinte zotëria e tij dhe tregonte me gisht dhe thoshte armiku në podiumin e bulevardit. Çdo natë në një histeri të papërmbajtur, më quante armik në një kohë, kur unë, në asnjë kohë nuk kam konsideruar njeri armik në këtë vend. Ai dërgonte telegrame poshtë e përpjetë dhe thoshte se do të hynte në grevë dhe do të martirizohej. Ku është ai për martir. I thotë vetes por jo mua. Për mua ai është njeriu me obsesione. E lidha me historinë e Harry Poter radhën e kaluar se si Xhon Rollin nga një obsession i vdekjes që kishte, futi Uollt Morin dhe ekzekutoi prindërit Harrit. Njëri prej jush më pyeti se çne me Harrin, por unë kam mbesa në shtëpi dhe lexojnë “Harri Poter”-in. Kështu që edhe unë detyrohem të lexoj për to dhe ato lexojnë për mua, kështu që ju mos u çudisni për këtë fakt.

Pra, ky zotëri ju thotë mirë e bukur një ditë ju dhe shqiptarëve se nuk hap kutitë. Po përse nuk i hap kutitë? Sepse u dhanë vizat, sepse dështoi dhe e bëri këtë 8 ditë mbrapa. Si nuk hap kutitë, kur ti ke një vit rresht që u betove shesheve e rrugëve për këtë. Çfarë i kujton socialistët? Socialistët janë njerëz politike si gjithë shqiptarët e tjerë, kanë një memorie politike, kanë integritet politik. Një socialist, i cili më jep edhe numrin e dokumentit dhe emrin, do më thoshte se vetëm socialistë nuk ka më në Shqipëri, por ka 99-sha. Ju, z zotërinj deputetë, sigurisht nuk jeni. Por si mund t’u thuash këtyre njerëzve që kanë ardhur me një formim politik 20 vjeçar e më gjatë se nuk dua numërim? Unë personalisht ndjehem i lënduar për shkak të lëndimit që ai ju bën juve. Por përse nuk e do më numërim? Urdhëro, të numërojmë çdo votë, të ndryshojmë çdo rezultat, t’i shqyrtojmë fletë për fletë, se ne i kemi të mundësitë për të numëruar çdo fletë, jemi këtu dhe ato nuk janë më shumë se 1.3 milion fletë. Nuk sillte kush me qytetarin në këtë mënyrë. Dhe e kuptoni përse nuk do? Sepse i dha përgjigje për shqiptarët prokuroria e Shkodrës. Prokurori i Shkodrës, në një dhomë me kamera në të katër anët dhe bravo i qoftë që i ka vendosur ato, se ka njohur psikotipin dhe obsesiv të zotërisë së tij dhe numëroi votat. Dhe në mijëra vota, ishte precizoni më i saktë që mund të ekzistojë kund ndonjëherë në numërimin e votave. Në mijëra vota, doli vetë një votë. Por tani thotë jo, nuk do t’i numërojmë, se vizat u hoqën. Prapë së prapë, në gjithë qëndrimet e tij ultradestruktive, asgjë nuk ma lëkund respektin për ju dhe opozitën. Ju bëtë një kërkesë, të cilën e trajtuam me seriozitetin më të madh. Qëndrova me ju n parlament gjer në 5 të mëngjesit, me vullnetin më të hekurt që të arrinim të ngrinim komisionin dhe të vazhdonte nga puna. Por ju nuk doni.

Të nderuar zotërinj deputetë,

Në nëntë nene të kërkesës tuaj, në 8 prej tyre kërkoni hetimin e dyshimit dhe nuk përmendet në asnjë rast fjala fakt, grup faktesh dhe provë. Çdo qytetar shqiptar kur ta marrë nga arkiva më vonë e ta lexojë këtë, çdo i huaj që e lexon do të thotë se një dokument i tillë prodhohet vetëm në një vend që quhet obsesionland apo dyshimistan, pra, në vendin e dyshimit, në vendin e obsesionit. Zonja Hysi ke kryesuar Komitetin e Helsinkit, por a mund të pranosh që një gjë të hetohet pa prova, fakte apo grup faktesh. Ju përjetuat eksperiencën më të bukur në Strasburg, në tavolinën e Krokodilit. Je treguar fisnike edhe kur desh i ra të fikët kryetarit tënd e vetëm ti e mbajte dhe të përgëzoj për këtë. U treguat më trime dhe për këtë ju e dini, kemi dëshmitarë. Kur në fund i thanë se nuk mund të ketë numërim, ai u zbeh dhe mua mu kujtuan skenat në selinë e Partisë Socialiste, kur tha se do të vdes. Kujtova se e kapi një atak histerik i ri këtu në Strasburg dhe më vinte turpi më i madh se fundi i fundit, është shqiptar. Ju zonjë ishit vetë dhe e patë dhe të lutem mos më shty më tutje, por më mirë t’ua thuash kolegëve tuaj se e ndihmojnë. Ti duhet të jesh e para, zonjë e nderuar, e të thuash se në Kushtetutën e botës së lirë ka një parim se nuk të lejon të hetosh kurrë dyshimin pa prova, fakte e grup faktesh, se ka një parim themelor që është prezumimi i pafajësisë, se ka një parim po kaq themelor që thotë In dubio pro reo.

Unë të vlerësova zotin Xhafa për tërheqjen që bëre, vlerësova qëndrimin e juristëve të grupit tuaj që e kuptuan se nuk mund të hetohet pa prova, fakte e grup faktesh, sepse kjo është gjuha e ligjit e çdo vendi të lirë, kjo është gjuha që keni vendosur ju, me shumë të drejtë, në ligjin e komisioneve hetimore parlamentare. Pasi dëgjova propozimet tuaja, zoti Xhafa, bëra dy sugjerime: të pranojmë planin tuaj prej tre pikash, me kusht që të pranosh të shtohet fjala në përputhje me vendimet e gjykatave dhe Kodin Zgjedhor, i cili në vetvete përbën ligjin më konsensual që ekziston në Shqipëri, një ligj i votuar të paktën 30 përqind më gjerë se Kushtetua, një ligj që unë dhe zotin Rama e kemi miratuar plotësisht, unë duke bërë lëshime e ai duke paraqitur kërkesa dhe për të cilën unë nuk kam keqardhje, pasi kurrë nuk pendohem për marrëveshjet që arrij, cilado qofshin ato. Detyra ime nuk është ta qortoj, por t’i qëndroj asaj. Ky është morali i atij që bën marrëveshje. Po, dhe marrëveshje sërish bëj me te, pasi unë nuk përjashtoj kënd, zotin Rama nuk e kam zgjedhur unë.

Zoti Xhafa muret ‘kanë veshë dhe memorie’, kamerat ‘kanë sy dhe arkiv’. Dole këtu dhe lexove para shqiptarëve objektin e hetimit të komisionit parlamentar, të votuar nga mazhoranca aktuale në mars të këtij viti. Po të them me sinqeritet se nuk do mundesha kurrë të ngrihesha kundër tij, cilido të ishte çmimi që mund të paguaja dhe pa konsultë, por kredoja është kredo, morali është moral. Sikur çdo gjë të shkonte në favor, nuk do t’i heqja një presje atij vendimi. E kishim votuar një herë dhe jo me qëllim të keq, jo me qëllim për të denigruar opozitën, por për ti krijuar asaj të gjitha hapësirat. Meqenëse ju e lexuat këtu, unë ju kërkova zgjidhmi po të doni variantin e parë, komisionin që lexove, d.m.th tëndin, po të doni komisionin që ne kemi votuar pa asnjë shtesë, pa asnjë koment. I qëndrojmë atij plotësisht. Ju kërkuat tërheqje, pushim. Normale dhe kjo. Por u kthyet jo seriozë. Unë të kërkova një pikë, pikën e katërt dhe ti nga tre pika i bërë të katërta të tuat. Kjo nuk është marrëveshja, kjo nuk ka asnjë rregull. Si përfundim, kërkuat të shtyhet. Sërish plotësisht dakord.

Dy ditë më parë, bashkëpunëtorët e mi, të dashur qytetarë shqiptarë, më njohin me propozimin e Partisë Socialiste të shokut Edvin Rama dhe propozimi thotë:

Vendim për ngritjen e komisionit hetimor të zgjedhjeve të përgjithshme të mbajtura më datën 28 qershor 2009.

Në mbështetje në nenin 177 të Kushtetutës, të neneve 7,8 e vijues të ligjit nr.8891, datë 2.5.2002 Për organizimin e funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit, i ndryshuar, si dhe të nenit 25 të rregullores së Kuvendit, si dhe në respekt të zbatimit të rezolutës së Parlamentit Europian nr.02 82, datë 8 korrik 2010 për integrimin e Shqipërisë, me propozim të 35 deputetë të grupit parlamentar të Partisë Socialistë, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë vendosi: Ngritjen e komisionit hetimor të Kuvendit për hetimin e problemeve të çështjeve që kanë dalë nga zbatimi i Kodit Zgjedhor për zgjedhjet e Kuvendit, mbajtur në datën 28 qershor 2009. Objekt i hetimit të komisionit hetimor janë materialet zgjedhore dhe çdo problem tjetër lidhur me zgjedhjet, përveç çështjeve për të cilat ka vendim gjykate.

Po të them që tani që të gjitha çështjet janë objekt hetimi, mos kufizo asgjë, mjafton të ndiqen procedurat.

Objekti me qëllim:

1. kontrollin e zbatimit të Kodit Zgjedhor lidhur me hartimin dhe publikimin e listës së zgjedhjeve, dërgimin e tyre në qendrat e votimit nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, si dhe hetimi i ekzistencës së dublimeve në to apo lënies jashtë tyre të një numri zgjedhësish.

2. kontrolli i zbatimit të Kodit Zgjedhor nga komisionet e qendrave të votimit lidhur me identifikimin e shtetasve në momentin e votimit dhe pasqyrimin e të dhënave përkatëse të dokumentit të identifikimit në rubrikën përkatëse të listave të votuesve.

3. kontrollin e zbatimit të Kodit Zgjedhor në komisionet e qendrave të votimit lidhur me mënyrën e votimit dhe mundësinë e votimit më shumë se një herë nga shtetas të ndryshëm.

4. kontrollin e zbatimit të Kodit Zgjedhor nga komisionet e qendrave të votimit lidhur me pasqyrimin e të dhënave përkatëse në procesverbalin për mbylljen e votimit dhe në librin e protokollit të mbledhjeve të KQZ-së.

5. kontrollin e zbatimit të Kodit Zgjedhor lidhur me kriteret e caktimit të qendrave të votimit dhe zonave të qendrave të votimit në disa njësi të qeverisjes vendore.

6. kontrollin e zbatimit të ligjit nga administrate e KQZ lidhur me prokurimin.

Në të gjitha nenet, është zhdukur fjala hetim. Zotërinj, nëse thoni neni 77, ka vetëm hetim. Hetim me një procedurë ligjore, në dispozicion të së cilës janë të gjithë ligjet e këtij vendit, është procedura e Kodit Penal, është procedura e Kodi Civil, Kodi Zgjedhor, Kodi Penal. Të gjitha këto janë ato që keni shkruar vetë në ligj dhe i kemi votuar bashkërisht. Përse kjo tërheqje tani? Kjo është ballo me maska. Në vend të hetim është vënë maska kontroll e thotë nuk jam hetimi, jam kontrolli, më shihni. Kjo është për të vajtuar.

Të dashur qytetarë,

Tani nuk kërkojnë më hetim, por kontroll. Por vendi ka një Kushtetutë dhe ju, zoti Xhafa, keni qenë edhe ministër Drejtësie dhe e dini shumë mirë se Kushtetuta dhe rregullorja e Parlamentit kontrollin ia japin tërësisht komisioneve permanente parlamentare. Kontrolli i çdo gjëje në këtë vend është atribut kushtetues i komisioneve të përhershme të parlamentit shqiptar, ndërsa hetimi është atribut i atij komisioni që ngrihet sipas nenin 77 të kësaj Kushtetutë. Përse talleni me këtë Kushtetutën, një ditë e quani Kushtetutë dhe një ditë tjetër gjë. Ju e dini që komisioni hetimor nuk është komision kontrollor, pasi e theksoj atë bëjnë komisionet permanente të parlamentit dhe ti, zoti Xhafa, je përgjegjës direkt, pasi ti ke qenë edhe ministër Drejtësie. Unë nuk them për ndonjë tjetër që ka një karrierë të shkurtër, i cili nuk është jurist, por për ju që e dini shumë mirë, përse nuk i thoni deputetëve që kjo është një maskë, po luajmë me maska, po operojmë në dyshimistan, në obsesionland. Përse tërhiqeni dhe nuk doni komision? Absolutisht, ne ngremë çdo komision që doni, në përputhje me ligjet. Për çfarë paragjykimi thoni, nëse i referohem vendimit të Gjykatës Kushtetuese, i referohem kodit Zgjedhor. Kini kurajën e thoni përse nuk e doni komisionin. I fundit njeri që i bind këtu je ti, që historia e kësaj politike të ka ngarkuar të marrësh çdo lloj roli mbi to.

Të dashur qytetarë,

Këta zotërinj që kanë kërkuar një milion herë në 18 muaj hetim, tani thonë kontroll. Për kontroll merrni çdo komision të përhershëm parlamentar dhe angazhohuni në çdo kontroll që të doni, aty nuk mund të ketë kufizim, nuk ka nevojë as për vendim parlamenti, as për objekt, as për subjekt, i keni të gjitha të lira, të drejta të patjetërsueshme. Kontrolloni çdo gjë, kryeministrin, çdo dokument. Ky shtet ka ligjin e deklasifikimit, janë të detyruar të deklasifikohen, në qoftë se ju paraqisni argumente. Keni komision për çdo sektor. Atëherë përse talleni me qytetarët dhe parlamentin? Kryetari juaj ju vë nota juve, por ju çfarë notash i vini atij. Notat nuk i zbulova unë, por të gjithë i keni dhe nëse doni jua sjell edhe regjistrin. Po rikthehem tek testamenti i Koços, për të cilin më kundërshtuat herën e kaluar dhe tani po jua lexoj. Pika e parë e testamentit: vitin e parë kryeson Luan Bregasi, vitin e dytë me rotacion vëllau Edvin Rama. Ndaj mos më përgënjeshtroni për këto që them dhe nëse e thashë, e thashë në kontekstin e obsesionit të vdekjes. Vetëm për këtë, pasi nuk merrem me testamentet e kurrkujt, nuk më interesojnë. Por kur këto bëhen problem publik dhe preokupojnë jetën publike, atëherë bëhen problem i madh. Dolët e më përgënjeshtruar, por pyesni Luan Bregasin në është përcaktuar të kryesojë vitin e parë dhe në vitin e dytë Edi Rama dhe me rotacion për katër vjet. Kjo është për të qeshur e për të qarë, por unë sigurisht qesh me këtë. Shikoni se ç’tragjedikomedie luhet mbi ju e për ju.

Për ta mbyllur, nëse doni komision hetimor parlamentar, ne jemi 100 përqind dakord. Kërkoni hetim pa fakte, kjo s’mund të ndodhë kurrë. Mos gaboni se ju gënjen kur ju thotë se do të lëshoj. Në mënyrën më absolute kurrë jo. Po ju juristë, që nuk keni kurajën minimale t’i thoni se nuk mund të shkruhet kurrë hetim pa fakte, se kjo ndodh vetëm në dyshimistan, më mirë t’i hidhni ato diploma. Nëse doni komision, mos u tërhiqni edhe nga kutitë, të numërojmë çdo votë dhe do të dalë si Shkodra, një gjë madhështorë, pasi e tillë është ajo. Dhe jo sepse i doli e vërteta Sali Berishës, por madhështorë është se shqiptarët vendosën standardin më transparent në botë në numërimin e votave. Kjo është madhështia. Një vend i lirë e bën këtë dhe ne e bëmë. Të numërojmë çdo votë, por të mos fshihemi, të heqim maskat. Do ju jepet çdo kohë që ju duhet, nuk ka kufizim, por kurrë, hetim mbi bazë dyshimi, pa prova, fakte apo grup faktesh nuk mund të bëhet në këtë vend.

Së dyti, mos mendoni ndonjëherë se do të më bëni të lëkundem në atë që besoj gjer në thellësinë e shpirtit tim. E kemi gabim shumë. Më vjen keq ta përsëris se nga të gjithë ju, jam unë ai që kam zgjedhur në një moment të caktuar honet e historisë për veten time dhe ai moment ishte kur ju mashtruat njerëzit e ju thatë se qeveria ka marrë paratë dhe ata i kërkuan paratë nga unë, në një kohë kur unë nuk mund të njihja kurrë një borxh, të cilin nuk e kisha marrë. Dhe u thashë shqiptarëve që një borxh që nuk është marrë, nuk njihet kurrë. Pranova gjithçka, por nuk pranova të paguaj një borxh që nuk e kisha marrë dhe ta dini se mund ta paguaja dhjetë herë, por nuk mund ta bëja se thyeja moralin njerëzor, moralin e një kombi. Se bëra kurrë. Tani ju kërkoni të thyej votën. Nuk e bëj kurrë këtë. Jam gati të numëroj çdo votë, të shqyrtoj çdo dokument, por mbi bazën e ligjeve e Kushtetutës së vendit. Jam shumë i sinqertë me ju, por nuk jam gati të nëpërkëmb Kushtetutën dhe ligjet e këtij vendi, sepse një njeri udhëhiqet nga kompleksi i pendesës. Ata që studiojnë psikologji e dinë se kjo lidhet me instinktet dhe jo koshiencën. Njeriu me koshiencë ka pendesën. A ndjen pendim ai që ju futi në grevë dhe tani thotë nuk i dua kutitë? Por i kërkoj unë kutitë, kërkoj unë të numërohen votat, të paktën për hirin tuaj, për hir të socialistëve shqiptarë, për të cilët kam respekt, pavarësisht se ju i kriposni me 99-sha, pasi ata kanë kontributin e tyre politik të padiskutueshëm në këtë vend.

Të bëhemi seriozë e të heqim maskat. Ne jemi njerëz të vërtetë, burra e gra pa maska, ndaj të mos themi kontroll, por hetim. Kurrkund në botë nuk hetohet pa prova, fakte e grup faktesh. Radhën e kaluar përmendët Theodhori Sollakun, por për të kanë ekzistuar 1800 fakte, përmendët Fatos Klosin dhe 180 prova kanë ekzistuar në kontrollin e qeverisë. Ju lutem, të bëhemi seriozë, mos u tërhiqni, por të ngremë komisionin. Unë erdha me qëllimin më të mirë për të ngritur komisionin, duke menduar se ju e kishit kuptuar se ishte qesharake ta zëvendësonit hetimin me kontroll. Zoti Xhafa, keni qenë ministër i Drejtësisë, si mund ta zëvendësosh fjalën hetim me fjalën kontroll. Gradualisht do të nxirrni Çiçikovin e do të filloni kontrollin e shpirtrave të vdekur. Përse të mos e them këtë, kur ju u thatë shqiptarëve një milion herë hetim, hetim, hetim, tani u thoni kontroll, kontroll, kontroll. Të jemi transparentë, të krijojmë komisionin, të kontrollojmë e hetojmë çdo votë, mbi bazën e procedurave ligjore të një vendi të lirë. Mos u tërhiqni, jam plotësisht dakord, shtoni në përputhje me gjykatën, vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe Kodin Zgjedhore dhe unë miratoj çdo propozim që ju sillni sot, këtu.

*Fjala e mbajtur në Parlament nga kryeministri

KOMENTE