English

Kukullat zbresin në Pediatrinë e Tiranës

Tiranë, 29 dhjetor, NOA – Fëmijët e spitalit të Pediatrisë në kryeqytet kanë përjetuar një ditë të veçantë paraditen e sotme kur kukullat zbritën në spital duke gëzuar fëmijët me një shfaqje enkas për festat e fundvitit. Kjo nismë e vënë në jetë nga zëvendësministri i Shëndetësisë, Bardh Spahia solli përballë fëmijëve të sëmurë të këtij spitali Hansin dhe Gretën, dy kukullat që i dhanë jetë kësaj përralle të krijuar enkas për fëmijët në nevojë që ditët e festive të fundvitit nuk do t’i kalojnë pranë familjeve të tyre.

Vogëlushët e pediatrisë së Tiranës panë se si skenografia e shfaqjes u zhvendos në katin e katërt të klinikës dhe për gati një orë fëmijët përcollën me duartokitje dhe të qeshura batutat e personazheve kryesorë Hansit dhe Gretës, dy fëmijëve jetimë që arrijnë të dalin me mençuri nga kurthi i njerkës, e cila i dërgon në pyll për të humbur rrugën.

Zëvendësministri Spahia në fund të shfaqes kishte menduar edhe për dhurata ndaj fëmijëve që për arsye shëndetësore nuk mund të lëvznin nga dhomat.

Kjo eksperiencë e huazuar nga spitalet pediatrike italiane e kuruar në detaje në bashkëpunim me aktorët e teatrit të Kukullave dhe Qendrën Art Blu, Ministrinë e Shëndetësisë dhe ministrinë e Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve.

“Hansi dhe Greta” nuk është shfaqje nga ato që interpretohen në fundjavë ku prindërit shoqërojnë fëmijët në teatrin e kukullave.

Regjia e italianit Paolo Comentale, ka arritur të realizojë një pjesë të fokusuar tërësisht për fëmijët në nevojë (shëndetësore por dhe të tjerë që fëmijërinë e tyre e kalojnë në institucione sociale).

Pjesa e shfaqur për herë të parë në spitalin pediatrik të Tiranës, në janar do të vazhdojë turneun dhe në spitale të tjera të vendit dhe shkolla.

mit/NOA
KOMENTE