English

Kryeministri feston me fëmijët e Shkodrës, Berisha: 2011 viti i projekteve të mëdha

Shkodër, 30 dhjetor, NOA – Pasi i uroi Vitin e Ri të moshuarve të Kavajës që jetojnë në azilin e ngritur enkas për ta në këtë qytet, të cilëve u premtoi kushte më të mira jetese dhe më shumë mbështetje në vitin e ardhshëm, kryeministri Sali Berisha i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Liri Berisha ka udhëtuar drejt Shkodrës ku ka festuar Vitin e Ri me fëmijët e Shkodrës, që përjetuan tërë këtë muaj të fundit të vitit përmbytjet e pashembullta nga ujërat e lumenjve të zonës dhe shkarkimet e digave të HEC-eve. Në një ceremoni të posaçme festive ku merrnin pjesë prindër e mësues, si dhe përfaqësues të pushtetit vendor, Kryeministri Berisha u shpreh i lumtur që ndodhej mes fëmijëve, për të ndarë së bashku me ta, emocionin e festave.

Shefi i ekzekutivit u uroi fëmijëve të Shkodrës dhe të mbarë Shqipërisë, një vit të mbarë, të bardhë dhe të gëzuar, ashtu siç ata e meritojnë.

Zoti Berisha shprehu nderimin më të thellë, për të gjithë qytetarët e Shkodrës dhe të zonave të përmbytura, duke theksuar se “në këtë katastrofë të rëndë natyrore, spikati dhe shkëlqeu madhërishëm shpirti i qytetarit shkodran, i banorëve të komunave të përmbytura, guximi, trimëria dhe mençuria e tyre”.

Kryeministri garantoi se qeveria do të bëjë gjithçka që dëmet e shkaktuara nga përmbytja të rikuperohen sa më shpejt dhe se viti i ri do të jetë një vit i projekteve të mëdha dhe të rëndësishme, për shkollat dhe kopshtet e fëmijëve, si dhe për Shkodrën e mbarë Shqipërinë.

“Le të shprehim së bashku kënaqësinë e madhe se sot kemi shëndoshë e mirë, të gjithë qytetarët dhe banorët e zonave të përmbytura, se ata do të festojnë vitin e ri shëndoshë e mire. Unë jam këtu për ti garantuar se qeveria do të bëjë gjithçka që dëmet e shkaktuara nga përmbytja të rikuperohen sa më shpejt dhe me mirë dhe se viti i ri do të jetë një vit i projekteve të mëdha dhe të rëndësishme, për shkollat tuaja, të dashur fëmijë, për kopshtet tuaja, për Shkodrën dhe për mbarë Shqipërinë”, tha shefi i qeverisë.

Më, pas, në një atmosferë festive, Kryeministri dhe zonja e tij shpërndanë dhuratat e përgatitura për fëmijët.

mit/NOA
KOMENTE