English

Besnik Mustafaj: Si të rikuperohet imazhi i dëmtuar?

Tiranë, 6 janar, NOA - Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Besnik Mustafaj, thotë për BBC-në se një ndër sfidat kryesore të Kosovës për këtë vit duhet të jetë përmirësimi i mazhit të dëmtuar ndërkombëtar, si me raportin e debatueshëm të raportuesit të Këshillit të Europës, Dick Marty, ashtu dhe me problemet që dolën pas zgjedhjeve të 12 dhjetorit.

Sipas tij, për procesin e njohjeve ndërkombëtare, udhëheqja në Prishtinë duhet të kishte punuar më mirë për të vendosur shtetin e së drejtës në Kosovë si dhe të luftonte më mirë korrupsionin, klientelizmin dhe format e tjera që bien ndesh me vlerat që duhet ta bashkojnë Kosovën me botën e përparuar.

Duke folur për dialogun e pritshëm Kosovë-Serbi, zoti Besnik Mustafaj i tha BBC-së se përfundimi me sukses i tij do të ishte në interes të të dyja vendeve dhe të paqes e stabilitetit në rajon.


Përballë cilave sfida ndodhet Kosova në vitin në të cilin sapo kemi hyrë?

Mendoj se në rrafshin ndërkombëtar Kosova ka një sfidë imediate që është rikuperimi i imazhit të dëmtuar muajt e fundit, qoftë me raportin e fantaksur të Dick Martyt, por qoftë edhe me problematikën e paparashikuar, për të thënë të drejtën, që doli nga zgjedhjet e dhjetorit. Kështu që unë mendoj se në mënyrë imediate, Kosova, institucionet e saj, duhet të punojnë në një strategji të kthjellët qoftë për të siguruar që të dielën, më 9 janar, zgjedhjet të shkojnë shumë mirë, qoftë për të mbyllur mirë procesin e rinumërimit të atyre qendrave të votimit që vendosi KQZ-ja, qoftë për të reaguar me pjekuri nga partitë politike ndaj rezultatit të zgjedhjeve, për të krijuar pastaj koalicionin e nevojshëm qeverisës. Po ashtu, një sfidë është edhe fillimi i procedurave serioze dhe përtej sharjeve dhe qëndrimeve emocionale ndaj raportit të Dick Martyt në mënyrë që të rikuperohet ai imazhi i dëmtuar dhe të vazhdohet, qoftë me projektet e mëdha për prezencën ekonomike ndërkombëtare për t'i shërbyer konsolidimit të ekonomisë së Kosovës, qoftë edhe me vazhdimin e procesit të njohjeve.

Si e shikoni reagimin e palës shqiptare kur është fjala për raportin e debatueshëm të anëtarit të Këshillit të Evropës, Dick Marty. ka mendime se do të duhej të reagohej ndryshe?

Flas për drejtuesit e institucioneve tona, qoftë në Shqipëri, por edhe në Kosovë, duhej të reagonin më me pjekuri. Do të thotë më me gjakftohtësi, më me pak emocione, me një zgjedhjeve më të përshtatshme të formulave juridike e institucionale për t'i dhënë një përgjigje bindëse për të tjerët, pa kaluar në fyerje për Dick Martyn i cili, përtej asaj çka thotë në raportin e tij, është një përfaqësues i një pjese të popullit zviceran. Pra, është përfaqësues në institucionin parlamentar të Zvicrës, dhe në këtë kuptim unë jam i bindur se emocionet e kanë dëmtuar këtë dialog që duhej ndërtuar me institucionet ndërkombëtare, me mediat dhe me drejtësinë në përgjithësi.

Karshi këtij raporti, fitohet përshtypja se me gjithë optimizmin e vitit të kaluar, të politikanëve kryesore të Kosovës, ajo nuk i mori njohjet e paralajmëruara. Çfarë mendoni se pala kosovare, në radhë të parë diplomacia kosovare, do të duhet të bëjë sivjet në rrafshin ndërkombëtar?

Unë mendoj se ka pasur një qëndrim opsesional me tepri ndaj njohjeve ndërkombëtare. Ky është një proces që do të vazhdojë, është e sigurt që pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme, e pandryshueshme dhe procesi i njohjeve ndërkombëtare do të jetë një vazhdim i pandalshëm dhe ritmi është një çështje tjetër. Gjithashtu, dua të shtoj se procesi i njohjeve ndërkombëtare nuk është thelbësisht ose ekskluzivisht vetëm problem i diplomacisë. Udhëheqja kosovare duhet të kishte punuar më mirë për të vendosur shtetin ligjor, shtetin e së drejtës në Kosovë, të luftonte më mirë korrupsionin, klientelizmin dhe format e tjera që bien ndesh me vlerat që duhet të bashkojnë Kosovën me botën e përparuar. Në këtë kuptim, pastaj procesi i njohjeve do të ishte dhe do të jetë më i shpejtë. Pra, në këtë vit unë besoj se Kosova, udhëheqësit e institucioneve të dala nga zgjedhjet që janë ende në proces, do të kenë pjekurinë dhe vullnetin e nevojshëm për të ndërtuar një shtet më serioz, me forcën e ligjit, dhe të standardeve europiane. Në këtë mënyrë një shtet i tillë do të jetë partner më i besueshëm për komunitetin ndërkombëtar. Mbetet sigurisht edhe procesi i fillimit të dialogut me Serbinë.

Kur është fjala për dialogun me Serbinë, mendoni se procesi i njohjeve ndërkombëtare të Kosovës do të pres epilogun e këtij dialogu tashmë të paralajmëruar?

Do të ishte një pretekst nga ana e shumë shteteve nëqoftëse e kondicionojnë njohjen me këtë dialog. Ky dialog është në radhë të parë në interesin e të dyja vendeve, edhe të Serbisë edhe të Kosovës. Është, sigurisht në interesin e paqes e të stabilitetit në rajon, por duhet kuptuar edhe nga shqiptarët edhe nga komuniteti ndërkombëtar që interes po aq sa Kosova ka edhe Serbia për ta filluar këtë dialog. Proceset e saj integruese dhe, po ashtu, rimarrja e rolit të saj normal brenda rajonit, është i kushtëzuar nga ky dialog. Pjesë e këtij dialogu sigurisht, mendoj unë, duhet të jetë vendosja e një ndërvarësie midis dy vendeve për integrimin në institucionet europiane në raport me cilësinë që do të ketë ky dialog dhe rezultatet që do të prodhojë ai. Nuk mund të besojmë, nuk do të ishte e drejtë të besohej, se në procesin e integrimit europian, nëqoftëse ky dialog nuk do të japë rezultatet e nevojshme, duhet penalizuar vetëm Kosova. Jo, duhet penalizuar edhe Serbia, sepse deri tani të paktën, për mosfunksionimin e këtij dialogu, pengesë kryesore ka qenë Serbia.

BBC

KOMENTE