English

Dioksinat helmuese, si ushqeheshin pulat dhe derrat

Berlin, 6 janar, NOA - Në Gjermani merr përmasa më të mëdha nga sa mendohej skandali i ushqimeve të kafshëve të përziera me dyoksinë: Deri në 30.000 ton ushqim kafshësh është prodhuar me dyoksinë, sipas të dhënave të qeverisë.

Ushqimi i helmuar me dyoksinë, sipas një njoftimi të Ministrisë së Bujqësisë, është shitur në 25 prodhues të ushqimit të kafshëve në shtatë furnizime të dyshuara. Të paktën katër lande janë furnizuar në periudhën nga 12 nëntori deri më 23 dhjetor 2010, njoftoi ministria (05.01.2011) në Berlin.

Në shtetet e tjera të BE-së nuk ka pasur furnizim ushqimesh me përbërje dyoksine. Sipas njoftimit të ministrisë, kuota e përzierjes së ushqimit të kafshëve me dyoksinë është nga dy deri në dhjetë përqind në ushqimet për pulat dhe derrat. Si rrjedhojë mendohet se mund të jenë prekur rreth 30.000 deri në 15.000 ton ushqim kafshësh.

Kërkohen masa të ashpra dënimi ndaj shkeljeve të normave të prodhimit

Ministrat e bujqësisë të landeve gjermane kanë vendosur të ndërmarrin masa ligjore pas skandalit të fundit me helmimin e ushqimit të kafshëve me dyoksinë. Ministri i Bujqësisë i Turingjisë, Jürgen Reinholz, i cili kryeson edhe konferencën e ministrave gjermanë të bujqësisë, ka kërkuar dënime më të ashpra ndaj atyre, që shkelin rregullat për prodhimin e ushqimit. Ministrat do të konsultohen në fund të janarit në kuadër të javës së gjelbër në Berlin për mundësinë e ashpërsimit të rregullave për prodhimin e ushqimeve për kafshët. Një sipërmarrës nga landi Shlesvik - Holshtajn ka prodhuar dhe ka shitur mbi 2.700 tonelata ushqime për kafshë, të cilat kanë shkaktuar helmimin e tyre me dyoksinë.

Ç' është dyoksina?

Dyoksinë janë lidhje kimike, që përmbajnë karbon, hidrogjen, oksigjen dhe klor. Ato krijohen si efekt anësor i reaksioneve kimike. Si për shembull gjatë djegies së mbeturinave, gjatë prodhimit të çelikut, të bojrave dhe të benzinës, por ato mund të krijohen edhe prej dukurive natyrore, si nga shpërthimet e vullkaneve, apo zjarret në pyje. Gjithsej ekzistojnë rreth 200 dyoksina të ndryshme, të cilat zakonisht janë pa ngjyrë dhe pa erë. 17 lloje dyoksinash paraqesin rrezik toksik.

Dobia është zero

Dyoksinat nuk kanë asnjë dobi. "Dyoksina nuk prodhohet me qëllim përdorimi. Dyoksinat janë lëndë, që emetohen gjatë proceseve të djegies dhe kanë një disavaantazh, që disa prej tyre janë helmuese, thotë Helmut Schafft, nga instituti federal për Vlerësimin e Rreziqeve. Dyoksinat janë gjithashtu jashtëzakonisht rezistente: ato nuk treten në ujë, nuk dekompozohen biologjikisht dhe pasurohen me yndyrë.

Dyoksina dëmton edhe organizmin e njeriut

Kryesisht bagëtia merr dyoksinë përmes bimëve ushqyese. Lënda depozitohet në yndyrën e trupit, ose çlirohet në vezë dhe në yndyrën e qumështit. Marrja e ushqimit, thotë Helmut Schafft, është "dhuruesi më i madh i dyoksinës" për njeriun. 95 përqind e saj kalon në trup kryesisht përmes konsumimit të peshkut, mishit dhe produkteve të qumështit. Ndërsa thithja e dyoksinës përmes ajrit është minimale.

Nëse depërton një herë në trup, dyoksina pasurohet në indet yndyrore. Dyoksina më toksike (2,3,7,8 TCDD)qëndron në trupin e njeriut rreth shtatë vjet, derisa të shpërbëhet tërësisht. Dyoksinës më pak toksike, por më e qëndrueshme (2,3,4,7,8 Pentachlordibenzofuran), i duhen rreth 20 vjet derisa të eliminohet në 50%.

Helmimi i dyoksinës është i rrezikshëm

Veprimi i lëndës në trupin e njeriut varet prej faktorësh të ndryshëm: Mosha, pesha dhe veçanërisht lloji i dyoksinës. Disa dyoksina janë ektremisht helmuese edhe në sasi fare të vogla. Normalisht efekti i dukshëm tek njeriu konstatohet vetëm në sasi të mëdha, si p.sh. gjatë helmimeve.

Efektet afatgjata janë studiuar gjatë eksperimenteve me kafshët. "Mund të shkaktohen deformime në sistemin e fertilitetit, në sistemin e imunitetit, në sistemin nervor, por edhe në sistemin hormonal", thotë Helmut Schafft, i cili thekson se disa dyoksina mund të shkaktojnë edhe kancerin.

Përveç kësaj mund të dëmtohet mëlçia, metabolizmi, si dhe lëkura (Chlorakne), shfaqja e së ashtuquajturës sindroma Wasting konstatohet nga rënia e jashtëzakonshme e peshës.

Dyoksina 2,3,7,8 TCDD në vitin 1997 u klasifikua prej Organizatës Botërore të Shëndetësisë si shkaktare e kancerit për njeriun. Megjithatë edhe dyoksina të tjera dyshohet se mund të shkaktojnë kancerin.

Ende nuk ekziston norma për ndalimin e dyoksinës

Për fat të keq dyoksinat pavarësisht rrezikut nuk mund të ndalohen. "Kjo sepse dyoksinat krijohen gjithmonë atje, ku ka zjarr dhe procese të mëdha djegieje dhe nxehjeje. Ato janë produkte sekondare, që krijohen padashur dhe depërtojnë në mjedis." Sipas Helmut Schafft kemi të bëjmë me ekzistencën kudo të këtyre lëndëvë e veçanërisht në vendet dhe rajonet e industrializuara, si në Evropën Qendrore, apo në Gjermani. "Në fushën e toksikologjisë ne e quajmë këtë një barrë në sfond, me të cilën duhet të jetojmë", thotë Schafft.

Skandali i fundit me ushqimin e kafshëve e ka rihapur këtë diskutim. Por as Helmut Schafft nuk mund ta shpjegojë, se si ka mundur të depërtojë dyoksina në ushqimin e kafshëve bujqësore, yndyrërat e të cilave normalissht duhet të jenë bimore. "Kjo çështje aktualisht po diskutohet me intensitet nga instancat përkatëse në landet e prekura", thotë Helmut Schafft lidhur me situatën aktuale.

Deutsche Welle

KOMENTE