English

Qeveria: Nis shpronësimi i pronarëve në rrugën Qafëthanë-Lin-Pogradec

Tiranë, 6 janar 2011, NOA – Ndërkohë që janë me mijëra pronarë shqiptarë tokash që nuk kanë përfituar asnjë lek për pronat e tyre të shpronësuara për interes publik, Qeveria miratoi sot gjatë mbledhjes së parë për vitin 2011, shpronësimin për interes publik të pronarëve të tokave që do të preken nga Loti I i ndërtimit i segmentit rrugor Qafëthanë-Lin-Pogradec. Ky shpronësim u vendos duke u mbështetur në nenin 100 të Kushtetutës, dhe në pikat 1, 20 e 21, të ligjit nr. 8561 “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”. Duke theksuar se shpronësimi bëhet në favor të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, qeveria vendosi që pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen të kompensohen në vlerë të plotë, për sipërfaqen 5191 (pesë mijë e njëqind e nëntëdhjetë e një) m2, tokë arë, me vlerë të përgjithshme shpronësimi 1 371 981.3 (një milion e treqind e shtatëdhjetë e një mijë e nëntëqind e tetëdhjetë e një pikë tre) lekë. Ndërkohë që shpenzimet procedurale në vlerën 602 500 lekë do të përballohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve.

Mësohet se vlera e përgjithshme e shpronësimit, që është 1 371 981. 3 (një milion e treqind e shtatëdhjetë e një mijë e nëntëqind e tetëdhjetë e një pikë tre) lekë, duhet të përballohet nga “Llogaria e veçantë” e Ministrisë së Financave, ai që quhet “Fondi i shpronësimeve”.

Qeveria ka vendosur që shpronësimi të nisë në 15.1.2011 dhe të përfundojë në 15.4.2011.

Ndërsa, pronarët e përmendur në listën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, do të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin e plotë të pronësisë të rifreskuar brenda afateve ligjore, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve.

Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve i kërkohet të kryejë likuidimin e pronarëve sipas pikave 6 e 7, të këtij vendimi, në bazë të dokumentacionit të pronësisë.

Ndërsa brenda 30 ditëve nga sot Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Pogradec, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve, duhet të nisë procedurat për hedhjen e trupit të rrugës në hartat treguese të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit, që do t’i vihet në dispozicion nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, si dhe të bëjë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të shtetit.

Kjo zyrë duhet të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në çastin kur do të realizohen procesi i hedhjes së trupit të rrugës në hartat treguese të regjistrimit, si dhe kalimi i pronësisë për pasuritë e shpronësuara.

mit/NOA

KOMENTE