English

Bashkia organizon konsultën për bashkëjetesën fetare, Rama risjell në vëmendje premtimet

Tiranë, 7 janar 2011, NOA- Ditën e sotme në Muzeun e Tiranës Bashkia e Tiranës organizoi konsultën publike për “Bashkëjetesën fetare”.

I pranishëm në këtë aktivitet, mes historianëve, studiuesve e arkitektëve si dhe shumë personaliteteve të fushës, ishte dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës Edi Rama.

Në fjalën e tij Rama tha: “Është takimi i dytë që zhvillojmë për të çuar përpara projektin për Muzeun e Tiranës dhe Bashkëjetesës Fetare. Është një takim, që ndryshe nga takimi i parë nuk prezanton thjesht idenë e këtij muzeu, por shkon pak më tutje, duke avancuar përpara publikut dhe posaçërisht përpara të ftuarve të veçantë të këtij takimi, profesorë të fushave të ndryshme që lidhen me historinë dhe me traditën, një detyrë projektimi e cila bashkë me detyrën e projektimit për Xhaminë e Re të Tiranës do i nënshtrohen konkursit ndërkombëtar që ne po përgatisim, në mënyrë që të çojmë përpara punën për të realizuar plotësimin e trekëndëshit të religjioneve që bashkëjetojnë në harmoni në qytetin tonë”.

Ai theksoi në prezantimin e detyrës së projektimit do të ketë brenda historinë e dokumentuar të qytetit tonë si dhe rrugën që ka përshkuar, si pjesë e pandashme dhe madje esenciale e bashkëjetesës qytetare në Tiranë, bashkëjetesa mes feve.

Më tej Rama tha se, “të gjithë ndajmë gjerësisht opinionin se ky qytet ka një kulturë dhe një traditë të qytetarisë, solidaritetit, mirëkuptimit që sot nuk është më ajo e 20 viteve më parë, është një bashkësi shumë e larmishme, heterogjene dhe shumë më e ndryshme edhe në qasjen ndaj botës, komunitetit, ndaj njeriut”.

Shqipëria mbahet si një nga vendet me tolerancë të lartë fetare.

a.y/NOA

KOMENTE