English

Futën mallra kontrabandë nga Mali i Zi, arrestohen pronarët e dy dyqaneve

Shkodër, 8 janar, NOA – Specialistët e sektorit kundër Krimit Ekonomik në Policinë e Shkodrës bënë të mundur arrestimin në flagrancë të 51-vjeçarit Sabri Fusha, lindur e banues në lagjen “Dobraç”, komuna Rrethina Shkodër.

Siç ata konfirmojnë për agjencinë e Lajmeve NOA, arrestimi i tij u bë për arsye se, gjatë kontrollit të ushtruar ne dyqanin e tij në lagjen “Dobraç”, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 36 shishe një litërshe dhe 144 shishe 0.75 litërshe me verë me mbishkrimin Vranac, 225 shishe një litërshe me vaj ushqimor, 380 shishe birre 0.5 litërshe me mbishkrimin Nikshiq, si dhe 40 paketa cigare të markave të ndryshme, pa pullë fiskale.

Për këto mallra, Sabri Fusha nuk kishte dokumente shoqëruese dhe nga ana e policisë rezultoi se janë futur kontrabande nga Mali i Zi.

Materialet në ngarkim të shtetasit Sabri Fusha do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprën penale të “Tregtimit të mallrave kontrabandë”.

Gjithashtu, këto forca policie arrestuan në flagrancë edhe 42-vjeçarin Dritan Kutrolli, lindur në “Bilisht” të Korçës dhe banues në lagjen “Dobraç” të Komunës Rrethina Shkodër.

Arrestimi i tij u bë pasi gjatë kontrollit të ushtruar në dyqanin e tij ne lagjen “Dobraç” u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 38 paketa cigare të markës Trokadero, 12 paketa cigare të markës Malboro, pa pullën fiskale, 14 koli me nga 15 shishe një litershe me vaj ushqimor, prodhim i Malit të Zi.

Për rastin në fjalë u kryen veprimet e duhura proceduriale dhe materialet në ngarkim të Dritan Kutrollit do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprën penale të “Tregtimit të mallrave kontrabandë”.

n.e/NOA

KOMENTE