English

PS: Berisha dhe Ristani po groposin krimin e 28 qershorit si kusarë

Tiranë, 8 janar 2011, NOA – Ish drejtoresha e Komitetit shqiptar të Helsinkit aktualisht deputetja e Partisë Socialiste, Vasilika Hysi ka akuzuar sot kryeministrin Sali Berisha dhe kreun e KQZ-së, Arben Ristani se me vendimit për djegien e fletëve të votimit për gjoja pastrimin e kutive dhe bërjen gati të tyre për zgjedhjet vendore, nuk kanë qëllim tjetër veçse të groposin njëherë e përgjithmonë faktet e krimit elektoral në zgjedhjet e shkuara parlamentare të 28 qershorit 2009, zgjedhje që mbajnë ende peng zgjidhjen e ngërçit politik mes opozitës dhe mazhorancës. “Është bërë tashmë qartë për të gjithë që Sali Berisha dhe Arben Ristani, ushtari i Saliut në krye të KQZ, po bëjnë çmos për të groposur dhe djegur faktet e krimit elektoral që ata gatuan së bashku në 28 qershor. Por është bërë tanimë e qartë për të madh e të vogël se Sali Berisha i vodhi zgjedhjet dhe se shqiptarët sundohen nga Kryeministri i votave të vjedhura”, theksoi zonja Hysi.

Deputetja socialiste nëvizoi gjatë një konference për mediat se “Çdo përpjekje e Saliut dhe ushtarit të tij në krye të KQZ-së për të zbatuar forcërisht e në shkelje të plotë të ligjit vendimin për të burgosur për plot 25 vjet listat e zgjedhësve, jo vetëm do të përbënte provën më të fortë se zgjedhjet e 28 qershorit u vodhën nga pushteti i Saliut, por do t’i jepte demokracisë shqiptare një goditje shumë të rëndë”.

Sipas saj ky akt do të shënonte një përshkallëzim të mprehtë të krizës politike sikundër tha ajo, përgjegjësia për të cilin do të binte sa mbi kryeministrin aq edhe mbi ushtarin e tij të mirë, Arben Ristanin.

Në këtë kontekst deputetja Hysi risolli në vëmendje se deklaratat e kryeministrit, i cili theksonte se fletët e votimit nuk do të digjeshin deri sa të mbyllej hetimi i zgjedhjeve të 28 qershorit nga komisioni i posaçëm parlamentar duke i cilësuar ato si demagogji.

Ajo e akuzoi kryeministrin Berisha që dje në 7 janar nisi të djegë fletët e votimit si një kusar duke u fshehur rrëzave.

“Pasi deklaroi se ishte gati të pranonte hetimin e materialeve zgjedhore dhe ngritjen e komisionit hetimor, dje në një shkelje flagrante të ligjit ushtari i Saliut, Arben Ristani dhe anëtarët e mazhorancës në KQZ ndërmorën një tjetër tentativë kriminale për të varrosur listat në arkiv për 25 vjet me pretekstin se na qenkërkan dokumente sekrete. Si gjithnjë Saliu tjetër thotë e tjetër bën”, deklaroi deputetja e Partisë Socialiste, Vasilika Hysi. Zonja Hysi e paralajmëroi kryetarin e KQZ-së Arben Ristani se kompetencat e tij nuk përcaktohen nga urdhërat e Sali Berishës, por nga ligjet e këtij vendi dhe nga kodi elektoral.

“Çdo abuzim politik me këto kompetenca i vë përfaqësuesit e PD-së në KQZ në një fushë të minuar juridike, që mund të ketë pasoja të rënda ligjore për ata vetë në momentin kur këtij pushteti të vjedhur që sot e bën atë të paprekshëm t’i vijë fundi”, apeloi deputetja socialiste.

mit/NOA

KOMENTE