English

Arabia Saudite publikon listën e militantëve të Al Kaedas

Riad, 9 janar 2011, NOA - Ministria e Jashtme e Arabisë Saudite ka publikuar sot një listë me 47 persona, të cilët dyshohet të kenë lidhje me organizatën terroriste Al Kaeda. Lista me 47 të kërkuarit u është shpërndarë po ashtu edhe shërbimeve të Interpolit në mbarë botën.

Televizioni shtetëror Ekhbaria bëri të ditur emrat e 47 personave, të gjithë me origjinë saudite. Të dhënat e tyre u publikuan bashkë me fotot e siguruara nga Ministria e Jashtme.

Sipas kësaj ministrie lista me 47 të kërkuarit sauditë që jetojnë jashtë vendit dhe që kanë lidhje me organizatën Al Kaeda është hartuar nga shërbimet inteligjente të vendit, nisur dhe nga informacionet e grumbulluara së fundmi.

Edhe pse nuk janë bërë të ditura vendet ku mund të ndodhen militantët e Al Kaedas, dyshohet se shumica e tyre strehohen në Jemen.

Ministria e Jashtme saudite u ka kërkuar këtyre personave që të paraqiten në selitë diplomatike të Arabisë Saudite në të gjithë botën, duke i siguruar kthimin pranë familjeve të tyre.

Dy ditë më pare Ministria saudite e Drejtësisë publikoi një listë me 765 të dënuar deri më tani për lidhje me organizatën terroriste Al Kaeda, të udhëhequr nga sheiku saudit Osama Bin Laden.

mit/NOA

KOMENTE