English

Teodosije: Serbët duhet të kthehen në Kosovë

Beograd, 9 janar, NOA - Peshkopi i saposhuguruar i Dioqezës Rashkë-Prizren, Teodosije, ka ftuar serbët të kthehen në Kosovë dhe ka deklaruar se dialogu është rruga e vetme për zgjidhjen e problemeve.

“Kushtet për kthimin e serbëve në Kosovë janë larg për të qenë të mira dhe krijojnë shumë vështirësi e rreziqe”, ka thënë Teodosije për mediet serbe, raportojnë mediat serbe.

Ai tha se nuk mundemi të presim që të tjerët të na krijojnë rrethana më të mira. “Secili duhet të vijë në vatrën e vet dhe kështu të kontribuojë për kthim. Shembujt e individëve të caktuar, të cilët e kanë bërë këtë sado në numër të vogël , kthejnë shpresën se rrugës së tyre do të shkojnë edhe të tjerët”, ka thënë peshkopi.

Teodosije thekson se në bisedat e pritshme në rend të parë duhet të mendohet për popullin. Në bisedat Beograd-Prishtinë në rend të parë duhet të jetë interesi i popullit dhe paqja dhe jo ideologjitë kaluese. Për këtë është me rëndësi që njerëzit me vullnet të mirë të jenë në distancë nga të gjithë ata që mendojnë se me dhunë krijohet fati”, ka theksuar Teodosije në një intervistë për gazetën “Novosti”.

Peshkopi serb ka thënë se kthimi në qendrën historike dhe shpirtërore të Dioqezës Rashkë-Prizren në Prizren pas 11 vjetëve shpërnguljeje, është një ftesë e veçantë bërë serbëve që të kthehen atje nga janë.

Peshkopi tha se riparimi i tempujve fetarë të shkatërruar në Kosovë është detyrë afatgjatë dhe ka paralajmëruar riparimin e Manastirit në Pejë dhe vazhdimin e riparimeve të kompleksit të famullive në Prizren.

“Duke ngritur objektet e shenjta, punojmë në ripërtëritjen e jetës shpirtërore dhe kishtare. Me riparimin e tempujve në Prishtinë, Istog dhe Prizren në muajt e fundit, është ngjallur jeta e re në manastiret e fikura dhe atje kemi emëruar priftërinj të rinj”, tha Teodosije.

Ai ka theksuar se detyra më e rëndësishme e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë është forcimi i punës shpirtërore dhe vazhdimi i ndihmave humanitare për popullsinë e rrezikuar.

a.k/NOA

KOMENTE