English

PD: Drejtësia palë me krimin e bijve të bllokmenëve

Tiranë, 10 janar 2011, NOA – Selia blu ka reaguar rishtas sot për lënien në arrest shtëpie të djalit të deputetes socialiste Arta Dade, pasi ai qëlloi dhe plagosi me pistoletë nipin e ish-kryeministrit komunist Adil Çarçani, një vendim ky i marrë të shtunën nga Gjykata e Tiranës. Në një konferencë të posaçme për shtyp, deputetja demokrate Mesila Doda denoncoi vendimin e marrë nga organet e drejtësisë shqiptare duke i akuzuar se janë bërë palë me krimin e rrugës të kryer nga pasardhësit e bllokmenëve të vjetër.

“Për opinionin publik shqiptar dhe për organet e drejtësise emri i djemve të deputetes socialiste Arta Dade nuk janë të panjohur. Partia demokratike ka denoncuar rekordet e tyre mafioze dhe më parë, lidhjet e tyre me bandën e Hakmarrjes për Drejtësi si dhe rastin e plagosjes së mëparshme të një shtetasi dhe përgjakjes së fundit në mes të bllokut, pranë strehës së vjetër të familjes së tyre politike. Me sa duket të gjitha këmbanat e alarmit që bien për personat e veshur me pushtet po bien në vesh të shurdhër”, akuzoi deputetja Doda.

Ajo theksoi se banditizmi i brezit të ri të bllokmenëve të vjetër është një fakt përpara syve të qytetarëve shqiptarë.

Andaj sipas saj, mbrojtja publike e banditizmit nga pushteti politik i prindërve është tregues i aleancës me individë të drejtësisë shqiptare, të cilët nuk e shtrënguan krimin politik.

Në këtë kontekst, deputetja demokrate Mesila Doda kërkoi nga organet e drejtësisë respektimin e ligjeve dhe vënien përpara drejtësisë të çdo individi që cënon ligjin, duke i kërkuar asaj të mos luajë me një kartë të dyfishtë, por t’i dëshmojë shqiptarëve se çdo individ është i barabartë përpara ligjit.

Djali i deputetes Arta Dade, Besnik Dabulla u arrestua pak ditë më parë pasi plagosi nipin e ish-kryeministrit Adil Çarçani, Endrin Lufin, të cilin më pas e dërgoi për mjekim në spitalin ushtarak në Tiranë.

Në seancën gjyqësore të së shtunës, avokati mbrojtës i Dabullës lexoi në gjyq një deklaratë të Endrin Lufit, ku ai thoshte se Dabulla e kishte plagosur pa dashje, dhe se me të kishte marrëdhënie të mira.

Kjo deklaratë bëri që trupi gjykues të pranonte kërkesën e avokatit të Dabullës i cili kërkoi një masë të butë sigurie për klientin e tij.

Gjykata vendosi t’i japë Dabullës arrest me burg deri në përfundim të hetimit.

Ndërkohë, prokurori i çështjes kishte kërkuar një masë më të ashpër sigurie, 20 ditë burg për Besnik Dabullën, pasi akuzohet për plagosje dhe armëmbajtje pa leje.

mit/NOA

KOMENTE