English

Çështja për shumë miliardë dollarë

Nuk mjaftojnë tre pikat e programit zgjedhor Thaçi. Pika e tretë e programit të tij, ajo e parealizuar e integrimeve euroatlantike të Kosovës, është diçka që e ka në mend dhe në zemër çdo kosovar. Por çështja është si të realizohet Nga Shkëlzen Maliqi Votimi korrigjues në 5 komunat me gjasa do të jetë i përfunduar dhe rezultatet do të dihen në momentin kur ky numër i gazetës të mbërrijë në duart e lexuesve. Vetëm se mbetet mister i përhershëm nëse KQZ-ja do t’i bëjë publike rezultatet preliminare, me gjasa këtë do ta bëjë koalicioni i OJQ-ve, Demokracia në Veprim. Dhe sa i përket rezultateve, askush nuk pret ndonjë gjë spektakulare. Praktikisht, tashmë dihen fituesit: në komunat e Drenicës që janë bestion i PDK-së sërish do të dalë me fitore bindëse partia e Hashim Thaçit, por jo më me numra dhe përqindje astronomike; edhe në Deçan AAK-ja nuk ka konkurrencë. Por, do të ketë ndryshime sa i përket votës së Vetëvendosjes e edhe ndonjë korrigjim tjetër i pjesshëm i votës në Malishevë dhe Deçan, ndoshta edhe në Lipjan, por jo edhe me ndonjë ndikim të madh.

Por, rivotimi megjithatë pritet se do të korrigjojë bukur ndjeshëm, ndonëse në përqindje të vogla, disa numra të totalit të votës së partive dhe të mandateve të fituara. Siç pritet, në këto rivotime PDK-ja do të duhej të kishte të paktën 20 mijë vota më pak, gjë që në totalin e përqindjes do të zbresë suksesin e saj 3 deri 4 %. Me këtë distanca e PDK-së nga partia e dytë LDK-ja do të zvogëlohet nga 9.9 % sa ka qenë me numërimin preliminar të votës së 12 dhjetorit, në rreth 5 %. Edhe distanca mes partisë së tretë dhe të katërt në zgjedhjet e 12 dhjetorit, do të duhej të ishte pak më e madhe, Vetëvendosja pas rinumërimeve, duke përfshirë edhe ato të 24 vendvotimeve në Mitrovicë, do t’i afrohet kutës prej rreth 15 %.

Ku korrigjim i votës, nëse parashikimi që po e bëj del i saktë, (por edhe nëse KQZ-ja mëshirohet dhe tregon se çfarë është gjetur me rinumërimin e 40 % fletëvotimeve, – sepse edhe aty mund të na dalë ndonjë befasi e pakëndshme!), do të jetë i mjaftueshëm për të filluar më seriozisht procesin e negocimit të koalicioneve dhe tentimet që të krijohet qeveria e re e Kosovës.

Nuk dua t’i hyjë këtu spekulimeve për koalicionet e mundshme, sepse tashmë jemi afër sqarimit më të saktë të votës, dhe do të ketë edhe kohë edhe hapësirë për këtë, nëse KQZ-ja edhe një herë e shtynë shpalljen e rezultatit zyrtarë pas mbajtjes së raundit të ri të rivotimit në disa vendvotime të Mitrovicës.

Ajo që mund të pohohet pas ndonjë risk të madh nga spekulimet, është se mandati për krijimin e qeverisë do t’i takojë PDK-së dhe Hashim Thaçit. Kjo me gjasa nuk do të jetë detyrë aq e lehtë, siç vetëlavdërohej kryeministri në dorëheqje që e sheh vetën në këtë post edhe për një mandat. Thaçi me gjasa i ka ikur sa më shumë çështjes së numrave dhe mandateve, edhe pse do të duhej të obsesionohej me këtë, përderisa numrat dhe mandatet janë gjithnjë në zgripcë të së mundshmes, dhe i armatosnin partnerët potencialë për koalicion me municione të shantazheve të ndryshme e edhe të bllokadës.

Vetëlavdërimi dhe vetëbesimi i Hashim Thaçit si “fitues i madh” (zgjedhjet e 12 dhjetorit ai vazhdon t’i quaj “referendum”!?) si duket nuk e ka lejuar atë që të bëjë një strategji më realiste për ndërtimin e qeverisë së re, që sipas meje, do të duhej më shumë të përqendrohej në parime dhe programe, dhe jo në logjikën e numrave. Sepse është e qartë se matematika e mandateve sa është në favor të Thaçit dhe PDK-së, po aq është edhe me llogari të rrëshqitshme dhe potencialisht dështuese.

Në këtë situatë, e edhe për të mbledhur poena të natyrës tjetër me vlera më afatgjate, mandatari i supozuar për qeverinë e ardhshme, është dashur që të bëjë me dije se çfarë ndryshime përmbajtësore do t’i propozojë partnerëve të mundshëm të koalicionit qeverisës, në mënyrë që t’i çarmatos dhe bind ata për ndarjen e pushtetit.

Në të vërtetë Hashim Thaçi menjëherë pas festave të ndërrimit të motmotit ka shpallur rritjen e pagave në sektorin publik, duke dashur me këtë të demonstrojë se është politikan i fjalës që i përmbush premtimet parazgjedhore. Por, ai i ka mbet borxh opinionit shpjegimin se si do të sigurohen këto mjete shtesë për paga, pasi që buxheti i Kosovës ende nuk është aprovuar, dhe dihet se Qeveria ka obligime që të mbajë nën kontroll. Ka edhe të panjohura tjera të mëdha rreth sigurimit të mjeteve për investimet kapitale, p.sh. ato të ndërtimit të autostradës Vërmicë-Prishtinë.

Nëse ka dashtë të jetë i fjalës dhe premtimeve, ai do të duhej të tregonte më konkretisht se si do ta lufton korrupsionin galopant, që e ka rrëmihur edhe kredibilitetin e qeverisjes së tij të kaluar. Për këtë nga ai kërkohet që të dëshmoj seriozitetin e kalimit nga fjalët në vepra konkrete. A ka p.sh. ndërmend që të krijojë një trup pranë kryeministrisë i cili do të auditojë çdo tender të ministrive, por edhe të komunave, që e kalon shumën e caktuar prej, ta zëmë 500 mijë eurove. Ky nuk do të ishte trup vendimmarrës që çon në centralizëm të dëmshëm, por thjesht një instancë mbikëqyrëse me qëllim që të evitohen keqpërdorimet e zakon shume të tenderimeve njëburimore, të krijimit të monopoleve etj.

Kryeministri Thaçi edhe ashtu ka mjaft këshilltarë të profileve të ndryshëm, dhe kjo kohë e kërkimit të opsioneve për qeverisje më të mirë dhe më të përgjegjshme, ka mundur të shfrytëzohet për angazhimin e trurit dhe ekspertizës së supozuar të tyre. Nuk mjaftojnë tre pikat e programit zgjedhor Thaçi. Pika e tretë e programit të tij, ajo e parealizuar e integrimeve euroatlantike të Kosovës, është diçka që e ka në mend dhe në zemër çdo kosovar. Por çështja është si të realizohet kjo pikë. Nuk është edhe aq e thjeshtë sepse është një çështje në të vërtetë të paktën njëqindpikëshe.

Si do të thoshin amerikanët, kemi të bëjmë me një pyetje për një milion dollar. Në Kosovë, në të vërtetë, është çështje e shumë miliardë dollarëve.

KOMENTE