English

ERE: CHEZ po abuzon, gjobë 350000 lekë

Tiranë, 12 Janar 2011 NOA/ Rid Bulku - Bordi i Komisionerëve të ERE-s është mbledhur më në fund sot, nisur nga shqetësimi i opinionit publik, lidhur me faturimet e kryera nga ana e Kompanisë CEZ Shpërndarje Sh.a. me emërtimin “dëm ekonomik” apo “energji e pamatur”. Enti Rregullator i Energjisë tha se dëshiron të bëjë me dije të gjithë konsumatorët për hapat e ndjekura nga ana e ERE në trajtimin dhe zgjidhjen e këtij problemi: ERE ka monitoruar dhe studiuar me kujdes të gjithë procedurën e ndjekur nga ana e CEZ Shpërndarje Sh.a. dhe ka konstatuar se aplikimi i “Dëmit Ekonomik” apo “Energji e Pamatur” është kryer në mënyrë abuzive dhe arbitrare pasi këto veprime nuk janë në përputhje me kuadrin ligjor dhe rregullator në fuqi. Për këto veprime të CEZ Shpërndarje të pabazuara në ligj, ERE me vendimin nr. 90, datë 15.11.2010 të Bordit te Komisionereve, dënoi me gjobë në shumën 350 000 lekë kompaninë CEZ Shpërndarje Sha, “Për moszbatim të kushteve të përcaktuara në License dhe konkretisht të pikës 3.1, të Licensës për Aktivitetin e Furnizimit Publik me Pakicë të Energjisë Elektrike”. Gjoba në fjalë i korrespondon shumës maksimale që ERE mund të vendosë për dënimin e shkeljeve të ndryshme që mundet të kryhen nga një i Licensuar në bazë te nenit 64 të Ligjit nr. 9072, datë 22.5.2003 “Për sektorin e energjisë elektrike” (të ndryshuar). Në bazë këtij vendimi, të gjitha faturimet e kryera nga ana e CEZ Shpërndarje Sh.a. ndaj klientëve familjare dhe jofamiljare, me emërtimin “Dëm Ekonomik” apo “Energji e Pamatur” pas hyrjes në fuqi të Ligjit nr. 9997, datë 22.09.2008, janë konsideruar të paligjshme. Duke konstatuar se faturime të kësaj natyre kanë vazhduar edhe në vijim, gjatë periudhës nëntor – dhjetor 2010, ERE në datën 28.12.2010, kreu monitorim të sistemit të faturimit të kësaj Kompanie, për të verifikuar faturimet e kryera nga kjo kompani dhe zbatimin e Vendimit përkatës të Bordit të Komisionerëve. Në datën 29.12.2010, ERE- i është drejtuar sërish CEZ Shpërndarje me kërkesën për anulim të menjëhershëm të faturimeve të kryera në emërtimin “Energji e Pamatur”, për të gjithë klientët familjare dhe jofamiljare duke bërë sistemimin e konsumit faktik të energjisë elektrike, pa shkaktuar asnjë kosto të tepërt për konsumatorët. ERE është në ndjekje të vazhdueshme të këtij procesi dhe i ka kërkuar urgjentisht kompanisë CEZ Shpërndarje, që brenda datës 12 Janar 2011 të informojë publikun për masat që ka ndërmarrë për sistemimin e shqetësimeve të krijuara. ERE, ndërkohë, thotë se i fton të gjithë konsumatorë që kanë qenë objekt i këtyre faturimeve, që të reklamojnë pranë CEZ Shpërndarje dhe në mungesë të gjetjes së një përgjigje të shpejtë dhe të pranueshme prej kësaj kompanie pranë Entit Rregullator te Energjisë, çdo faturë të paargumentuar, të lëshuar nga Kompania, që lidhet me emërtimin “energji e pamatur” apo “dem ekonomik”. Në përfundim, ERE do të vijojë të monitorojë në vijimësi dhe nga afër hapat që do të merren nga ana e CEZ Shpërndarje për zgjidhjen e këtij shqetësimi të krijuar konsumatoreve shqiptar dhe do te ndërmarre veprime të tjera sikurse do të jetë e nevojshme në përputhje me autoritetin që i jep ligji “Për sektorin e energjisë elektrike” dhe dispozitat përkatëse të Kodit Penal te R.Sh, për të cilat do të informojë në vijim konsumatorët e energjisë elektrike. e.r/NOA

KOMENTE