English

Ilir Meta: Lë imunitetin, që të më hetojnë

Tiranë, 12 Janar, NOA - Zv/kryeministri Ilir Meta ka deklaruar gjatë një konference për shtyp se i ka paraqitur kryetares së Kuvendit kërkesën për heqje imuniteti të tij, në rast të hetimit të fakteve korruptive ndaj tij. Duke dhënë sqarime konkrete për videon e publikuar dje në emisionin televiziv “Fiks Fare”, Meta, tha se ky ka qenë një përgjim i pështirë dhe një bllof i shëmtuar politik dhe moral i cili është bërë në kuadër të shantazheve nga krimi i organizuar, për shkak të detyrave të tij, sidomos asaj si kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ai ka dhënë më pas të dhëna mbi tenderin, i cili përflitet në videon e publikuar dje, duke pohuar se ai nuk kishte përfunduar dhe shpallur fituesi. “E natyrisht, duke respektuar vendimin e gjykatës, firma që flitet është skualifikuar për arsye të kritereve ekonomike. Tiranë, 12 Janar, NOA Update – Shantazh i krimit të organizuar, e ka vlerësuar zv/kryeministri Ilir Meta videon e publikuar dje në emisionin “Fiks Fare”, duke pohuar se me të nuk do të ketë lidhje kurrë as ai, por as edhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Sipas tij, përgjimet e kryera janë tinëzare dhe aspak njerëzore. “Këto përgjime janë bërë për të denigruar emrin tim”, tha ai gjatë një komunikimi me mediat lidhur me një fakt të tillë. “Përgjimi i pështirë nuk është veçse një bllof politik”, shtoi ai kurse paralajmëroi: “Transparencë, tolerancë zero ndaj krimit të organizuar dhe gatishmëri për të kontribuar ndaj tyre. Kjo është ajo që ka ofruar publikisht zv/kryeministri Ilir Meta gjatë një konference për shtyp, ndërsa ka dhënë qëndrimin e tij lidhur me videon e publikuar në emisionin “Fiks Fare” ku ai zhvillonte një bisedë konfidenciale me ish-ministrin Dritan Prifti. “E kam vënë në dijeni kryeministrin Berisha, për shantazhet ndaj meje. Sulme politike ndaj meje do të kem edhe në 30-40 vitet e ardhshme dhe kjo është normale”, tha ai. Sipas tij, nuk ka asnjë përputhje mes hapjes së tij të buzëve dhe përkthimit shqip me shqip. “U mbetet detyrë atyre që e inskenuan këtë video që ta paraqesin në prokurori dhe jo mua. Unë thjesht mbetem në dispozicion për të sqaruar dhe bërë transparencën e kësaj videoje. Jam i gatshëm të bashkëpunoj për këtë me prokurorinë dhe të gjitha organet e tjera ligjore”, tha ndër të tjera kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim. n.e/NOA

KOMENTE