English

Kompleksi i rilindësve të vonuar

Na takon neve të bëhemi në këtë prag 100-vjetor të shtetit shqiptar, brezi i parë i shqiptarëve të mençur dhe të guximshëm që tejkalojnë kompleksin e rilindësit të vonuar. Nga Arian Galdini Shteti 99-vjeçar i shqiptarëve, ndërsa bëhet gati të festojë shekullin e parë të ekzistencës së tij, na parasydergjet plot mjerim, i keqpërdorur, zaptuar, dhunuar, lodhur dhe i pafuqishëm për t’u rritur. Nëse me Ismail Qemalin ne ngritëm flamurin e lindjes, shteti-fëmijë u lemeripërkund nëpër duar udhëheqësish e komandantësh, që në momente themelore historike në vend të dashurisë që nuk duhet ta dyshojmë se e kishin për atdheun dhe shqiptarët, duket kthjelltazi se dashurinë për vetveten dhe pushtetin e kanë pasur të pakufi, të paarsye dhe të pangopur.

Fëmijëria e shtetit shqiptar

Fëmijëria e shtetit shqiptar, nga 1912 deri në vitin 1990 ka qenë tmerrësisht e vështirë. Shteti-fëmijë u ballafaqua me kufijtë e sakrificave sublime për të mësuar që të ecë mbi këmbët e tij. Herë rrëzohej vetë, e herë e rrëzonin të tjerët. Më të mëdhenjtë dhe fqinjët e keqtrajtonin lehtësisht, por edhe “Etërit e kombit” sipas rastit, e kanë dhunuar pa pikën e mëshirës.

Fëmijëria 80-vjeçare e shtetit shqiptar u abuzua nga shumë udhëheqës e kapedanë si Esat Pasha me shokë, Haxhi Qamili që donte Babën e Stambollit, Ahmet Zogu që u bë Mbret dhe deri tek Enver Hoxha që u bë Babë, e Ramiz Alia që vazhdoi besnikërisht rrugën e Babës. Madje duhet theksuar se “autoriteti i dhunshëm” i atyre që kanë qenë në krye të Shtetit tonë të brishtë ka tejkaluar kufijtë e mizores gjatë 50 viteve të komunizmit alla Enver. Fëmijëria e shtetit shqiptar pa asnjë mëdyshje mund të konsiderohet si një fëmijëri e traumatizuar dhe plot angështi. Rilindësit dhe të mençurit e atyre viteve nuk u lejuan e nuk u mundësuan të përmbushnin asnjë mision apo vizion të lartë, fisnik, pozitiv, dashamirës e perëndimizues që ata patën. ‘

Udhëheqësitë arbitrare të Tiranës’ dhe paritë e provincave, të mbështetur nga turmat e çetat e tyre të mbushura me mercenarë dhe ndjekës hallexhinj apo injorantë, e bënë atdheun tepër të vështirë për rilindësit e mirë dhe të mençur. Baltologjia dhe mohimologjia, dhuna, mashtrimi, implikimi dhe tirania e shpërfilljes, kanë qenë asokohe dhe vazhdojnë të jenë edhe sot e kësaj dite instrumentet që ‘udhëheqësitë arbitrare të Tiranës’ dhe paritë e provincave, së bashku me turmat e çetat në gatishmëri të tyre, përdorin për të sfilitur mendjet dhe shpirtrat e pastër dhe fisnikë të rilindësve dhe mendjendriturve të kohëve.

E të mendosh se kanë qenë pikërisht idetë dhe vizionet e larta të rilindësve që sollën lindjen e shtetit shqiptar dhe shqiptarizmës. Por fatkeqësisht asnjëri prej tyre nuk e duroi dot deri në fund atdheun, e gjithashtu atdheu nuk duroi, vlerësoi e mbështeti dot asnjërin prej tyre. Është e dhimbshme të sjellësh nëpër mend sot, trishtimin dhe vuajtjet e Abdyl Frashërit të pakuptuar, Sami Frashërit të padëgjuar, Gjergj Fishtës së zhgënjyer, Faik Konicës së syrgjynosur dhe keqinterpretuar, Lasgush Poradecit të harruar, Mitrush Kutelit të mohuar, Petro Markos së nëpërkëmbur, Kris Malokut, Branko Merxhanit, Eqrem Bej Vlorës, atë Zef Valentinit, Patër Anton Harapit, e qindra e qindra burrave e grave mendjendritur, të cilëve dashuria e madhe që ata kishin për Shqipërinë dhe shqiptarët, idetë dhe vizionet e larta dhe të pastra që kishin për shqiptarizmën dhe shtetin e shqiptarëve, iu shndërruan në makthe e tortura të pësuara.

Të gjithë këta rilindës dhe mendjendritur i lindën idetë e tyre dhe e përkushtuan veprën, aktivizmin dhe jetën e tyre për të mirën e atdheut, por për të gjithë këta në fund, atdheu si këmbim u dha përçmimin, dhunimin, rraskapitjen, mosnderimin, përbaltjen, mohimin, e çdo të keqe e vuajtje të mundshme derisa i lodhi. U lodhën të gjithë. E në një pikë të jetës së tyre të gjithë vendosën ose të pranojnë sistemin dhe të implikohen e bëhen pjesë e sistemit duke e mbytur dhe deformuar me duart e tyre ‘fëmijën e ideve dhe vizioneve të tyre të larta e të pastra’, ose mbyllën gojën dhe u tërhoqën në vetmi dhe përvujtni intelektuale, ose më keq akoma, u larguan nga Shqipëria. Si përfundim, atdheu dhe shteti-fëmijë i shqiptarëve për gati 80 vite mbetën jetimë, e kësisoj u abuzuan nga ‘udhëheqësi arbitrare’.

Adoleshenca e shtetit shqiptar ose ramizoshenca

Viti 1990 ishte pika e kthesës. Shteti shqiptar kaloi në një fazë kur doli nga “autoriteti i të pamëshirshmëve” dhe hyri në atë që me marrëveshje fjale mund ta quajmë “mosha e adoleshencës”. “Adoleshenca e shtetit shqiptar” dëshmonte e vazhdon të dëshmojë dhimbshëm deri në ashtë se ky shtet nuk po mundet dot të jetë as fëmijë dhe as i rritur. Si për ironi dhe koincidencë therëse, periudha e kalimit nga fëmijëria në adoleshencë pati në krye të shtetit shqiptar Ramiz Alinë, pasuesin e denjë, por aspak të njëllojtë të Enverit.

Ky njeri e drejtoi shtetin shqiptar pikërisht në zgrip të epokave. Duart e tij u lidhën figurativisht zinxhir nga duart e Enverit të vdekur te duart e “udhëheqësive të reja” të pluralizmit të pas vitit 1990. Me dashje apo pa dashje, realisht apo thjesht për bukurinë e alegorisë sonë, Ramizi u bë pikëlidhja e “Babës që shkonte në Ferr” me “udhëheqësitë e reja pluraliste”, madje edhe me “rilindësit demokratikë”.

Kësisoj mosha e re e shtetit shqiptar të pas vitit 1990, u shënjua, me hir apo me pahir, nga sindroma e ndikime të forta ramiziste. Gjatë këtyre 20 viteve, shteti shqiptar mori një trajtë unike, sui generis, që na e lehtëson trillin intelektual për të luajtur me fjalët dhe botëkuptimin politik, duke na dhënë mundësinë e risisë për ta pagëzuar adoleshencën e shtetit shqiptar si ramizoshencë. U lidhën pra bashkë në këto vite pas 1990-s, adoleshenca e shtetit shqiptar, apo ramizoshenca, me tranzicionin.

Luhatja, paqëndrueshmëria dhe feudalizimi në të gjithë strukturën e shtetit shqiptar dhe të shoqërisë janë dhe do të mbeten për fatin tonë të keq karakteristikat themelore të periudhës së ramizoshencës, në të cilën jemi dhe po rrekemi të mbijetojmë.

Ramizoshenca është e dukshme me të gjitha simptomat e saj në shtratin autoritar në të cilin shtrihet simetrikisht politika shqiptare e majtë dhe e djathtë, pothuajse në të gjitha strukturat dhe nënstrukturat e saj. Ramizoshenca demonstrohet në pafuqinë e elitave, rilindësve demokratikë, intelektualëve, akademikëve, mendjeve të mençura dhe të ndriçuara për t’u përshfaqur guximshëm për të parathënë të vërtetat e nevojshme për t’u rritur. Ramizoshenca e shtetit shqiptar karakterizohet nga ‘udhëheqësi politike ramizoshente’ të majta dhe të djathta, të cilat e rrëfejnë vetveten në frymën vetëlëvduese, implikuese dhe dehumanizuese të kundërshtarit, që dominon ligjërimin publik, në shterpësinë e ideve, mbytjen e lirisë, gardhëzimin e shtetit, pronës, zhvillimit.

Ramizoshentët e politikës, biznesit, medias, kulturës, lundrojnë me forcë e zellshëm në ujërat që përmbysin të mirën dhe shpresën në Shqipëri. Ramizoshenca dhe ramizoshentët vrasin çdo ditë “ndërgjegjen qytetare” duke u dhënë muskuj krahëve të fortë dhe të dhunshëm të modeleve ‘implikues’, ‘të implikuar’, ‘rebelë’, ‘imoralë e amoralë’, ‘lakmitarë’, ‘pushtetërues’, ‘gënjeshtarë’, ‘arbitrarë’, ‘firmëtarë të bindur’, ‘grabitqarë’, ‘injorantë kokëboshë dhe shpirtzinj’, ‘smirëzinj dhe gjuhëhidhur’, ‘mohues’, ‘shpifës’ dhe ‘përbaltës’.

Ramizoshenca dhe ramizoshentët ushqejnë bindshmërinë duke asgjësuar dhe zhvleftësuar zgjedhjen. Ramizoshentët lodrojnë të vetëkënaqur në hapësirat e ‘biznesit politik’, ‘biznesit të paligjshëm’, apo ‘biznesit të të fortëve’ duke boksuar pamëshirë ekonominë e tregut, sipërmarrjen e lirë, inovacionin, kreativitetin dhe biznesin e ndershëm. Me paratë e shumta të fituara lehtësisht për shkak të kanaleve të fuqishme dhe të errëta që përdoren, ramizoshentët mbytin me kthetrat e tyre mediat e palira, hapësirat e komunikimit publik, duke e bërë memece shoqërinë shqiptare.

Tirania e shpërfilljes, ku të gjithë kanë të drejtë të flasin, por nuk kanë të drejtë të dëgjohen, është doreza e boksit që përdoret nga ramizoshentët për të na dhunuar pronën, drejtësinë, fjalën, shpirtin, karakterin, virtytet, talentet, zotësinë, dinjitetin. Ramizoshenca dhe ramizoshentët nuk përputhen fare me aspiratën tonë të gjithë e gjerë ligjëruar për integrim europian.

Europianizimi i Shqipërisë fjalë për fjalë, germë për germë, drejtpërdrejt, nënkupton ‘rritjen’, ‘maturimin e shtetit shqiptar’, d.m.th. thjesht dhe qartë: fundin e ramizoshencës. Andaj për sa kohë shtigjet tona të rritjes do të jenë të arrestuara nga ramizoshenca, për aq kohë Europa dhe europianizimi do të jenë një ‘përrallë gjumëndjellëse’ që do të na lërë mëtues të padenjë që gënjehemi pa pushim nga “udhëheqësi Penelopa” të majta apo të djathta, që na e bëjnë ditën dhe zhbëjnë natën pëlhurën e shtetit, demokracisë, pronës, drejtësisë dhe lirisë sonë.

E si mundet ramizoshenca dhe ramizoshentët të vetasimilohen duke u bërë të sinqertë në aspiratën dhe përpjekjet për integrim europian? Çdo hap që bëhet drejt Europës, ngase është i pasinqertë apo i detyruar, na hidhet si lak mbi qafat tona të brishta qytetare të etura për liri, duke na vendosur hallka dhe unaza të rënda kontrolli mbi rritjen tonë e duke na e plasur si zgjedhë dhe diktat sukseset e arritura. Është pikërisht kjo frymë kontrolli dhe diktati ndaj rritjes që tejzgjat ramizoshencën, tranzicionin dhe na zhvesh nga dinjiteti përballë Europës drejt të cilës ‘rendim e rendim elektoralisht’. Ramizoshentët tanë na kanë bërë të paraqitemi si zevzekët dhe të pandreqshmit e Europës.

Sipas Gandit: “Rrënjët e dhunës janë: pasuri pa punë. Dije pa karakter. Tregti pa moral. Shkencë pa humanizëm. Lavdi pa sakrifica. Politikë pa principe”. Këto fjalë më së miri përcaktojnë e karakterizojnë jetën sociale, politike, ekonomike e kulturore shqiptare, sot e 20 vite postkomunizëm, ramizoshencë. Ndaj pandehma ime është se pasaportat tona, qofshin biometrike apo jo, nëse do të vazhdojnë të jenë pasaporta të një shteti në ramizoshencë, vërtet që na i kanë dhënë vizat dhe lirinë e lëvizjes, por nuk munden kurrsesi të na japin dinjitetin.

Të thëna të gjitha këto, e plot të tjera të pathëna në këto pak rreshta, na duhet të ngremë zërin jo vetëm fonetikisht, por më së pari arsyetivisht, logjikisht dhe argumentativisht për të filluar ushtrimin tonë kombëtar për t’i dhënë fund me guxim ciklit të së keqes, implikuesve dhe të implikuarve, ramizoshencës dhe ramizoshentëve. Kjo është koha e dalëzotsave, të cilët nëpërmjet veprimit të besimit, mundimit të dashurisë dhe qëndrueshmërisë e durimit të shpresës do të mund t’ia dalin mbanë të tejkalojnë kufizimet e kohës, moshës dhe mundësive. Atdheu ynë është shumë i vështirë vërtet. Por atdheun e meritojnë ata që e durojnë.

Na takon neve të bëhemi në këtë prag 100-vjetor të shtetit shqiptar, brezi i parë i shqiptarëve të mençur dhe të guximshëm që tejkalojnë kompleksin e rilindësit të vonuar. Të mos e lejojmë vetveten që të na lodhë atdheu i vështirë dhe udhëheqësitë arbitrare të Tiranës, së bashku me paritë e provincave dhe turmat e çetat e militantëve dhe mercenarëve injorantë.

Shqipërisë nuk i nevojiten më as rilindës, as shpëtimtarë, as çlirimtarë, e as shenjtër. Shqipëria ka nevojë sot për njerëz të ndershëm, plot integritet dhe dinjitet, të thjeshtë, të urtë, të mençur, modestë dhe kurajozë që i dalin për zot, si në punë të vogla e të parëndësishme ashtu edhe në punë të mëdha. Shqipërisë i nevojiten dalëzotsa. Unë e shënoj emrin tim pa ngurrim si dalëzotsi i parë dhe si luftëtar të betejës për dinjitet. Beteja për dinjitet i ka të gjitha shanset dhe atributet për t’i dhënë fund këtij tranzicioni dhe ramizoshence rraskapitëse.

KOMENTE