English

Krasniqi: Akuzat e Martit, pamflet politik

Tiranë, 13 janar 2011, NOA/ Irma Toptani – Presidenti në detyrë i Kosovës dhe Kryetari i Parlamentit, Jakup Krasniqi deklaroi në Tiranë se autoritetet e larta të Kosovës janë të gatshme të përballen me drejtësinë ndërkombëtare për akuzat e senatorit zviceran Dick Marty që i akuzon liderët e UÇK-së për trafik organesh të robërve serbë në përfundim të konfliktit në Kosovë në vitin 1999. Gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin Berisha, presidenti në detyrë i Kosovës theksoi se ky raport akuzon rëndë jo vetëm Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, por të gjithë shqiptarët në Kosovë dhe në Shqipëri, andaj sikundër tha ai obligon të dy vendet, Shqipërinë e Kosovën të koordinojnë punët për ta kundërshtuar këtë raport që është vlerësuar edhe si një pamflet politik. “Ne kemi gatishmërinë që institucionet profesionale ndërkombëtare të bëjnë një hetim të gjithanshëm profesional, për gjitha akuzat që i bëhen luftës së drejtë të popullit të Kosovës për liri e çlirim. Ne jemi të bindur se në gjithë programin politik të lëvizjes kombëtare për çlirim në Kosovë, në asnjë fazë të tij nuk ka pasur qëllim e synim tjetër përveç luftë për liri e çlirim dhe nëse në faza të caktuara ka mund të trajtohet si mëkat apo ka mund nga qarqe të caktuara të trajtohet si mëkat ka qenë lufta për çlirim e bashkim kombëtar, por nuk ka shkuar përmes asnjë forme të krimit të organizuar ndaj një grupi etnik apo populli tjetër për rrëmbim, për shfarosje, për zhdukje apo për të trafikuar organet e as secilit njeri për qëllime kriminale”, deklaroi zoti Krasniqi. Ai shprehu bindjen se “Bashkimi Europian ka një trupë profesionale në Kosovë, për të ndihmuar sistemin e drejtësisë në Kosovë”. Në këtë kontekst edhe njëherë Krasniqi nëvizoi se si Kosova, edhe Shqipëria janë në të drejtën e vet, dhe të bindur se lufta e UÇK-së ishte luftë për dinjitet andaj tha Krasniqi pati mbështetjen e BE-së, SHBA-ve, e të NATO-s. “Në këtë rast, këtë akuzë ne e shohim si akuzë që i drejtohet të gjitha vendeve që ndihmuan në shumë drejtime, edhe ushtarake, edhe humanitare, lirinë e popullit të Kosovës. Kështu që unë jam i bindur siç biseduam me Kryeministrin Berisha që koordinimi ynë tani e tutje do të jetë në shërbim të drejtësisë, të stabilitetit dhe të zhvillimit edhe në Shqipëri, edhe në Kosovë. Faleminderit për vëmendjen”, tha zoti Krasniqi. I pyetur nga gazetarët nëse akuzat e Martit dëmtojnë imazhin e Kosovës, zoti Krasniqi u përgjigj se “Sigurisht që raporti i reporterit të Këshillit të Evropës e ka dëmtuar, sepse vetë mashtrimi që i është bërë atij raporti, ka pasur për qëllim realisht dëmtimin politik të Kosovës. Ndërohë unë mendoj që ai nuk do të mund t’i pengojë bisedimet me Serbinë. Por vetëm mund t’i vonojë, tha ai. “Kosova asnjëherë që nga konferenca e Rambujesë dhe këtej, gjithnjë e ka pasur dhe e ka gatishmërinë për të biseduar për gjithçka që është në interes të Republikës së Kosovës të qytetasve të saj, por dhe në interes të Republikës së Serbisë dhe qytetarëve të saj. Kur them qytetarëve të Serbisë dhe qytetarëve të Kosovës, e kam fjalën edhe për qytetarët shqiptarë që jetojnë në Republikën e Serbisë dhe për qytetarët serb që jetojnë në Kosovë. Gjithçka që shkon në drejtimin e përmirësimit dhe të ngritjes së kualitetit tjetër se këtyre qytetarëve të dy vendeve tona ne jemi të gatshëm të bisedojmë”, argumentoi presidenti në detyrë i Kosovës. Sipas tij dalja me një raport të përbashkët kundër këtij raporti akuzash është mëse i duhur. “Jam dakord me këtë që tha kryeministri Berisha, do të thotë që politika në Kosovë dhe Shqipëri, ka si obligim ta zhvillojnë vendin, të njohin perspektivat për qytetarët e dy vendeve tona dhe pas qershorit të vitit 1999 Kosova dhe Shqipëria kanë filluar një periudhe të re të bashkëjetesës, e cila ka mundësi të zhvillohet në shumë fusha. Ndoshta gjatë këtyre pak viteve kemi arritur t’i thellojmë marrëdhëniet e bashkëpunimit në të gjitha fushat e mundshme, por pres që edhe Shqipëria dhe Kosova të bëjnë programe për zhvillimin ekonomik të vendeve të tyre dhe për unifikimin e gjithë asaj që mund të unifikohet mes dy vendeve tona, të një populli që ka një kulture dhe një histori”, nëvizoi ai. Krasniqi u përgjigj më tej edhe për zhvillimet postzgjedhore në Kosovë, për të cilat theksoi se ky proces është ende në vazhdim. “Në 23 janar 2011 kemi zgjedhje të përsëritura në Mitrovicë dhe ne presim mbylljen e këtij rezultati dhe pastaj formimin e qeverisë dhe institucioneve që do të dalin nga këto zgjedhje. Ne jemi duke pritur dhe besojmë që institucionet e pavarura zgjedhore do ta korrigjojnë këtë proces dhe do të formojnë institucionet e reja”, tha presidenti në detyrë i Kosovës, Jakup Krasniqi në konferencën e përbashkët me kryeministrin Sali Berisha në Tiranë. mit/NOA

KOMENTE