English

Një orë e më parë

Një provokim për të madh e të vogël dhe një përpjekje për të budallallepsur një popull të tërë, e quajti Edi Rama përpjekjen e Sali Berishës dhe Ilir Metës për të mohuar shfaqjen e korrupsionit dhe makutërisë në videon e transmetuar në Fiks Fare. Kjo shfaqje, deklaroi Rama, tregon respektin që kanë Saliu dhe Iliri për popullin dhe vendin, të cilët jo vetëm i plaçkisin por edhe i tallin. Në përfundim Rama u shpreh se me një qeveri të tillë nuk mund të ketë bashkëpunim dhe se Sali Berisha dhe Ilir Meta duhet të largohen

Nga Edi Rama

Sot shqiptarët panë dhe dëgjuan sesi kusari i zgjedhjeve dhe matrapazi i votave të opozitës provokuan të madh dhe të vogël. Saliu dhe Meta sot jo thjesht e mohuan njëzëri shfaqjen e ndyrë që i nxori ashtu siç janë të zhytur bashkarisht në llumin e hajdutërisë me zë dhe me figurë. Ata shkuan më tej duke e përpjekur ta budallallepsin një popull të tërë, me broçkulla montazhesh dhe trukimesh që paska bërë opozita, kur në fakt bëhet fjalë për një dokument me zë dhe me figurë të publikuar nga institucioni i pavarur Fiks Fare, që ka marrë dhenë deri në stacionet më të mëdha televizive të botës. Të cilat nuk publikojnë as montazhe as trukime, se nuk janë televizioni shqiptar i Saliut as lëverja numër 55 e Fariut. Por sot edhe më shumë se dje doli në pah sesa e kërcënuar është shoqëria jonë nga ky çift shoqërisht i rrezikshëm. Nesër do të jenë vërtet vonë. Ky bashkim në llum, që ka lindur për të vjedhur Shqipërinë pas vjedhjes së zgjedhjeve, vazhdon të mendojë edhe pas asaj shfaqje të neveritshme, se ky popull nuk meriton asgjë më shumë sesa kusarë e matrapazë në pushtet dhe gënjeshtra, shpifje, mashtrime e baltë mbi opozitën në foltoret e qeverisë. Sot më shumë se dje, doli në pah më qartë se asnjëherë për këdo, se çfarë respekti kanë për popullin dhe për vendin që qeverisin këta kusarë e matrapazë në krye të qeverisë. Duan jo vetëm të plaçkisin gjithçka, por edhe të tallen pafundësisht me popullin dhe të baltosin e asgjësojnë çdo burim opozitarizmi në mes të Europës përmes pushtetit të parasë dhe parasë së pushtetit. Aq të zhytur janë në batakun e korrupsionit dhe të abuzimit me pushtetin e votave të vjedhura, saqë Saliu nuk ndahet dot nga Meta dhe të dy bashkë kanë marrë përsipër ta gënjejnë këtë herë popullin fare sy më sy. Si është e mundur që kaq pacipërisht, në vend se të largohen menjëherë nga detyra që shpërdorojnë përditë, të thonë e të rithonë se populli në fakt nuk e pa atë që pa dhe nuk e dëgjoi atë që në fakt e dëgjoi? Askund ku votohet kjo tallje e madhe, kjo arrogancë e skajshme, kjo shëmtirë morale në pushtet nuk mund të ketë jetë të gjatë. Këta lloj matrapazësh me bllok në dorë që lyejnë gishtin me pështymë kur kthejnë faqen u përkasin kohëve të xhelepit turk, kurse në Shqipëri janë kthyer në modë në administratë dhe kanë arritur madje të ngjisin në majën e pushtetit një zëvendës kryeministër, sepse në Shqipëri nuk votohet e për këtë arsye populli përçmohet.

Vetëm aty ku votat vidhen dhe ku ata që sundojnë me vota të vjedhura nuk duan t’ja dinë për popullin që s’e ka më votën në dorë sepse ja kanë marrë peng forcërisht, mbërrihet në këtë derexhe që është me plot gojën turp i botës. Që kjo gjendje e rëndë sociale, këto shfaqje të neveritshme korrupsioni, kjo tallje e ky cinizëm qeveritar që s’paska cak e as fund, të marri në fakt fund, populli ngrihet dhe rimerr në dorë lirinë e të drejtën e votës. Saliu dhe Meta duhet të largohen një orë e më parë. Me këtë qeveri të kriminalizuar deri në pikën që të mohojë sy për sy dhe jo përpara pak, por përpara gjithë popullit, një shfaqje tronditëse si ajo që pa Shqipëria e mbarë bota e të sulmojë opozitën e mediat e pavarura si të lidhur me krimin, nuk ka bashkëpunim po vetëm betejë qytetare, betejë shoqërore, betejë popullore, për liri e të drejta që ky vend s’mund ti lejojë të mbyten në llumin e bashkimit të Saliut me Metën.

KOMENTE