English

Rama: Saliu e Meta të ikin një orë dhe më parë

Tiranë, 13 janar, NOA – Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaroi sot se kryeministri Sali Berisha dhe zëvendëskryeministri Ilir Meta, “duhet të largohen nga qeveria”. Në një deklaratë për mediat, Rama tha se ajo që panë shqiptarët me videon ku Meta dhe Prifti diskutonin për pazare nuk mund kalojë në këtë mënyrë. Reagimi i Ramës ka ardhur pas deklaratave të bëra sot nga kryeministri Sali Berisha, i cili e cilësoi videon si një montim të kryetarit të PS-së, Edi Rama. Një provokim për të madh e të vogël dhe një përpjekje për të budallallepsur një popull të tërë, e quajti Edi Rama përpjekjen e Sali Berishës dhe Ilir Metës për të mohuar shfaqjen e korrupsionit dhe makutërisë në videon e transmetuar në Fiks Fare. Kjo shfaqje, deklaroi Rama, tregon respektin që kanë Saliu dhe Iliri për popullin dhe vendin, të cilët jo vetëm i plaçkisin por edhe i tallin. Në përfundim Rama u shpreh se me një qeveri të tillë nuk mund të ketë bashkëpunim dhe se Sali Berisha dhe Ilir Meta duhet të largohen. Në përfundim të daljes së tij publike ai tha: “Saliu dhe Meta duhet të largohen një orë e më parë. Me këtë qeveri të kriminalizuar deri në pikën që të mohojë sy për sy dhe jo përpara pak, por përpara gjithë popullit, një shfaqje tronditëse si ajo që pa Shqipëria e mbarë bota e të sulmojë opozitën e mediat e pavarura si të lidhur me krimin, nuk ka bashkëpunim po vetëm betejë qytetare, betejë shoqërore, betejë popullore, për liri e të drejta që ky vend s’mund ti lejojë të mbyten në llumin e bashkimit të Saliut me Metën”. e.r/NOA

KOMENTE