English

Vendosmëri për ta mposhtur Dik Martin

Tiranë, 13 janar 2011, NOA/ Irma Toptani – Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe Presidenti në detyrë i Kosovës dhe kryeparlamentari saj, Jakup Krasniqi në takimin që patën në Tiranë kanë shprehur vendosmërinë për hetimin e plotë të akuzave të raportit të senatorit Dick Marty, i cili akuzon rëndë krerët e UÇK-së për trafik organesh, por edhe autoritetet shqiptare, për të cilat pretendon se nuk kanë ndihmuar në hetimet e mëprashme për këtë çështje. Në këtë kontekst Kryeparlamentarja Topalli theksoi se raporti i anëtarit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Dick Marty ka keqpërdorur besimin e KiE-s, pasi raporti në fjalë nuk ka fakte dhe prova. “Ne duam që në lidhje me këtë raport EULEKS të bëjë hetimet e nevojshme”, u shpreh zonja Jozefina Topalli. Gjithashtu zonja Topalli dhe zoti Krasniqi shprehën domosdoshmërinë që t’i kërkojnë reporterit të PACE, Dick Marty, të çojë provat pranë misionit të EULEKS. Ndër të tjera gjatë takimit mes kryeparlamentares Jozefina Topalli dhe Presidentit në detyrë të Kosovës, Jakup Krasniqi u diskutua për marrëdhëniet e ngushta, të shkëlqyera midis dy vendeve në të gjitha fushat, ndërsa të dy bashkëfolësit shprehën angazhimin e përbashkët për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit midis dy vendeve. Në mënyrë të veçantë, Kryetarja e Kuvendit vlerësoi shkëmbimet e shumta të eksperiencave dhe bashkëpunimin midis Parlamenteve dhe komisioneve parlamentare të të dyja vendeve. “Kam kënaqësinë që gjatë vitit të kaluar kemi pasur shumë shkëmbime eksperiencash dhe bashkëpunimi përmes komisioneve parlamentare. Shpreh kënaqësinë të konstatoj edhe njëherë marrëdhëniet e shkëlqyera midis Shqipërisë dhe Kosovës, të cilat ne jemi të bindur dhe të vendosur se do t’i çojmë edhe më tej në të gjitha drejtimet”, tha zonja Topalli. Në vijim ajo vlerësoi qetësinë dhe përgjegjësinë në të cilën u zhvilluan zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë, të cilat janë të parat të organizuara plotësisht nga shteti i ri i Kosovës, pas shpalljes së Pavarësisë në 17 shkurt të 2008-ës. Në këtë kontekst, shefja e parlamentit shqiptar Jozefina Topalli theksoi se çështja e statusit të Kosovës është një çështje tërësisht e mbyllur. mit/NOA

KOMENTE